Organizata policore europiane e luftës kundër krimit “Europol” ka goditur një bandë kriminale të trafikut të lëndëve narkotike, e cila shtrinte veprimtarinë e saj në shtete të ndryshme.
Europol në bashkëpunim me autoritetet spanjolle shkatërroi një rrjet të gjerë të trafikut të drogës, të përbërë nga shtetas shqiptarë, spanjollë, kolumbianë dhe bullgarë.
Anëtarët e bandës organizuan trafikimin e sasive të mëdha të kokainës nga vendi i origjinës në Evropë.
Mësohet se gjatë operacionit anti drogë janë sekuestruar 6 ton kokainë dhe 6 milionë euro.
Hetimi për këtë rrjet kriminal përfshiu Bullgarinë, Kolumbinë, Kosta Rikën dhe Panamanë, dhe ka nisur që në qershor të vitit 2022.
“Anëtarët shqiptarë, me qendër në Dubai, vepruan si investitorë dhe siguruan financat e nevojshme për të paguar prodhuesit për dërgesat nga Kolumbia”, thotë Europol, ndërsa shtetasit kolumbianë trajtonin dërgesat nga Kolumbia në Evropë, shtetasit bullgarë, kolumbianë dhe spanjollë mbikëqyrnin marrjen dhe shpërndarjen e mëtejshme të drogës.
Nga hetimet policore, ka rezultuar se anëtarët e rrjetit u fshehën në një kontejner për të hyrë fshehurazi në port dhe me ndihmën e punëtorëve të korruptuar nxorrën kokainën gjatë natës.
Europol thotë se anëtarët e rrjetit pastronin të ardhurat nga krimet e tyre dhe sipas policisë rrjeti kriminal kishte kapacitet për të marrë deri në një ton kokainë në javë.
Në rezultatet e aksionit, të realizuar në tre faza, midis dhjetorit 2024 dhe janarit 2025 Europol thotë se janë kryer 22 arrestime në Spanjë si dhe 27 bastisje shtëpish.
Europol thotë se krahas sasive të drogës sekuestroi 6.5 milionë euro cash, 35 automjete, përfshirë 8 makina luksoze (vlerësuar rreth 2.5 milionë euro), orë luksoze dhe stoli ( vlerësuar rreth 1.5 milionë euro) 48 armë si dhe 53 llogari bankare të ngrira nëpër banka.
Sipas Europol rritja e dërgesave të kokainës nga Amerika e Jugut në Evropë, si dhe depërtimi i rrjeteve kriminale në biznese të ligjshme dhe të paligjshme në Bashkimin Europain nxiti krijimin e një Task Force Operacionale në Europol.
Europol tha se koordinoi gjatë hetimit, shkëmbimin e informacionit midis autoriteteve kombëtare, duke i bashkuar ato për të synuar në mënyrë efikase të gjithë rrjetin e trafikut të drogës.