Nëse më parë qëndrimi në një shtëpi me të atin kishte qenë i vështirë për Ornelën, motrat e nënën e saj, Nurien, divorci i përkeqësoi gjërat. Pas tij, gjykata vendosi që vajzat do të qëndronin me nënën, por në të njëjtën shtëpi me të atin për njëfarë kohe.
Gjatë kësaj periudhe, ai nuk i reshti përpjekjet për t’ua vështirësuar sa më shumë situatën. Ornela tregoi në “Ka Një Mesazh Për Ty” për sjelljen e tij, tradhtinë, martesën me një grua tjetër që e solli në këtë shtëpi e njëkohësisht vazhdonte letërkëmbimin me zonjën nga Korça dhe në fund, gjeti mënyra për ta blinduar shtëpinë.
Ornela kujton në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan kushtet primitive që iu desh të përshtatnin sepse babai bllokoi dyert që vajzat e Nuria mos të lëviznin nëpër shtëpi.
Ornela: Gjykata vendosi që shtëpia t’i mbetej atij dhe ne të vendoseshim aty provizorisht. Ishte shumë e çuditshme që një çift të rrinë të ndarë në një shtëpi.
Ardit Gjebrea: Po si ndenjët ju?
Ornela: Kur shkuam ne në shtëpi, ai kishte dhomën e gjumit, korridorin dhe tualetin, kurse ne kishim kuzhinën, aneksin dhe ballkonin.
Ardit Gjebrea: Po tualeti?
Ornela: Jo, nuk kishim.
Ardit Gjebrea: Po si do të shkonit në tualet ju?
Ornela: Nuk… ne kishim vetëm gjëra primitive. Nuk na e hapte derën, ai na e mbylli derën e kuzhinës nga jashtë.
Ardit Gjebrea: Po ju nga dilnit?
Ornela: Neve, për fatin tonë të mirë, shtëpia ishte pallat dhe në kat të parë, ne vendosnim një karrige te ballkoni dhe hidheshim jashtë.
Ardit Gjebrea: Pra futeshit nga ballkoni në shtëpi, jo nga dera.
Ornela: Nga ballkoni.
Ardit Gjebrea: Për sa kohë zgjati kjo?
Ornela: Kjo zgjati për 3 vite e gjysmë.
Ardit Gjebrea: Jo!
Ornela: Po, po, po. Ndërkohë që ai bënte tentativa që ne të iknim…
Ardit Gjebrea: Më fal, ai ishte me atë nga Kavaja?
Ornela: E solli pasi mbylli derën, pasi u bë divorci, pasi gjykata më caktoi mua me mamin dhe ne të treja u vendosëm aty në kuzhinë, ai e solli atë gruan, u martua me të dhe ne gjithmonë, ajo motra e vogël e shikonte nga vrima e çelësit, shikonte atë çunin, shikonte familjen e re të babit dhe thoshte “o mami, si po i thërret babi, është babi jonë?”
Ornela nuk ruan kujtime të bukura me të atin, nuk mban mend as ndonjë çast dhembshurie e dashurie prej tij. Marrëdhënia e tij dhe e vajzave ishte kthyer në një interes të njëanshëm kur dera e kuzhinës hapej vetëm që ato të bënin punët e shtëpisë në pjesën e tij. Një ditë, vajza e vogël bëri një ‘krim’ të pafalshëm.
Ornela: Një ditë e hapi dhe tha “më bëni pak punët” dhe iku në punë, mami ishte në punë dhe vazhduam. Motra e vogël, ajo ishte e vogël, hyri në dhomën e tij dhe pa një fotografi. Aty në mur ishte fotografia e Zanës.
Ardit Gjebrea: Nga Korça.
Ornela: Po. Motra mori karrigen, mori fotografinë dhe e grisi. Ardit, për mua ka qenë shumë, shumë e vështirë, më dridheshin gjunjët nga frika. Dola të kërkoja vinovil ta ngjisja se kishim shumë frikë se çfarë do të na thoshte babi.
Ardit Gjebrea: E ngjite?
Ornela: Gjeta e ngjita, po, ai kur erdhi e kuptoi, nuk ndodhi gjë për fatin tonë të mirë se kishim bërë vërtet një krim./tvklan.al