Nga Agron Duka
Plehrat në fshatrat e Bashkisë Dimal janë kthyer në një shqetësim serioz për banorët e këtyre zonave. Kontejnerët e tejmbushur derdhen në rrugë. Mbetjet urbane, ato bujqësore, si dhe kafshë të ngordhura shihen kudo: pranë banesave, shkollave dhe kanaleve vaditëse. Në të gjithë fshatrat e njësive administrative Poshnjë dhe Kutalli, mbetjet nuk pastrohen nga ndërmarrja e punëve publike. Banorët shprehen se askush nuk dëgjon zërin e tyre, megjithëse kanë trokitur në dyert e Bashkisë Dimal.
Mbeturina të shumta gjenden edhe në të dy anët e rrugëve nacionale Dimal-Fier dhe Dimal-Lushnje. Në disa zona, plehrat hidhen në kanale dhe lumenj, duke e bërë situatën akoma më kritike, pasi uji përdoret për vaditje.
Banorët shprehen se pastrimi bëhet shumë rrallë, ndoshta një herë në tre muaj, por ka dhe fshatra, si Kuçi, ku plehrat nuk pastrohen asnjëherë. Banorët pohojnë se kur vijnë punëtorët e bashkisë, përdorin një skrep dhe i hedhin në lumë, duke ndotur ujin. Sipas tyre, kryebashkiakja Juliana Mema nuk i përgjigjet ankesave të tyre, ndërsa ndotja vazhdon të jetë alarmante prej disa muajsh.