Avokati nga Shkodra, Gjovalin Ulndreaj ka humbur jetën në QSUT këtë të martë. Mësohet se ai u dërgua me urgjencë në spital pasi shfaqi probleme shëndetësore gjatë një seance në Gjykatën e Apelit.
Gjykata e Apelit në një njoftim të shpërndarë për mediat bën të ditur se “avokati shfaqi probleme serioze shëndetësore gjë e cila solli ndërprerjen e menjëhershme të procesit dhe dhënen e ndihmës së parë”.
“Në vijim të komunikimit me familjarët e avokatit, u bë me dije se, fatkeqësisht avokati kishte ndërruar jetë në ambientet e spitalit”, thuhet në njoftim.
Mbeten të paqarta shkaqe e vdekjes së avokatit.
Njoftimi i Gjykatës së Apelit
Sot në datë 28.01.2025, rreth orës 12:00, në një prej sallave të gjykimit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, po zhvillohej një gjykim penal ku merrte pjesë në cilësinë e mbrojtësit edhe avokati z. Gjovalin Ulndreaj, anëtar i Dhomës së Avokatëve Shkodër.
Gjatë zhvillimit të gjykimit, avokati ka shfaqur probleme serioze shëndetësore, duke sjellë ndërprerjen e menjëhershëm të procesit dhe dhënien e ndihmës së parë nga personat e pranishëm, deri në mbërritjen e shërbimit të Urgjencës QSUNT Tiranë.
Në vijim të komunikimit me familjarët e avokatit, u bë me dije se, fatkeqësisht avokati kishte ndërruar jetë në ambientet e spitalit.
Trupa gjyqësore e kësaj Gjykate dhe stafi administrativ, duke vlerësuar kontributin në procesin e dhënies së drejtësisë, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta të afërmve të të ndjerit avokatit Gjovalin Ulndreaj.