Ligji Zgjedhor parashikon që të gjithë qytetarët shqiptarë të marrin pjesë aktive në denoncimin e fakteve që lidhen me shkelje të procesit zgjedhor.
Sipas Nenit 123, çdo person që vjen në dijeni të fakteve ose rrethanave, që përbëjnë shkelje me natyrë administrative ose penale në fushën e zgjedhjeve, ka të drejtë të informojë drejtpërdrejt Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Por duket se dënimi i të paktën dy kryebashkiakëve së fundmi nga Gjykata e Posaçme pas kërkesës së SPAK-ut, njëri vetëm i zgjedhur dhe tjetri në detyrë për rrethana që lidheshin me ndikim në përfitime zgjedhore, ka vënë në lojë edhe Prokurorinë e Posaçme.
Burimet operative i thanë Radio Televizionit Shqiptar se brenda kësaj jave, SPAK-u do të bëjë publike strategjinë me të cilën do të synojë të parandalojë, të trembë apo të hetojë këdo që do të synojë deformimin e votës së shqiptarëve më 11 maj.
Në Kodin Penal ka një sërë nenesh që parashikojnë dënime nga 3, 5 deri 7 vjet për ata që ndikojnë, pengojnë apo shkatërrojnë materialet zgjedhore.
Shkeljet në zgjedhje, përpjekja për të ndikuar votuesit, përdorimi i burimeve të ndryshme që maksimalizojnë votat për partitë politike, janë hambar për Strukturën e Posaçme Anti-korrupsion, që do të shihet si do ta inkurajojë hetimin e shkeljeve elektorale nëpërmjet strategjisë që do të publikojë.