Gjatë fjalimit të tij historik si president i 47-të i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump premtoi një epokë të re për Amerikën, të mbushur me krenari, sovranitet dhe guxim.
“Do të jemi një komb si askush tjetër. Fuqia jonë do t’i japë fund të gjitha luftërave,” tha Trump, duke theksuar angazhimin e tij për të sjellë stabilitet në një botë të trazuar.
Ai theksoi se fuqia dhe guximi amerikan do të rikthejnë respektin global ndaj vendit, duke e shndërruar Amerikën në një komb të adhuruar dhe të respektuar sërish.
“Ne do të luftojmë si kurrë më parë. Nuk do të mposhtemi, nuk do të intimidohemi, nuk do të shkelemi dhe ne nuk do të dështojmë,” deklaroi Trump, duke vënë në qendër të fjalimit të tij vendosmërinë dhe qëndrueshmërinë e SHBA-së.
Trump përfundoi me një mesazh të fuqishëm për sovranitetin dhe të ardhmen e Amerikës:
“Nga sot SHBA do të jetë një vend sovran dhe i pavarur, do të ecim me krenari dhe do të ëndërrojmë në mënyrë kurajoze. Askush nuk do të na pengojë sepse ne jemi amerikanë, e ardhmja është e jona. Epoka e artë sapo ka filluar.”