Projekti EU4Digital Justice, i zbatuar nga UNOPS dhe i financuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të IPA III me një buxhet prej 7.5 milionë euro, synon të transformojë sistemin e drejtësisë në Shqipëri nëpërmjet inovacionit dixhital.
Mbi 48 muaj, projekti do të krijojë një Sistem modern të Menaxhimit të Çështjeve për Prokurorinë, do të rrisë kapacitetin e Qendrës së Teknologjisë së Informacionit për Sistemin e Drejtësisë dhe do të zbatojë mjetet e Inteligjencës së Biznesit për vendimmarrje të bazuara në të dhëna.
Kjo nismë synon të forcojë sundimin e ligjit, të përmirësojë efikasitetin institucional dhe të ofrojë shërbime drejtësie më të shpejta dhe më transparente në përputhje me standardet e BE-së.
Bashkimi Evropian është partneri më i madh zhvillimor i Shqipërisë, duke ofruar mbi 100 milionë euro në vit asistencë granti për të mbështetur popullin shqiptar dhe për të ndihmuar Shqipërinë të miratojë dhe zbatojë reformat kryesore politike, institucionale, sociale dhe ekonomike për të qenë në përputhje me vlerat e BE-së dhe për t’u përafruar në mënyrë progresive me rregullat e saj.
Bashkimi Evropian dhe UNOPS lançuan zyrtarisht projektin e ri të financuar nga BE EU4Digital Justice: “Mbështetje për Sundimin e Ligjit përmes Transformimit Dixhital”.
Aktiviteti që u mbajt në ambientet e Shtëpisë së Evropës mblodhi përfaqësues të nivelit të lartë nga Ministria e Drejtësisë, Prokurorisë së Përgjithshme, Këshillit të Lartë Gjyqësor, Qendra e Teknologjisë së Informacionit për Sistemin e Drejtësisë (IT Center), Ambasada Suedeze dhe aktorë të tjerë kyç.
Kjo nismë transformuese synon të ndihmojë procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE duke forcuar sundimin e ligjit dhe duke rritur besimin në sistemin e drejtësisë në Shqipëri nëpërmjet inovacionit dixhital.
Me një buxhet prej 7.5 milionë euro, projekti 4-vjeçar synon të trajtojë sfidat kritike në sistemin e drejtësisë në Shqipëri, duke përfshirë proceset e vjetruara, menaxhimin e fragmentuar të çështjeve dhe përdorimin e kufizuar të teknologjisë.
Duke futur një sistem të unifikuar dixhital të menaxhimit të çështjeve për Prokurorinë dhe mjete të avancuara të analizës së të dhënave për të mbështetur vendimmarrjen transparente dhe të bazuar në të dhëna, projekti do të forcojë koordinimin dhe llogaridhënien. Për më tepër, ai synon të ndihmojë në përmirësimin e kapaciteteve të Qendrës së IT-së për të udhëhequr dhe zbatuar reforma dixhitale në të gjithë sektorin e drejtësisë për të arritur ndërveprim ndërmjet institucioneve të ndryshme gjyqësore. Ky projekt pritet të kontribuojë në arritjen e rezultateve konkrete në reformën në drejtësi, t’u sigurojë profesionistëve ligjorë, publikut dhe shoqërisë civile shërbime drejtësie më të shpejta, më transparente dhe të aksesueshme.
Projekti inovativ EU4Digital Justice do të sigurojë themelin teknologjik të nevojshëm për të nxitur përmirësime afatgjata dhe për të mbështetur rrugëtimin e Shqipërisë për integrimin në BE duke modernizuar dhe dixhitalizuar sistemin e drejtësisë.
Në ceremoninë e nisjes morën pjesë ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, Drejtoresha e UNOPS-it në Shqipëri DHE Kosovë, Sabine Kania, Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Cela dhe përfaqësues të institucioneve përkatëse shqiptare.
Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato:
“Projekti BE për Drejtësinë Dixhitale është një moment historik i rëndësishëm në procesin e zbatimit të reformës së sektorit të drejtësisë në Shqipëri. Kjo është gjithashtu një kërkesë kyçe në Cluster 1, që përcakton ritmin për negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Krijimi i një sistemi modern të menaxhimit të çështjeve, në përputhje me standardet e BE-së, do të ndihmojë institucionet gjyqësore shqiptare të përmirësojnë performancën e tyre . Nëpërmjet këtij projekti dhe mbështetjes së përgjithshme të BE-së për reformën në drejtësi në Shqipëri, ka një objektiv kryesor: ofrimin e qytetarëve shqiptarë me një shërbim publik cilësor dhe efikas të drejtësisë.
Sabine Kania, Menaxhere e UNOPS për Shqipërinë dhe Kosovën:
“Me këtë projekt, synojmë të krijojmë një integrim pa probleme të sistemeve, proceseve dhe të dhënave përmes dixhitalizimit në sektorin e drejtësisë. Kjo do të jetë baza teknologjike për të modernizuar sistemin e drejtësisë, për të forcuar ligjet dhe përfundimisht të ndërtojë besim më të madh në institucionet ligjore”.
Ulsi Manja, Ministër i Drejtësisë:
“Rruga jonë drejt BE-së bazohet në një transformim rrënjësor të sistemit të drejtësisë, si një nga shtyllat kryesore të shtetit të së drejtës. Ky vizion i qeverisë dhe i shumicës sonë parlamentare, i farkëtuar me reformën e pakthyeshme në drejtësi, vazhdon të mbështetet fuqishëm nga partnerët tanë strategjikë, BE dhe SHBA, të cilët na kanë sjellë sot në një tjetër stacion të rëndësishëm – fillimin e ndërtimit të drejtësi dixhitale.”
Olsian Çela, Prokurori i Përgjithshëm:
“Bota tashmë ka hyrë në epokën dixhitale, e cila karakterizohet nga një zhvillim i shpejtë i teknologjisë, ndaj sfida e këtij projekti nuk do të jetë vetëm ngritja e një sistemi menaxhimi efikas dhe efektiv që i përgjigjet aktuale nevojave, por për të parë të ardhmen, duke mundësuar efektivitetin e saj për një periudhë të gjatë kohore”.