UASHINGTON – Shërbimi i hartave dixhitale dhe navigimit Google Maps do ta ndryshojë emrin e “Gjirit të Meksikës” në “Gjirin e Amerikës”, sapo të përditësohet në Sistemin e Emërtimeve Gjeografike të Shteteve të Bashkuara, njoftoi kompania të hënën me një postim në rrjetin X.
Ky ndryshim do të bëhet për përdoruesit në Shtetet e Bashkuara, por emërtimi do të vazhdojë të jetë “Gjiri i Meksikës”, për përdoruesit në Meksikë. Për personat që nuk gjenden në këto dy vende, do të shfaqen të dyja emërtimet.
Departamenti i Brendshëm i administratës së Presidentit Trump tha të premten se e ka ndryshuar zyrtarisht emrin e Gjirit të Meksikës, në Gjirin e Amerikës, si dhe malin Denali të Alaskas, në Malin McKinley.
Shërbimi Google Maps, që është në pronësi të kompanisë Alphabet (Google), do ta bëjë ndryshimin edhe për Malin McKinley.
Presidenti Donald Trump urdhëroi ndryshimin e emrave, në vazhdën e një serie urdhërash ekzekutivë, disa orë pasi mori detyrën një javë më parë, duke përmbushur kështu premtimet e bëra gjatë fushatës.
“Siç është udhëzuar nga Presidenti, Gjiri i Meksikës do të njihet tashmë zyrtarisht si Gjiri i Amerikës dhe maja më e lartë e Amerikës së Veriut do të mbajë sërish emrin Mali McKinley”, u shpreh në një deklaratë javën e kaluar Departamenti i Brendshëm.