Kryeministri Edi Rama, ka paralajmëruar se do të lançohet një tjetër program mbështetës me fokus investimet e emigrantve në struktura agroturistike.
Në një intervistë për Scan Tv, eksperti Ilir Pilku theksoi se kjo do të jetë një nismë e mirë edhe për ato fshatra të braktisura, si dhe ndërtesa shekullore.
“Thirrja e kryeministrit nuk është vetëm për gamën e bujtinave dhe sipërmarrjeve agroturistike egzistuese, por edhe ato të cilat mund të kthehen. Është një nismë e mirë, do duhet ta themi që është një nismë e mirë. Nuk e dimë akoma sa do të jetë masa e incentivës për këtë program. Duhet ta themi që është një iniciativë e mirë. Duhet parë më gjerë në aspektin funksional, sepse shpeshherë ne na ngelin dhe në letër këto lloj iniciativash të cilat kuptohet që do të jenë të bazuara në mangësitë që kemi ne në operimin tonë në zonat rurale, ku shumë nga ndërtesat që janë të pahipotekuara, çështje të pronësisë, çështje të kapitalit investues.”
Por cilat janë mungesat që sektori agroturistik ka dhe çfarë duhet investuar në zonat rurale apo malore?
“Sektori agroturistike në Shqipëri kryesisht ka nevojë për rikthimin e atyre objekteve, nuk dua ta diskutoj këtë në aspektin e një ndërtimi të ri sepse ka kosto jashtëzakonisht të mëdhaja, pra nëse do flasim për një bujtinë agroturistike ka një kosto që është rreth gjysmë million euro investim minimalja, por do ta shikoja në aspektin më mikron, riparime, rikonstruktime të objekteve të vjetra ekzistuese, kthimin e tyre në identitet, përdorimi i mundësive lokale, për shumë aktivitete që pëlqehen, si aktivitete brenda fermës, dhe jashtë saj, ngjitjeve dhe zbritjeve në male, përdorimi i lumejve për sporte të ndryshme. Dhe çdo gjë që lidhet me turizmin rural dhe malor. Pra nuk do ta shikoja në një aspekt të një investimi shumë të madh.”
Ndërkohë, Paketa e Maleve është një tjetër projektligj, që synon të tërheqë investime në zonat malore përmes kalimit të pronësisë së pasurive shtetërore për vetëm 1 euro.