NGA PROF.DR. BESNIK ALIAJ
Më 20 janar 2025 në SHBA u betua Presidenti i 47-të! Pritet nga të gjithë një ndryshim dhe impakt i madh! Ndërkohë të gjithë i mundon një pyetje të madhe: Kush e drejton realisht sot botën? Dikur kjo ishte një pyetje e lehtë për t’iu përgjigjur. Sot kompleksiteti është rritur. Nëse jeni mbi 45 vjeç, si unë, do të thotë se jeni rritur në një botë të dominuar nga dy gjigantë: Shtetet e Bashkuara që bënin ligjin nga njëra anë e “Murit të Berlinit”, ndërsa “Sovjetikët” vendosnin rregullat e tyre në anën tjetër të Murit. Pra, kishim një botë të thjeshtë bipolare. Nëse jeni nën 45 vjeç, do të thotë se ke jetuar kohën kur Bashkimi Sovjetik tashmë kishte rënë, dhe kjo situatë i la Shtetet e Bashkuara si superfuqinë e vetme në botë, duke dominuar institucionet globale përmes ushtrimit të pushtetit të drejtpërdrejtë. Kjo periudhë ishte një botë unipolare. Më tej, rreth 10-15 vite më parë, gjërat u bënë pak më të komplikuara. Shtetet e Bashkuara gjithnjë e më shumë dëshmuan se nuk dëshironin të ishin më “polici i botës”, apo “arkitekti i tregtisë globale” dhe për më tepër refuzuan të ishin “promovuesi i vlerave globale”. Ndërkohë vende të tjera në botë filluan të bëheshin më të fuqishme dhe gjithnjë e më shumë nisën të injoronin rregullat që nuk u pëlqenin, madje disa vendosën rregulla të reja vetë. Çfarë ndodhi më tej?
Tri gjëra:
-Së pari, Rusia nuk u integrua në institucionet perëndimore. Një ish-fuqi e madhe tani është në rënie të thellë dhe ata ndihen të ofenduar dhe të zemëruar për këtë gjë. Ne mund të debatojmë sot se kush e ka fajin, por kjo nuk ndihmon kënd. Ne jemi aty ku jemi!
-Së dyti, Kina u integrua në institucionet e udhëhequra nga SHBA-të me supozimin se, ndërsa pasuroheshin dhe bëheshin më të fuqishëm, ata do të bëheshin si amerikanët. Në fakt, sot rezulton që ata janë akoma më kinezë se ç’ishin dhe Shtetet e Bashkuara, sidomos nuk ndihen aspak rehat me këtë zhvillim të Kinës.
– Së treti, dhjetëra miliona qytetarë në Shtetet e Bashkuara dhe në demokracitë e tjera të pasura, por edhe në vendet aspirante e në tranzicion demokratik (përfshi këtu edhe Shqipërinë), u ndien të lëna pas dore nga globalizimi ekstrem. Kjo u injorua për disa dekada dhe si pasojë, qytetarët konstatuan se qeveritë dhe udhëheqësit e tyre gradualisht u bënë çdo ditë e më pak legjitimë.
Sot, nëse shikoni titujt kryesorë të mediave në botë, të cilat janë vetë pjesë dhe aktorë të një lloj tensioni dhe konflikti gjeopolitik në rritje, mbi 90 për qind e këtyre tensioneve pranohet se janë për shkak të tri arsyeve të mësipërme. Është kjo arsyeja pse sot jetojmë në një botë pa udhëheqësi. Por siç e dimë, kjo nuk mund të zgjasë për shumë kohë.
Atëherë pyetja është:
– Çfarë vjen më pas? – Çfarë lloj rendi botëror mund të presim gjatë dhjetë viteve të ardhshme?
Disa nga gjërat që mund të themi sot në këtë ditë speciale ceremoniale, është se me shumë gjasa nuk do mund të kemi më një botë bipolare, unipolare dhe as multipolare. Por nëse nuk kemi një ose dy superfuqi, nuk do të mund kemi një rend të vetëm global. Përkundrazi, do të kemi me shumë gjasa dhe më së paku, tri rende të ndryshme botërore paksa të mbivendosura dhe i treti në këtë rast do të ketë një rëndësi të madhe për mënyrën se si do të jetojmë, se çfarë do të mendojmë, çfarë do të duam dhe çfarë jemi të gatshëm të bëjmë për ta arritur atë?
Së pari, le të flasim për gjërat kryesore. Sot kemi një rend global të sigurisë. Dhe, siç dihet, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj janë lojtarët më të fuqishëm në këtë rend. SHBA-të janë i vetmi vend në botë që mund të dërgojnë ushtarët, marinarët dhe pajisjet e tyre ushtarake në çdo cep të globit. Askush tjetër nuk është afër saj në këtë kapacitet. Kina ndërkohë po rrit aftësitë e saj ushtarake në Azi, por askund tjetër. Shumë aleatë amerikanë në Azi janë të shqetësuar për këtë. Dhe si pasojë, ata po bëhen më të varur nga Shtetet e Bashkuara për një ombrellë sigurie. Me pushtimin rus të Ukrainës, aleatët amerikanë në Evropë po bëhen gjithashtu më të shqetësuar dhe më të varur nga Shtetet e Bashkuara dhe një NATO e udhëhequr nga SHBA-të. Ushtria ruse, sigurisht, ka qenë dikur një shqetësim i madh global, por sot është shumë më pak e tillë, sidomos tani që ka humbur disa qindra mijëra trupa dhe shumë pajisje ushtarake, plus sanksionet që e bëjnë jashtëzakonisht të vështirë rindërtimin e saj.
Sot, sidoqoftë Rusia dhe Kina, si dhe disa vende të tjera, kanë arritur të kenë arsenal armësh bërthamore, por për fat të mirë, duket se ende është një vetëvrasje përdorimi i tyre. Si pasojë e kësaj, rendi ynë i sigurisë duket se do të mbetet akoma një rend unipolar edhe për dekadën e ardhshme. Ndërkohë që kemi një rend sigurie, kemi gjithashtu edhe një rend global ekonomik. Dhe këtu, fuqia ndahet përsëri: Shtetet e Bashkuara janë ende një ekonomi globale shumë e fuqishme. Por SHBA-të nuk mund ta përdorin pozicionin e tyre dominues ushtarak për t’u thënë vendeve të tjera çfarë të bëjnë ekonomikisht. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara dhe Kina janë jashtëzakonisht të ndërlidhura ekonomikisht, por nuk mund ta kontrollojnë njëra-tjetrën, edhe pse sot marrëdhëniet tregtare SHBA-Kinë janë në nivelin e tyre më të lartë në histori. Sot, vende të tjera të botës, po kërkojnë qasje te fuqia ushtarake amerikane, por gjithashtu duan qasje edhe në tregun kinez, që shpejt, deri në vitin 2030, ka të ngjarë të jetë më i madhi në botë. Por kjo nuk mund të ndodhë, pasi një “luftë potenciale e ftohtë” nuk mund të jetë subjekt vetëm për Kinën dhe SHBA.
Aktualisht, Bashkimi Evropian ka tregun e përbashkët më të madh në botë dhe ata i vendosin vetë rregullat e tyre. Kushdo që do të bëjë biznes të suksesshëm atje, u përmbahet atyre rregullave. Nga ana tjetër, India po luan një rol gjithnjë e më të madh ekonomik në skenën globale. Japonia gjithashtu ka ende rëndësinë e saj. Pra, edhe pse gjatë dhjetë viteve të ardhshme, do të ketë ngritje dhe rënie të kapaciteteve relative të këtyre ekonomive, “rendi ekonomik global” është dhe do të mbetet një rend multipolar. Aktualisht, mes këtyre dy rendeve ka tensione, sepse Shtetet e Bashkuara gjithsesi do të përdorin fuqinë e tyre të sigurisë kombëtare për të tërhequr më shumë ekonomitë e aleatëve dhe të botës në tërësi, drejt tyre. Dhe ne tashmë po e shohim këtë duke filluar të ndodhë për materialet gjysmëpërçues, për minerale kritike, për “TikTok”, për kanalin e Panamasë, për Groenlandën etj., etj..
Kinezët nga ana tjetër po përpiqen të përdorin pozicionin e tyre dominues komercial për t’u harmonizuar diplomatikisht më shumë me botën. Edhe Japonia, Evropa, India dhe të gjithë të tjerët do të bëjnë gjithçka që munden për të siguruar që asnjë nga këto dy rende të mos dominojë tjetrin. Pasi folëm për dy rendet botërore tradicionale që jemi mësuar t’i identifikojmë më lehtësisht, mund të themi se ekziston edhe një rend i tretë që po vjen me shpejtësi, e që ka për të qenë edhe më i rëndësishmi! Dhe ky është rendi dixhital. Ky rend nuk drejtohet nga qeveritë, por nga kompanitë e teknologjisë. Të gjithë e dimë se sa mbështetje ushtarake vendet e NATO-s i kanë dhënë Ukrainës gjatë luftës. Por janë kompanitë e teknologjisë, ato që i kanë ofruar mjetet që i lejojnë Ukrainës të mbrohet nga sulmet kibernetike dhe ushtarake ruse. Janë kompanitë e teknologjisë që u dhanë liderëve ukrainas aftësinë për të komunikuar me gjeneralët dhe ushtarët e tyre në front. Po të mos ishte për këto kompani teknologjike, Ukraina mund të kishte dalë plotësisht jashtë linje brenda disa javësh nga fillimi i luftës. As Presidenti Zelensky zor se do të ishte ende aty sot. Ishin Kompanitë e Teknologjisë që përcaktuan edhe që kandidati presidencial Donald Trump të komunikonte, në kohë reale dhe pa filtra, me qindra miliona njerëz, ndërsa garonte përsëri për presidencën në kushte sulmi e kufizimi nga të gjithë.
Edhe në Shqipëri, kjo është një temë e ditës gjatë garave të rivalitetit politikë midis pushtetit dhe opozitës dhe në debatin publik të viteve të fundit. Ndërkohë, sot eksitojnë edhe platformat e mediave sociale, kontrolli politik dhe i interesave mbi to, si dhe aftësitë e tyre për të promovuar jo vetëm informim, por edhe dezinformim e teori konspiracioni. Shembujt janë të shumtë: si trazirat në Capitol Hill SHBA, protestat e kamionistëve në Ottaëa/// Kanada, revoltat në Brazil, qëndrimi ndaj pandemisë COVID-19 etj.. Duket se aktualisht kompanitë e teknologjisë gjithnjë e më shumë po përcaktojnë sot fatin, qëndrimet dhe identitetet tona. Kur unë dhe brezi im ishim fëmijë, ishte natyra, familja apo edukimi që përcaktonte identitetin tonë. Por sot, identitetet tona dhe të fëmijëve, të rinjve dhe të studentëve tanë përcaktohen jo vetëm nga natyra, familja e edukimi, por sidomos nga algoritmet. Shkurt nëse doni të sfidoni sistemin sot, nuk mund të vini thjesht në pikëpyetje autoritetin, siç na thuhej neve përmes edukimit, dikur kur ishim të rinj. Sot, shoqëria duket se duhet të vërë seriozisht në pikëpyetje vetë algoritmin dhe ky është një volum i jashtëzakonshme pushteti që po kalon pa zhurmë në duart e kompanive të teknologjisë.
Pyetja e radhës pra është: Çfarë do të bëjnë këto kompani me gjithë këtë pushtet? Sepse nga kjo duket se varet se si do të jenë fëmijët, studentët e të rinjtë tanë kur të rriten e pavarësohen. Kjo gjë po përcakton vetë të ardhmen e shoqërisë dhe të botës! Por, nëse Kina dhe Shtetet e Bashkuara përpiqen të ushtrojnë sa më shumë presion e pushtet mbi “botën dixhitale” dhe “kompanitë e teknologjisë”, kjo do të thotë se në shumë vende, këto kompani do të harmonizohen, gëlltiten ose shkrihen me qeveritë, njësoj siç ka ndodhur në Shqipëri, ku shteti ka marrë plotësisht në dorë këtë rol. Kjo do të na imponojë që të përfundojmë shumë shpejt në një “luftë të ftohtë ideologjike dhe teknologjike” fillimisht mes vetes. Por kjo do të thotë edhe që “rendi digjital” do të fragmentohet dhe çahet më dysh si brenda çdo vendi, edhe në nivel global! Nëse, nga ana tjetër, kompanitë e teknologjisë vazhdojnë të zhvillohen me modele globale biznesi, ndërsa ne ruajmë konkurrencën midis botëve digjitale dhe fizike, do të kemi me shumë gjasa një “globalizim të ri”, dhe një rend global digjital.
Por, nëse rendi digjital bëhet gjithnjë e më dominues globalisht, ndërsa qeveritë gërryhen në aftësinë e tyre për të qeverisur, kompanitë e teknologjisë do të bëhen natyrshëm, gjithmonë e më shumë, aktorë dominues në skenën globale në çdo aspekt të jetës dhe do të kemi një rend tashmë teknopolar. Kjo do të përcaktojë në fund nëse do të kemi një botë plot mundësi të pakufizuara, apo një botë pa liri. Problemi qëndron se askush nuk ka sot një “buton pauze” si garanci për këto teknologji shpërthyese sa shpresëdhënëse, aq edhe përçarëse. Mjafton të themi për shembull se sot në nivel global ka jo më shumë se rreth 100 njerëz që kanë njohuritë dhe teknologjinë për të krijuar një “virus të ri të lisë”. Mos harroni ndërkohë mësimet e pandemisë globale COVID-19. Këta gjeni dhe titanë të teknologjisë nuk janë thjesht burra që vlejnë 50 ose 100 miliardë dollarë, ose më shumë. Ata po bëhen gjithnjë e më shumë njerëzit më të fuqishëm në planet dhe me ndikim mbi të ardhmen tonë e të botës në tërësi!
Ndaj ne kemi të drejtë dhe duhet të dimë sot:
– A do të sillen ata me përgjegjësi ndërsa zhvillojnë “inteligjencë artificiale” të re dhe të fuqishme?
-Çfarë do të bëjnë ata me këtë sasi të paparë të të dhënave që po mbledhin për ne dhe për mjedisin tonë? Si do të na impaktojë kjo ne?
Por, ajo që duhet të na shqetësojë më shumë të gjithëve ne tani është:
– A do të vazhdojnë ata të gjenerojnë të ardhurat me këto modele ekzistuese reklamash, duke i kthyer qytetarët thjesht në produkte dhe numërorë, e duke nxitur njëkohësisht urrejtje dhe dezinformim, për ta copëtuar dhe fragmentuar fare shoqërinë tonë? Mos harroni se kur unë dhe brezi im ishim studentë në fund të viteve ‘80 dhe prag të viteve ‘90, kohë kur ra edhe “Muri i Berlinit”, Shtetet e Bashkuara ishin eksportuesi kryesor i demokracisë në botë. Jo gjithmonë me sukses. Shpesh ndoshta edhe në mënyrë hipokrite. Por sidoqoftë aleati ynë strategjik në demokraci, ishte numri një në botë dhe ne i besonim gati verbërisht, plot shpresë e optimizëm.
Por, sot është fakt se, Shtetet e Bashkuara janë bërë edhe eksportuesi kryesor i interesave dhe mjeteve të teknologjisë se re, që (me ose pa dashje) po rrezikojnë të venë në pikëpyetje vetë demokracinë dhe vlerat e saj. Çështja është se a janë të ndërgjegjshëm udhëheqësit e teknologjive të reja që po krijojnë dhe kontrollojnë këto mjete për rolin dhe përgjegjësitë e tyre? A janë ata në rregull me zhvillimet që çdo vend dhe bota po marrin në këtë aspekt? Apo do të bëjnë diçka në lidhje me këtë gjë? Ne kemi të drejtë dhe duhet ta dimë së çfarë po ndodh e do të ndodhë në fillim të epokës Trump! Betimi i Presidentit Trump sot ndërkohë na ka futur zyrtarisht në një epokë të re: plot mundësi, sfida, por edhe paqartësi. Le të shpresojmë e kontribuojmë për më të mirën! Por krahas partneriteteve strategjike globale, na duhet të mendojmë seriozisht dhe zhvillojmë me shpejtësi edhe sistemet tona tësigurisë, ku dimensioni global vendoset në balancë me sovranitetin dhe interesin kombëtar! Epoka e re nuk e toleron naivizmin dhe ligjet me 100% vota.