Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan shpalli zi kombëtare 24 orë pas tragjedisë me 66 të vdekur dhe 51 të plagosur si pasojë e zjarrit në resortin e skive Kartalkaya në provincën Bolu në veri të Turqisë.
Në deklaratat e tij pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave në Ankara, presidenti turk deklaroi se ka nisur një hetim gjyqësor dhe administrativ për shkaqet e zjarrit.
Ai po ashtu sqaroi se për këtë janë caktuar gjashtë prokurorë, dy inspektorë të Administratës Publike, katër inspektorë të Ministrisë së Punës dhe një komision prej pesë anëtarësh ekspertësh. Në vendngjarje kanë shkuar edhe katër ministra të qeverisë.
“Në fazën e parë u arrestuan katër persona, mes të cilëve edhe pronari i biznesit ku ndodhi tragjedia. E them qartë dhe pa mëdyshje njëherë e përgjithmonë: Ata që shkaktuan një fatkeqësi të tillë, ata që treguan neglizhencë dhe faj, do të mbajnë përgjegjësi para ligjit”, tha Erdogan.