Banka e Shqipërisë ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Bankën Evropiane të Investimeve për zhvillimin e financave të gjelbra dhe për të mbështetur rritjen ekonomike të qëndrueshme në Shqipëri.
Në fjalën e tij, Guvernatori Gent Sejko tha se ky bashkëpunim shënon një hap të rëndësishëm mes dy institucioneve.
Sejko u shpreh se BSH ka qenë dhe vazhdon të jetë në krye të përpjekjeve për të integruar financat e gjelbra dhe për të ndërtuar një sistem financiar që përballon sfidat klimatike dhe mbështet një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.
“Strategjia jonë e gjelbër afatmesme e miratuar në 2023 është një reflektim i përkushtimit për arritjen e objektivave tanë në këtë kuadër. Gjatë 2024 kemi marrë disa nisma të rëndësishme që dëshmojnë angazhimin tonë konkret, përfshirë analizën e ekspozimit të sektorit bankar ndaj rreziqeve klimatike, e cila ka ndihmuar në identifikimin e rajoneve dhe sektorëve më të prekur dhe hartimin e udhëzuesit për menaxhimin e rreziqeve klimatike që krijon një kornizë të qartë për bankat që të integrojnë këto rreziqe në sistemin e menaxhimit të rrezikut”, tha Sejko.
Sejko u shpreh ndër të tjera se bashkëpunimi me partneret ndërkombëtarë strategjik është jetik. Ndërsa bashkëpunimi me Bankën Evropiane të Investimeve është ‘thelbësor për të avancuar në sistemin tonë të gjelbër’.
“Dua të falenderoj BE për mbështetjen e vazhdueshme në procesin e integrimit të Shqipërisë dhe promovimin e financave të qëndrueshme. Puna për ndërtimin e një të ardhme të gjelbër dhe të qëndrueshme është shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit që sjell përfitime konkrete për qytetarët dhe mjedisin tonë”, deklaroi Guvernatori.
Në fjalën e tij, Zëvendës presidenti i Bankës Evropiane të Investimeve, Robert de Groot, Përgjegjës për Ballkanin Perëndimor, u shpreh se: “Nënshkrimi i kësaj Marrëveshjeje shënon një gur themeli në bashkëpunimin me Bankën e Shqipërisë. Në kuadër të Programit të Sistemeve Financiare të Gjelbra të BEI-t, synojmë të krijojmë një mjedis financiar të favorshëm që do të kontribuojë dhe mbështesë përpjekjet e Shqipërisë për kalimin në një ekonomi të gjelbër, do të ndihmojë në arritjen e objektivave të saj ambiciozë për reduktimin e emetimeve, do të mbështesë masat e përshtatjes dhe forcojë qëndrueshmërinë e vendit. Si banka e klimës e BE-së dhe një prej investitorëve më të mëdhenj në financat e gjelbra, presim me padurim të shohim ndikimin pozitiv që ky bashkëpunim do të ketë në zhvillimin ekonomik të vendit, qëndrueshmërinë dhe gatishmërinë e tij, në rrugën e tij drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.”
Ndërkohë, Shefi i Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në Shqipëri, Hubert Perr, theksoi se: “Bashkimi Evropian në Shqipëri po mbështet forcimin e partneritetit ndërmjet Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve (BEI), banka e klimës e BE-së. Nënshkrimi i sotëm i marrëveshjes për zhvillimin e sistemeve financiare të gjelbra në Shqipëri, shënon një hap të rëndësishëm në përafrimin e vendit me Marrëveshjen e Gjelbër të BE-së dhe agjendën e saj për financat e qëndrueshme, e cila është gjithashtu pjesë e procesit të integrimit dhe negociatave të Shqipërisë me BE-në. Shpresojmë që ky program do të hapë mundësi të reja financimi dhe të nxisë investime të gjelbra midis kompanive shqiptare, duke i ndihmuar ato të adoptojnë strategji tranzicioni për të zbutur rreziqet klimatike. Si rezultat, kjo do të sjellë rritje ekonomike të qëndrueshme dhe rezistente ndaj ndryshimeve klimatike në Shqipëri. Kjo është në përputhje me përpjekjet më të gjera të BE-së në Shqipëri për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe qëndrueshmërinë, veçanërisht përmes Planit të Rritjes së BE-së.”
Fjala e Guvernatorit te BSH
Kam kënaqësinë e veçantë t’ju mirëpres në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve, si dëshmi e përkushtimit të përbashkët të institucioneve tona për t’i dhënë një impuls të ri zhvillimit të qëndrueshëm financiar në Shqipëri, duke ndihmuar në përballimin e sfidave klimatike dhe në krijimin e kushteve për zhvillimin e një ekonomie më të gjelbër dhe më rezistente. Ky bashkëpunim shënon një hap të parë dhe shumë të rëndësishëm në ndërtimin e një partneriteti të fortë midis institucioneve tona.
Së pari, më lejoni të shpreh mirënjohjen tonë të sinqertë për Bankën Evropiane të Investimeve – e njohur ndryshe si “banka e klimës për BE-në” – e cila sjell një kombinim të pasur të ekspertizës dhe përvojës globale, duke ofruar mbështetje të paçmueshme për avancimin e agjendës sonë të financave të qëndrueshme dhe përballimin e sfidave klimatike. Jemi krenarë që po ndërtojmë këtë bashkëpunim të ri me një institucion kaq të rëndësishëm, me ndikim të jashtëzakonshëm në financat globale.
Banka e Shqipërisë ka qenë dhe vazhdon të jetë në krye të përpjekjeve për të integruar financat e gjelbra dhe për të ndërtuar një sistem financiar që përballon sfidat klimatike dhe mbështet një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm. Strategjia jonë e Gjelbër Afatmesme, e miratuar në 2023, është një reflektim i këtij përkushtimi dhe një udhërrëfyes për arritjen e objektivave tanë në këtë kuadër.
Gjatë vitit 2024, kemi ndërmarrë disa nisma të rëndësishme që dëshmojnë angazhimin tonë konkret, përfshirë analizën e ekspozimit të sektorit bankar ndaj rreziqeve klimatike, e cila ka ndihmuar në identifikimin e rajoneve dhe sektorëve më të prekur, si dhe hartimin e Udhëzuesit për Menaxhimin e Rreziqeve Klimatike, i cili krijon një kornizë të qartë për bankat që t’i integrojnë këto rreziqe në sistemet e tyre të menaxhimit të rrezikut.
Këta janë hapa tejet të rëndësishëm drejt një kuptimi më të thellë të ndikimit të klimës në sektorin financiar dhe drejt zhvillimit të masave të përshtatshme për të adresuar sfidat e së ardhmes.
E megjithatë, ato janë vetëm fillimi i një procesi më të gjerë për transformimin e sistemit tonë financiar. Në këtë drejtim, bashkëpunimi me partnerë strategjikë ndërkombëtarë është jetik. Bashkëpunimi me Bankën Evropiane të Investimeve është thelbësorë për të avancuar në tranzicionin tonë të gjelbër.
Përmes Programit për Sistemet Financiare të Gjelbra të BEI-ve, ne do të zhvillojmë një taksonomi të gjelbër dhe do të forcojmë kuadrin rregullator për adresimin e rreziqeve klimatike. Taksonomia e gjelbër do të shërbejë si një udhërrëfyes për klasifikimin e aktiviteteve të qëndrueshme, duke ndihmuar në kanalizimin e fondeve drejt projekteve që kanë një ndikim pozitiv në mjedis dhe duke rritur transparencën për investitorët dhe institucionet financiare.
Në këtë pikë, më lejoni të ndalem edhe te rëndësia e përafrimit me standardet e Bashkimit Evropian. Si një vend në proces integrimi në BE, harmonizimi i kuadrit tonë ligjor dhe rregullator me direktivat evropiane për financat e qëndrueshme është një prioritet për ne. Marrëveshja që nënshkruajmë sot është një hap konkret në këtë drejtim. Ajo reflekton përkushtimin tonë për të ndërtuar një sistem financiar në harmoni me praktikat më të mira evropiane dhe që ndihmon në arritjen e objektivave strategjikë të vendit.
Gjithashtu, dëshiroj të falënderoj Bashkimin Evropian për mbështetjen e vazhdueshme në procesin e integrimit të Shqipërisë dhe për promovimin e financave të qëndrueshme. Puna e përbashkët për ndërtimin e një të ardhmeje të gjelbër dhe të qëndrueshme është një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit që sjell përfitime konkrete për qytetarët shqiptarë dhe mjedisin tonë.
Në përfundim, dua të shpreh mirënjohjen time të thellë ndaj Bankës Evropiane të Investimeve për mbështetjen dhe angazhimin e tyre. Dua gjithashtu të falënderoj ekipet e të dy institucioneve që kanë punuar për këtë marrëveshje, për përkushtimin dhe profesionalizmin e tyre.
Bashkëpunimi me EIB është thelbësor për t’u përballur me sfidat globale të klimës dhe për të siguruar që Shqipëria të ketë një sistem financiar që jo vetëm përballon vështirësitë, por edhe krijon mundësi të reja për zhvillim të qëndrueshëm. Jam i bindur se ai do të sjellë rezultate konkrete dhe do të kontribuojë ndjeshëm në realizimin e objektivave tanë për një ekonomi të qëndrueshme dhe rezistente ndaj sfidave klimatike.