Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë ka reaguar pas ndarjes nga jeta të kryepeshkopit Anastas Janullatos, i cili u shua në moshën 95-vjeçare, pasi shfaqi probleme shëndetësore.
Kisha Ortodokse njofton se Kryepeshkopi është ndarë nga jeta mëngjesin e sotëm në Spitalin “Evangelismos” të Athinës, si pasojë e funksionimit të pamjaftueshëm të shumë organeve.
Ndërsa u bëri thirrje besimtarëve ortodoksë të Kishës së Shqipërisë të luten për prehjen e shpirtit të Kryebariut të ndjerë.
“Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas, ishte rindërtuesi dhe rigjallëruesi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, të cilën e ngriti tërësisht nga rrënojat pas rënies së regjimit ateist. Me vizionin hyjnor dhe punën e tij të palodhur, ai rindërtoi nga themelet jetën kishtare, ndërtoi qindra kisha, krijoi institucione arsimore dhe bamirëse, si dhe formoi një brez të ri klerikësh, duke ofruar një shërbesë të pandërprerë e sakrifikuese për më shumë se 33 vjet”, shkruhet në postim.