Zbulohet partia e Lulzim Bashës, me të cilën po përgatitet të garojë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Bëhet fjalë për Partinë Konservatore, të cilës do t’i ndryshohet emri në “Koalicioni Euroatlantik”.
Kërkesa për ndryshimin e emrit është paraqitur në gjykatë nga Endri Hasa, një prej politikanëve besnikë të Bashës që prej ndarjes së madhe me Partinë Demokratike.
Media siguron dokumentin e dorëzuar në Gjykatë. Vetë Basha nuk do jetë kryetari i partisë ‘Koalicioni Euro-Atlantik’, por atë do ia besojë Endri Hasës, një prej njerëzve më besnikë të tij. Në dokumentin e siguruar nga gazetarja Danjela Maloku, thuhet se Konservatorët e kanë mbledhur Kongresin më 7/10/2024 dhe kanë vendosur t’ia japin partinë Bashës. Ndërkohë, kërkesa në Gjykatën e Tiranës është depozituar më datë 14 janar 2025.
Siç është raportuar, Basha pritet të hyjë në zgjedhje në koalicion me disa parti të tjera opozitare, ndërsa deri tani ka marrë mbështetjen e Dashamir Shehit, e ky i fundit kërkon të afrojë edhe Enkelejd Alibeajn.