Departamenti i Shtetit ka anuluar udhëtimin e refugjatëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Agjencia amerikane që mbikëqyr përpunimin e refugjatëve tha se “ardhja e refugjatëve në Shtetet e Bashkuara është pezulluar”.
“Të gjitha udhëtimet e planifikuara më parë të refugjatëve në Shtetet e Bashkuara po anulohen dhe nuk do të bëhen prenotime të reja udhëtimi,” thuhet në memorandumin e Departamentit të Shtetit, pa specifikuar se sa do të zgjasë pezullimi.
Memorandumi, i cili sugjeron që pezullimi të hyjë në fuqi menjëherë, pason një urdhër ekzekutiv të nënshkruar nga Presidenti Donald Trump të hënën që thoshte se pranimet e refugjatëve në SHBA do të pezulloheshin nga 27 janari.
Urdhri thotë se SHBA-së “i mungon aftësia për të thithur një numër të madh emigrantësh, dhe në veçanti, refugjatë”.
“Ky urdhër pezullon [Programin e Shteteve të Bashkuara për pranimin e refugjatëve] deri në momentin kur hyrja e mëtejshme në Shtetet e Bashkuara të refugjatëve përputhet me interesat e Shteteve të Bashkuara,” thotë ai.