Studentët dhe pedagogët e Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit, pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës, kanë tashmë në dispozicion Laboratorin e Integruar të Mediave Digjitale. Ky laborator, i inauguruar sot, është një investim i financuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, përmes Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI).
Laboratori synon të krijojë një standard të ri për kërkimin dhe mësimdhënien në fushën e komunikimit dhe mediave digjitale. Gjatë aktivitetit të përurimit, Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, të shoqëruar nga Rektori i Universitetit të Tiranës Artan Hoxha, Dekani i Fakultetit Histori-Filologji Mark Marku, Drejtuesja e Departamentit të Gazetarisë Iris Luarasi dhe pedagogët e këtij fakulteti, vizituan laboratorin e ri, teksa Kryeministri Edi Rama realizoi edhe një podcast të shkurtër me studentët.
Kryeministri Rama vlerësoi kontributin e këtij projekti në formimin e profesionistëve të rinj që i përgjigjen dinamikës së zhvillimeve teknologjike dhe nevojave të tregut mediatike.
Nga ana tjetër, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, theksoi rëndësinë e këtij investimi për përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe nxitjen e kërkimit shkencor.
“Ky është laboratori më i ri, një investim i Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit, realizuar me fondet e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, përmes Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit, në funksion të rritjes së cilësisë së mësimdhënies dhe krijimit të mundësive të reja për të rinjtë. Nëpërmjet këtij laboratori të mediave digjitale, do të kenë mundësinë jo vetëm studentët, por edhe pedagogët, të zhvillojnë hulumtime në fushën e medias, të bëhen pikë reference për shpërndarjen e informacionit të saktë dhe të krijojnë një qendër për shkëmbimin e informacionit ndërmjet universiteteve tona.
Universiteti i Tiranës është një nga universitetet që përfiton mbështetjen më të madhe nga fondet për kërkimin shkencor dhe inovacionin. Vetëm për vitin 2024, janë parashikuar 24 projekte për kërkimin shkencor, investime në infrastrukturë dhe projekte të ndryshme që mbështesin pedagogët në zhvillimin e studimeve të tyre. Janë alokuar 1.7 milionë dollarë për laboratorë të tillë dhe për studime të ndryshme. Krahasuar me vitet e mëparshme, kemi rritur ndjeshëm fondet për kërkimin shkencor, duke arritur në 130 projekte për infrastrukturën e kërkimit shkencor dhe projektet studimore”, tha Ministrja Ogerta Manastirliu.
Ky laborator do të ofrojë mbështetje për rreth 450 studentë dhe 48 pedagogë të Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit, duke krijuar një hapësirë unike për studimin dhe prodhimin e përmbajtjeve audiovizive, eksperimentimin me teknologji të reja dhe zhvillimin e projekteve shkencore që pasqyrojnë zhvillimet më të fundit në fushën e mediave.
Ky është një prej investimeve strategjike të realizuara nga shteti shqiptar për kërkimin shkencor, ndërkohë që buxheti për vitin 2025 për këtë sektor ka arritur shifrën e 1 miliard e 491 milionë lekëve, një rritje e konsiderueshme krahasuar me vitet e kaluara.
Aktiviteti u zhvillua në praninë e pedagogëve, studentëve, përfaqësuesve të AKKSHI dhe autoriteteve të Universitetit të Tiranës.