Kryeministri Edi Rama ka shpallur krijimin e Shtetit Bektashi gjatë aktivitetit për 95-vjetorin e vendosjes së Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve në Shqipëri.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri deklaroi se askush s’ka pse i trembet idesë së këtij statusi të posaçëm të Selisë së Kryegjyshatës Botërore.
“Gjithkush duhet ta shohë si detyrim për të mos e lënë të vdesë dhe për ti garantuar vazhdimësinë e jetës, frymës së ngjizur në fletoren e bektashinjve të shkruar nga Naim Frashëri, dora vetë”, tha kreu i qeverisë.
Edi Rama: Askush që flet shqip dhe që është shqiptar prej vërteti, se ka edhe disa që flasin shqip dhe Allahu na ruajt ne prej tyre, dhe Allahu u bëftë derman mendjes së tyre, por shyqyr Allahut dhe lavdi Zotit janë pak shumë.
Askush s’ka pse i trembet idesë së kësaj embleme, të këtij statusi të posaçëm të Selisë së Kryegjyshatës Botërore, përkundrazi gjithkush duhet ta shohë si detyrim për të mos e lënë të vdesë dhe për ti garantuar vazhdimësinë e jetës, frymës së ngjizur në fletoren e bektashinjve të shkruar nga Naim Frashëri, dora vetë, dhe si udhërrëfyes kuptimplotë për këdo që do të kuptojë pa u munduar fare dhe në këtë rast këtë ua sugjeroj analistëve që përgjithësisht nuk duan të mundohen për të kuptuar.
Dhe ngaqë nuk kuptojnë pa u munduar, flasin pastaj shumëçka që është t’ju ridrejtuar Allahut me lutjen që t’ju bëjë derman edhe për mendjen e tyre. Fletoren e Bektashinjve lexohet shpejt dhe t’i thotë të gjitha ato që ke nevojë për të mos u ngatërruar dhe për të mos i vendosur shkopinjtë në rrota një karvani që i ka ardhur koha të ndalet dhe të hapë këtë portë të shpëtimit dhe prosperitetit krah për krah me komunitetet e tjera për komunitetin bektashi.
Kreu i qeverisë deklaroi se bektashizmi është një thesar shpirtëror jo vetëm për bektashinjtë, por për të gjitha komunitetet fetare në vend.“Bektashizmi këtu nuk mund të vdesë si një jetim që shqiptarët i tregojnë rrugën”, theksoi ai.
Ndërsa shtoi se “do të ishte vrasja me duart tona e të gjithëve ne e një vlerë shpirtërore që siç është brenda nesh sot duhet ti përcillet brezave”.
Edi Rama: Ka një arsye pse këtu u bë trualli i mbijetesës së një komuniteti fetar që përndryshe do të ishe zhdukur. Nuk është thjesht një fakt historik, për shqiptarët ky është një testament kombëtar.
Është testament i një fuqie që nuk vjen nga ndarjet për shkak se ne jemi të ndryshëm, por vjen nga uniteti i të ndryshmëve për shkak se ne jemi një lloj shqiptarë.
Bektashizmi është një thesar shpirtëror jo vetëm për bektashinjtë, por edhe për myslimanët, edhe për katolikët, ortodoksët, e për çdokënd tjetër që nuk beson në Zot, por i thotë vetes shqiptar.
Të gjithë të tjerët janë me shumë vëllezër e shumë motra, nga një cep i globit në një cep tjetër, bektashinjtë janë vetëm. Dhe nëse erdhën këtu 95 vite më parë si jetimë, të një perandorie që iu tregoi derën, bektashizmi këtu nuk mund të vdesë si një jetim që shqiptarët i tregojnë rrugën.
Sepse do të ishte vrasja me duart tona e të gjithëve ne e një vlerë shpirtërore që siç është brenda nesh sot duhet ti përcillet brezave.