Votimi elektronik pritet të shkaktojë tensione mes Mazhorancës dhe opozitës në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve.
Partia Demokratike është kundër përdorimit të tij në zgjedhjet e 11 majit, duke e konsideruar procesin të manipuluar dhe të pabesueshëm.
PD do të kundërshtojë votimin elektronik në çdo qark për zgjedhjet e 11 majit.
‘’Sigurisht që i qëndrojmë asaj që ne kemi shprehur më përpara KQZ dhe kemi një qëndrim të palëkundur që ky proces nuk mund të implementohet në këto zgjedhje’’, tha Ivi Kaso në një intervistë për oranews.
‘’Për shkak të mos adresimit të problematikave të shumta që ky proces ka patur në zgjedhjet e fundit për organet e qeverisjes vendore, problematika të cilat kanë ngelur të pa adresuara dhe mos hetimi i tyre dhe mos dhënia përgjigje mbi gjithçka që është ngritur nga opozita dhe kandidatët e ka minuar thellësisht besimin e një pjese të mirë të zgjedhësve në këtë proces që është shumë delikat dhe mbi të gjitha kërkon besim.
KQZ ende nuk ka vendosur se në cilat qarqe qyetetarët shqiptarë do të mund të votojnë në mënyrë elektronike për zgjedhjet parlmentare të 2025.
Në zgjedhjet lokale të 2023 bashitë Vorë, Kamëz dhe Elbasan votuan në mënyrë elektronike ku rezultati doli disa orë pas mbylljes së qendrave të votimit.
Votimet në të tre bashkitë u kontestuan nga PD duke thënë se sistemet janë lehtësisht të manipulueshme, por një gjë e tillë është hedhur poshtë vazhdimisht nga KQZ.