Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka vënë theksin te rëndësia e zgjidhjes së problemit të pronave, të cilin e cilëson si një nga barrierat kryesore për zhvillimin ekonomik dhe demokratik të vendit.
Në një postim në Facebook, Basha shkruan se keqpërdorimi i pronave nga qeveritë e kaluara për interesa politike dhe ekonomike, si dhe burokracitë, kanë ushqyer pasigurinë pronësore. Ai më tej shprehet se kryeministri aktual pati çdo pushtet në dorë dhe ka dështuar për 12 vite të ofrojë një zgjidhje për këtë çështje jetike.
Sipas tij, zgjidhja e qëndrueshme mund të vijë vetëm përmes një programi serioz, të propozuar nga Demokratët Euroatlantikë, i cili përfshin: kthimin dhe kompensimin e menjëhershëm të pronave, regjistrimin e drejtë dhe transparencën në këtë proces.
Postimi i plotë i Bashës:
“Problemi i pazgjidhur i pronave ka penguar për dekada zhvillimin ekonomik dhe demokratik të Shqipërisë
Toka dhe pasuritë e patundshme janë shfrytëzuar në mënyrë sistematike për përfitime politike dhe ekonomike, ndërsa korrupsioni është përdorur për të ushtruar presion mbi pronarët dhe ka nxitur konflikte ligjore.
Pa zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjata, pasiguria pronësore do të vazhdojë të pengojë zhvillimin kombëtar. Këto zgjidhje nuk mund të vijnë nga kryeministri aktual, që në 12 vite pati çdo pushtet në dorë për t’i dhënë fund problemit të pronës, por i shërbeu vetëm interesave klienteliste.
Zgjidhja e kësaj çështje jetike mund të vijë vetëm përmes një ndryshimi të vërtetë më 11 maj, përmes një vote që mbështet një program serioz për reformën e pronës, fryt i punës së ekspertëve më të mirë vendas dhe të huaj.
Programi i Demokratëve Euroatlantikë parashikon:
Zgjidhje të menjëhershme, pa burokraci;
Kthim të menjëhershëm të pronës aty ku është e lirë;
Kompensim me vlerë tregu ku është zënë;
Lëshim të obligacionit/bonove nga shteti, që paguhen çdo vit me 1/20 e vlerës;
Regjistrim i pronave me parimin Uti Posidetis, secili mban atë që ka.
Përfundimi i kësaj reforme themelore çel një perspektivë të re ekonomike, shoqërore dhe demokratike për familjet dhe sipërmarrjen e ndershme shqiptare.
Shqipëria meriton më shumë