NGA ERMIR NIKA
Ne ndiqnim ritualin tonë sa herë takoheshim përgjatë gjithë viteve të miqësisë sonë. Ai i kushtonte një rëndësi të veçantë çdo takimi me miq, të njohur apo me lexues që dëshiroin ta njohnin nga afër, apo edhe thjesht t’i merrnin nënshkrimin mbi librat e tij. Rrallë herë mund të kujtoj ndonjë takim, ku biseda jonë të mos trazohej nga ndërhyrjet e befta të dashamirësve apo lexuesve të tij. Tryeza e Kadaresë ruante gjithmonë të njëjtën pamje; filxhanin e kafes gati në të mbaruar, shishen e përgjysmuar të ujit, hapësirën e më të madhe e zinin shtypi i ditës, ndonjë dorëshkrim i ngacmuar me korrigjime dhe plotësime të tekstit me bojë të kuqe, si edhe librat që nënshkruante gati çdo ditë me rapitografin që e nxirrte nga xhepi i brendshëm i xhaketës.
Në këto kohë, pas largimit të tij për në amshim, jo pa pështjellim gjej shtegun e fshehtë për t’iu shmangur idesë se kjo skenografi e ndërtuar për vite me rradhë, tashmë ka rënë. Nuk mundem më ta gjej as në Bar – Juvenilja dhe as në vilën e tij në Qerret të Kavajës shumë pranë bregut të detit.
Atë pasdite të nxehtë fillimvere, u nisa ta takoja pikërish në vilën e tij buzë detit, ku veronte deri në pragun e vjeshtës. Një tipar i pandryshueshëm që ai respektonte dhe e kërkonte tek gjithëkush, ishte korrektësia, Aq sa nganjëherë ora e tij e cila ishte gjithmonë e përpiktë, më përngjante me kronometrin e trajnerit tim të atletikës, objekt i cili para së gjithash më mësoi të isha gjithmonë në vendin e duhur, saktësisht në kohën e duhur. Këtë veti të fituar nga koha kur ushtrohesha si atlet pranë Klubit Sportiv “17 Nëntori”, mundohem me të gjitha mundësitë ta ruaj edhe sot, kur udhëtimet janë bërë gjithmonë e më të gjata dhe qëndresa më të shkurtra dhe për rrjedhojë, rikthimet gjithmonë e më të pamundura.
Nuk është fort e lehtë të pranosh që e shkuara, është e vetmja materie e kujtesës. Me gjasë, është pikërisht kjo hapësirë, të cilën njeriu nuk e mat dot as me fjalë e as edhe me periudha sepse gjithçka fundoset veçse aty! Gjithmonë kam besuar si një fëmijë kryeneç, se e kaluara rikthehet në forma të tjera por mbase për këtë mbeten vetëm kujtimet si e vetmja lundër që i risjell dhe i largon nga brigjet e prekura nga ecejaket rutinore.
Ende i përmbahem bindjes se tek unë, nuk ka mbërritur ende koha të hedh kujtime, sa kohë ato i kam të renditura në kujtesën, të vetmen vendprehje nga ku i jap shumë intepretime dukurive që kam përjetuar.
Por ja, nganjëherë me ngjan se ndonjë fletë e kapitulli e atyre çka kam përjetuar, shkëputet dhe si në sonambul, zbardh dhe risjell atë trupëzim që duket se është mumifikuar diku brenda meje.
Shumë miq e kolegë, shpesh e më shpesh më kujtojnë faktin se duhet të shkruaj e të shprehem rreth atyre viteve dhe ngjarjeve që ndava me shumë kolegë të letrave dhe në veçanti, me emblemat e saj. Këtë gjë ma ka vënë në pah, jo vetëm një herë, edhe vet Kadareja, teksa takohesha me të dhe bisedonim rreth shumë episodeve me shkrimtarë apo etapa ku kishte kaluar jo pa mundim jeta dhe krijimtaria e poetëve dhe prozatorëve shqiptarë. Ai mëse njëherë, bënte gjestin e tij në fund të takimeve, me dorën që dukej sikur shkruante në ajër:
- Mos harro – shkruaji këto që më the – duhet të mbeten sepse je shkrimtar dhe mbi të gjitha ke patur një rol që ke qenë protagonist në shumë ngjarje. Ti je njeriu që ke mundur të takosh e të flasësh me shumë shkrimtarë dhe nesërmja ngrihet e patundur vetëm mbi të vërtetën.
- Patjetër – i përgjigjesha unë teksa dëgjoja këto këshilla nga shkrimtari që admiroja më shumë – do ta bëj një ditë.
- Ti dhe kushdo që do të ishte në vendin tënd, do ta kishte detyrë të mos i lënë të vdesin e të harrohen ato me të cilat je ndeshur dhe ke njohur përgjatë viteve të tua.
Dhe ashtu ndaheshim duke tundur duart në ajër si vetmja shenjë se do të rishiheshim sërish, jo fort larg. Do të takohemi sërish sapo të kthehemi nga Parisi – dhe ashtu largohej thuajse gjithmonë.
Tanimë ikjet e tij kanë mbetur pakthim. Të vetmet udhë ritakimesh me të, kanë mbetur librat e tij dhe kujtimet që i ndërtoj gjatë ditës dhe pakujtuar, më duket sikur me shemben brenda natës. Nganjëherë mendoj se më trembin rrëpirat e krijuara në kaq shumë vite, ku zukatin ditët e kaluara. Dikur do të më duhet t’i ngre me krejt fuqinë në lartësinë e dritës. Nganjëherë më bëhet sikur dorëzohem dhe nuk mundem t’i jap përgjigje kësaj dileme që më ngarkon prej vitesh: Pse i jam shmangur dhe vijoj t’i shmangem këtij graviteti që të degëdis nëpër një hon që të krijon njëlloj gjëndje ankthi dhe frike ë përzier bashkë. Mbase më është dobësuar paksa forca për ta ribërë edhe njëherë atë të kaluar që më transformoi, në një qenie të ngurtë.
S’di pse sot më shpërtheu një lot që me rëkenë e tij shkroi diçka mbi faqen time. Dhe nuk e përmbajtja dot. Më duket sikur kam shkelur një betim, ose më mirë të them një pakt me veten. Dikush që deshfron hieroglifet, shoh se ndërtoi një peizash me atë që lexoi në fytyrën time.
Peneli përshkroi atë pasdite qershori,ku gjendesha në verandën e vilës së Ismailit dhe Helenës buzë detit Adriatik. Aty gjithmonë krijohej një mjedis tepër i ngrohtë dhe çdokush që e kalonte atë prag, ndihej si jo thjesht si i afërt me familjen Kadare por si i afërm i tyre. Mikëpritja ç’tendoste çdo parafytyrim apo paragjykim që çdokush kishte bartur nga njerëz të rastësishëm që hera herës, tentonin të krijonin legjenda urbane dhe prireshin për të marrë protagonizma në jetën artistike dhe sociale të Ismail Kadaresë.
Kuptoj se asnjë takim nuk më ka humbur brenda vetes. Edhe pse shpesh ndalem tek ajo pasdite ku vapa disi me kryeneçësi e dukej se po shtynte freskinë e dallgëve të mbrëmjes. Me drotën që dobësohej në atë ambient kuptohej se asnjë nuk lëviste, asnjë orendi, apo palë perdeje përveç akrepave të orës, njerëzve të shtëpisë dhe të ftuarve që në një moment ngriheshin dhe shpenguar bënin shëtitje buzë detit. Drita e pasdites po terrej dhe portretet e gjithëkujt po shndërroheshin në hije. Zërat ndërthurreshin mes tyre dhe trazonin disi qetësinë e muzgut.
Edhe atë mbrëmje po ndiqnim gati të njëjtin ritual buzë detit. Ismaili ecte me hapa të rregull dhe gjatë gjithë shëtitjes mbante gati të njëjtin ritëm, sikur hidhte këmbët në asfalt, ashtu edhe kur shkelte mbi rërën e shkrifët. Helena, gjithashtu ecte gjithmonë krah tij dhe ndërkohë sa herë hidhte vështrimin nga panorama e tjerur në kaltërsi, duket sikur fotografonte çdo çast me përqendrimin e saj romantik.
Duke ndjekur me përpikmëri itineratin e tij, Ismaili e ndërtonte bisedën e tij, aq sa jo rrallë më dukej se përshkruante një kapitull të ndonjë vepre që po hidhte në dorëshkrim. Dialogu me të shpesh më ngjante se kishte alegoritma dhe në fund të çdo dialogu, kutphej vetvetiu se nxirrnim një përfundim. Pak e nga pak çdo dilemë apo pësiatje, në fund të bisedës dukej sikur rendte drejt zgjidhjes që në thelb nënkuptonte të vërtetën. Prej tyre mu rrëzuan, ashtu si librat në raftin e sipërm të bibliotekës, këto momente përjetimi në atë rrugëtim, jo fort të gjatë por të shtrirë në kohë:
- Sot është e gabuar ideja se Letërsia Shqipe në botë përfaqësohet vetëm nga një autor. Krejtësisht e gabuar. Unë e kam ndjekur aq sa kam mundur ecurinë e botimeve të autorëve shqiptarë në gjuhë të huaj dhe me sa kam vënë re, bëhen diku 12 apo 13 autorë që sot jam botuar në vende të ndryshme të Europës. Pse thonë pastaj që botohet vetëm Kadareja?! Kjo është një marrëzi e madhe që duhet të marrë fund. Shqipëria në periudha të caktuara, i ka patur shkrimtarët në nivel të krahasueshëm me autorët e rëndësishëm europianë.
Kadaresë në natyrën e tij ishte tepër e rrallë t’i dalloje një tipar entuziazmi por për atë që pohonte, kuptohej se vinte nga një analizë e thellë që ai kryente brenda vetes. Mua më kaploi një entuziazëm për temën që sapo u hap dhe nuk doja që të kalonte si një çast rutinë. Nuk ngurrova dhe e pyeta me shumë kërshëri se cilët ishin ata autorë të Letërsisë Shqipe, të cilët kishin arritur të ecnin përkrahë zhvillimeve të letërsisë në Europë.
- Barleti – mu përgjigj. Shkroi në latinisht ashtu si elita e autorëve europianë të kohës. Pikërisht veprat që ai shkroi, kishte bindjen se i takonin kulturës elitare të Europës dhe ajo që rezultoi më pas, mbetet edhe sot një argument tepër bindës. Atij i janë referuar një pjesë e madhe e autorëve që janë marrë me temën rreth Perandorisë Atomane dhe kryesish mbi Skënderbeun. Dhe më tej vijoi bisedën:
- Pjetër Budi mbetet po aq i rëndësishëm sipas meje. Ai në poezitë e tij ka vargje të nivelit shekspirian. Po të mos harrojmë që i përkasin të njëjtës periudhë dhe kjo është lehtësisht e verifikueshme.
- Është e habitshme – ndërhyri për një çast Helena. Janë kaq e kaq vlera me të cilat kultura shqiptare është e krahasueshme me ato europiane dhe ndërkohë kaq të panjohura ende nga studiuesit në tërësi.
- Po edhe më vonë – e ngasi më tej bisedën Ismaili- kemi të njëjtin fenomen. Pra, nuk bëhet fjalë vetëm për Mesjetën. Kështu ndodhi me Lasgushin, Migjenin e jo pak të tjerë të cilët ecën në të njëjtën frymë me shkrimtarët më të njohur të kohës. Madje edhe sot. Ja unë sapo lexova dy vëllimet e Visar Zhitit ku përshkruante vitet e burgut dhe për mua janë më të arrira se kujtimet e Sollzhenicinit për persekutimin e tij në Siberi. Pse të hezitojmë t’i pranojmë këto gjëra, sa kohë janë të botuara.
Pasi e ndali bisedën dhe e zgjati vështrimi nga bregu ku nuk dukeshin më as kalimtarë, apo vozitës me varka por vetëm vija e fikur e horizontit e rinisi sërish bisedën:
- Historia e shkrimtarëve shqiptarë është nga më të çuditshmet, mbase edhe nga më tragjiket që mund të ketë letërsia e një kombi. Cili vend apo cila letërsi mund të ketë vuajtur një përndjekje të tillë për shekuj me rradhë….kujt iu është ndaluar gjuha, më pas mendimi e më keq akoma në komunizëm, iu anatemua edhe fjala. E kuptoni ç’do të thotë kjo për një komb?! Kjo në vetvete është asgjësimi i vet kombit! Dhe përsëri Letërsia Shqipe u shkruajt nga ata autorë që morën parasysh edhe persekutimin e çdo forme, deri edhe vdekjen. Më thuaj – mu drejtua mua – a ka në botë letërsi që ka mbijetuar në këto kushte….
Unë heshta pa ia ndarë për asnjë moment shikimin portretit të tij që trazohej vetëm nga rrezet e hënës së plotë/
- Unë, nuk di.
- As unë – iu ktheva.
- Ja pra, pse letërsia shqipe u lëvrua në kushte nga më të imagjinueshmet, bile nga më ç’njerëzoret, për mua mbetet një nga letësitë më të mrekullueshme në botë, madje nga më heroiket, sepse vazhdimësia e saj është mbështetur në martirizimin e shkrimtarëve të saj, të çdo periudhe, veçanërisht në atë tomane e më pas në atë totalitariste.
Vazhduam të hidhnim hapat e kthimit. Ndonëse ishim zhytyr në tis, ndieja se brenda meje ishte ndriçuar dhe fashitur një nga pasiguritë më të mëdha, vendi dhe roli jonë gati i padukëkshëm në muzeun e papërfunduar të qytetërimit europian. Kisha mbetur disa hapa prapa. Heshtjen e nderë e depërtoi sërish zëri i tij:
- Eja Ermir – eja futemi brenda. Nuk e kuptoj gjithmonë pse e ke këtë mani të qëndrosh e gjithmonë të të rrahë era. A nuk e ndien që u ftoh dhe se era në errësirë është gjithmonë e pabesë.
Më tepër se timbri i zërit tim, u përgjigj zhurma e hapave të mij, që teksa largoheshim, më bëhej se përpiheshin nga trazimi i dallgëve që na ndiqnin dhe mbulonin çdo gjurmë që i patëm lënë si kujtim rërës, atë pasdite të rënë vere, mbi Adriatik.