Komisioneri Ilirjan Celibashi thotë se shqiptarët që jetojnë jashtë do të votojnë më 11 maj vetëm me dokument shqiptar identifikimi.
Në përgjigje të disa pyetjeve në rrjetet sociale, Celibashi u shpreh se regjistrimi nuk mund të bëhet me patentë italiane, pasi nuk ka adresë.
“Nuk duhet ta ngarkoni këtë dokument. Ngarkoni një dokument që përmban adresën”, u shpreh Celibashi.
“E rëndësishme është të disponosh një dokument identifikimi shqiptar dhe të plotësosh të dhënat që janë gjatë procesit të aplikimit”.
Duke iu përgjigjur interesit të qytetarëve, Celibashi tha se “edhe nëse pasaporta ose kartë identiteti është e skaduar ju mund të regjistroheni në PER. Dje i kemi paraqitur qeverisë propozimin për të shtyrë vlefshmërinë e dokumenteve të skeduara për të gjithë ata votues që banojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”.
Teksa u pyet nga një qytetar se kur vjen fleta e votimit, Celibashi u përgjigj se fleta e votimit do të vijë me postë, në javën e dytë të prillit me zero kosto.
“Do t ju vijë me postë. Parashikojmë ta dërgojmë gjatë javës së dytë të prillit. Gjithsecili do të ketë 3-6 ditë për ta plotësuar fletën. Bashkë me të do t’ju vijë një udhëzim se si do ta plotësoni dhe si do ta vendosni në zarf e do ta ktheni. Postën nuk do ta paguani ju. Gjithçka e paguan shteti”, tha Celibashi.