Kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë sot në Forumin Ekonomik Botëror 2025, i cili zhvillohet në Davos – Klosters, të Zvicrës.
Me misionin “Ne bashkojmë qeverinë, bizneset dhe shoqërinë civile për të përmirësuar gjendjen e botës”, këtë vit Forumi bën bashkë rreth 3000 liderë, nga mbi 130 vende, mes të cilëve, 350 liderë qeveritarë, duke përfshirë 60 kryetarë shtetesh dhe qeverish për të adresuar sfidat kryesore globale dhe rajonale.
Takimi i 55-të Vjetor i Forumit Ekonomik Botëror mblidhet nën temën “Bashkëpunimi për Epokën Inteligjente”, me diskutime që fokusohen në pesë shtylla thelbësore, të ndërlidhura, me rëndësi të posaçme për një të ardhme të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe të begatë.
Së bashku me liderë nga vende të tjera të botës, Kryeministri Edi Rama është pjesëmarrës në disa tryeza të rrumbullakëta, si dhe panelist në sesione të ndryshme që synojnë të nxisin një frymë bashkëpunimi dhe optimizmi konstruktiv me objektivin e formësimit të Epokës Inteligjente të ardhshme, në një mënyrë më të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.
Kryeministri gjithashtu do të takohet përgjatë 3 ditëve të Forumit me homologë, liderë të biznesit, drejtues të organizatave të ndryshme ndërkombëtare dhe personalitete të tjera pjesëmarrëse në Forum./vizionplus.tv