Katër vite më parë, Anna Gjebrea nisi rrugëtimin e saj në muzikë dhe tanimë ka sjellë mini-albumin e saj të parë, “I don’t wanna wait”. Ajo ka ndryshuar edhe emrin artistik që e ka kthyer në Brea duke u bazuar te katër shkronjat e fundit të mbiemrit.
Në programin “Rudina” në Tv Klan, Anna, ashtu siç e njohim të gjithë tregoi edhe dimensionet e saj përtej muzikës. Ajo po shijon adoleshencën, muzikën dhe nuk lë mënjanë as mësimet dhe dy drejtimet më të mundshme për studimet e larta sheh artet apo drejtësinë.
Ndërkohë, Anna na rrëfen edhe për raportin me babain, Ardit Gjebrean. Ajo kujton me humor kërkesën e saj herën e fundit që ishte në studion e “Rudinës”, ndërsa tani ka një sfidë për të atin.
Anna Gjebrea (Brea): Herën e kaluar që kam qenë këtu kam thënë që nuk e doja babin në xhirime, por që kësaj radhe në fakt kam përshtypjen që e dëgjoi atë që thashë unë këtu dhe ua ka lënë profesionistëve në dorë që të merreshin me videoklipin dhe ka qenë vetëm një shtysë e mirë për mua, por në fakt e kam një sfidë të hapur me babin, pasi sa herë shkoj në shtëpi, unë kam filluar kompozoj edhe vetë në piano…
Rudina Magjistari: Vërtet?
Anna Gjebrea (Brea): Po, është diçka që e shijoj pafund pasi kush nuk do të donte që të bënte këngët e veta. E marr babin, jam në shtëpi, kam bërë një këngë të re, babi kur do të vish nga puna? Ora 8 e darkës, “ja zemra e babit se do të vij për pak”. Ora 11, vjen babi në shtëpi, hap laptopin dhe fillon punën. O babi, po kënga? “Po prit se do të merrem me ‘Këngën Magjike’”. Më shumë u kushton rëndësi këngëtarëve të “Këngës Magjike” sesa këngëtares që ka në shtëpi.
Teksa në ekran shfaqen edhe disa foto familjare, Anna tregon se cilat janë karakteristikat më të ngjashme me prindërit e saj.
Nga Ardit Gjebrea, ajo u shpreh se ka marrë “padyshim talentin për muzikën” ndërsa nga mami Anila “zgjuarsinë dhe vullnetin”./tvklan.al