Sfida e radhës pas anëtarësimit të Shqipërisë në SEPA është përmbushja e hapave të nevojshëm nga bankat e nivelit të dytë për t’u anëtarësuar në skemat SEPA, duke filluar nga prilli i këtij viti, me qëllim që të gjitha përfitimet të materializohen dhe të bëhen pjesë e përditshmërisë të qytetarëve, bizneseve dhe gjithë aktorëve të tregut”. Gjatë workshopit “Aspektet teknike dhe ligjore të lidhjes me skemat SEPA”, zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, Luljeta Minxhozi i inkurajoi bankat të përmbushin këtë objektiv, si proces që varet vetëm nga këto institucione financiare.
“Pavarësisht se ky rrugëtim është individual, ai kërkon një angazhim maksimal dhe bashkëpunim midis jush që të kryhet në mënyrë efikase dhe të shpejtë. Më lejoni t’ju sjell në vëmendje se anëtarësimi në SEPA për secilin nga ju sjell një dimension të ri në të ardhmen e shërbimeve që ju ofroni. Përtej benefiteve që kemi përmendur në vazhdimësi për qytetarët, bizneset dhe ekonominë në tërësi, ky anëtarësim ju vendos në pozicion avangard krahasuar me vendet e tjera të rajonit ku ju jeni prezentë, por që nuk janë ende në SEPA. Nga ana tjetër, anëtarësimi në SEPA po krijon parakushtet e nevojshme për përgatitjen tuaj, në kuadër të integrimit të plotë të vendit në BE”, – tha Minxhozi.
Ofrimi i një produkti të ri, sipas Minxhozit duhet të shoqërohet edhe me angazhimin për projekte të reja në fushën e pagesave.
“Në këtë drejtim gjej rastin të theksoj edhe nevojën për angazhimin tuaj maksimal në projektet e tjera në fushën e pagesave si open – banking dhe, së fundmi, instant payment. Këto projekte janë pashmangshmërisht të ndërlidhura me përgatitjen e tregut tonë për të ardhmen evropiane dhe inovacionin e nevojshëm që ju duhet të zotëroni për të përballuar konkurrencën”, – tha Minxhozi.
Shqipëria u anëtarësua në SEPA vitin që shkoi, ndërkohë që sipas afateve bankat e nivelit të dytë do të duhet të jenë gati për të kryer pagesa në zonën unike të pagesave euro, në tetor 2025. SCAN