BallinaKryesoreArritja më e madhe në politikë e Ramës është Sali Berisha, 18...

Arritja më e madhe në politikë e Ramës është Sali Berisha, 18 faktet që provojnë bashkëpunimin mes njëri-tjetrit

spot_img

Nga Neritan Vladi
Kur kanë kaluar 34 vite tranzicion në Shqipëri, pjesa dërrmuese e shqiptarëve janë të qartë, se çfarë ka ndodhur me ta. Këto vite kanë qenë vite të një zgjatimi të komunizmit ku në lojë patën lojtarët e tyre.

Veçmas Ramiz Alia u kujdes që të ashtuquajturën, Parti Demokratike, ta kishin nën kontroll e për këtë gjetën personin që i identifikonte dhe përfaqësonte më së miri. Dhe ai ishte Sali Berisha. Për PPSH e kishin më të lehtë se duke qenë parti rreshti, liderët kultivoheshin më lehtë dhe rrëzoheshin nëse lëviznin nga deviza.

Së fundmi “uzurpatori” i së majtës moderne me dokumente është Edi Rama. Marrëdhënia që kreu i PS dhe kryeministri i Shqipërisë ka me Sali Berishën, ish-president dhe ish-kryeministër, është e hershme dhe shumë mirëkuptuese në distancë ose dhe në pazaret e gjirizeve të errëta, ku ata takoheshin ose shkëmbenin negociatorët.

Disa janë arsyet që të bëjnë të bindesh që Sali Berisha dhe Edi Rama janë bashkë dhe se në thelb në këto kohë kur Rama është kthyer si një padishah në politikë; arritje më e madhe e tij është Sali Berisha. Kreu i sektit “Rilindje” ia ka plotësuar kërkesat sikurse në fakt, ka ndodhur dhe e kundërta. Le të kthehemi pas në kohë dhe të evidentojmë sa mundemi bashkëpunimin Rama-Berisha, bashkë me Metën në lojë.

1. Sali Berisha dhe Edi Rama vijnë si shkollë politike nga blloku. Rama djali i anëtarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor që ka firmosur dhe dënime me vdekje, Berisha si ish-sekretar i PPSH dhe mjek në një prej familjeve të bllokut, familjen e Hysni Kapos.

2. Shfaqja e Ramës dhe Berishës krah njëri-tjetrit që në vitin 1991 nuk është rastësore, aq më tepër kur vet Berisha pranon dhe dy takime me të në atë kohë, tubimin e legalizimit të PD si dhe me intelektualët.

3. Pas kthimit të Ramës nga Parisi, PD e drejtuar nga Berisha dhe ai vet nuk kishin target Ramën, por merreshin me Nanon.

4. Edi Ramës iu mundësua fitorja në Tiranë në garën e parë si kryebashkiak me Besnik Mustafajn, që pavarësisht kostumit të politikanit, nuk ishte i duhuri për fitoren e Tiranës me një popullsi shumë heterogjene.

5. Sali Berisha në 8 vite të drejtimit të tij, pavarësisht retorikës, nuk ushtroi kontrollin e duhur përmes institucioneve që kishte ndaj Bashkisë Tiranë dhe evidentuar korrupsionin deri ditën që la pushtetin në vitin 2013.

6. Pas ndihmës që Ilir Meta i dha Ramës në bashkinë e Tiranës, por dhe në kthimin në krye të PS, ishte Sali Berisha që e ngriti me marrëveshjen e 2008, ku sot buron dhe gjithë ky pushtet i Ramës. Kujtojmë që shkëndija e parë e kësaj marrëveshje erdhi fill pas tragjedisë së Gërdecit.

7. Mendoj që Edi Ramës iu dhurua pushteti nga Sali Berisha në vitin 2013. Si garanci, veç asaj që kuptoheshin mjaft mirë me njëri-tjetrin nga ’91, Berisha kishte dhe Ilir Metën që mori gati gjysmën e qeverisë së Rilindjes dhe fanatikët e doktorit vazhduan e gëzuan privilegjet në të gjitha drejtimet, që nga punësimet deri tek tenderat, ndryshe nga opozitarët e thjeshtë.

8. Bashkëpunimi Rama-Berisha vazhdoi edhe më pas teksa në tavë kanë oligarkët për ndarjen e territorit të vendit si ta kenë tortën e tyre.

9. Bashkë ishin dhe rezistuan sa mundën për të vonuar dhe bërjen e reformës në Drejtësi. Edhe pse si dele i ngritën kartonët “PRO”, vonuan përmes procedurave implementimin siç ishte rasti i vonesave të propozimeve që duhej të bëheshin për anëtarëtë KLP, KLGJ etj, që vareshin prej pushtetit të tyre.

10. Pas shpalljes “Non grata” nga SHBA të Sali Berishës, Edi Rama, do t’i gjendej për ta mbështetur ndonëse jo direkt. Kryeministri dhe kreu i PS përmes instrumenteve të pushtetit jo vetëm nuk e pengoi, por e mbështeti Sali Berishën në dalldisjen e tij antiamerikane. Kjo gjë është krejt e vërtetuar dhe nga faturat e shpenzimeve, ku dalin njerëz të lidhur me PS.

11. A nuk ishte Edi Rama që e la bandën e Sali Berishës që për herë të parë në histori, ndoshta jo vetëm në Shqipëri, të sulmonte shtëpinë e vet PD, e cila i kishte dhënë shumë atij dhe gjithë taborit që e ndjek. E kryeministrit iu desh të ndërhynte vetëm kur e telefonuan ndërkombëtarët, kur kuptuan se Saliu ishte gati dhe për të derdhur gjak.

12. Edi Rama vazhdoi mbështetjen ndaj Sali Berishës, edhe në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit. Pazari ishte që Saliu dhe Meta të dilnin të dytët dhe Rama le t’i merrte bashkitë, teksa përmes trukut iu fali Shkodrën për ta rimarë më 14 maj.

13. Skandali McGonigal ishte një intrigë e aktorëve të Tiranës zyrtare. Rama me dyshen, Berisha-Meta, kishin si qëllim denigrimin e PD për të goditur Lulzim Bashën. Në tentativat për të nxjerrë jashtë loje Bashën u fut dhe kryeministri Rama, duke ndihmuar Berishën sa herë kur ky i fundit kishte nevojë.

14. Pazari Rama- Berisha sa i takon amnistisë penale nxori nga burgu dhjetra zyrtarë të përfshirë në afera korruptive. Ka qenë SPAK që ka dhënë detaje në lidhje me personat që përfituan pas miratimit të amnistisë penale, duke demaskuar PS dhe çetën e “non-gratës”.

15. Edi Rama mbajti peng mosbërjen e Kodit Zgjedhor me PD që drejtohej nga Lulzim Basha i cili synonte që votës së qytetarëve t’i jepej vlerë dhe jo kryetarëve, teksa pas pazarit për “Amnistinë”, Rama do të merrte një tjetër llokmë kësaj here Kodin Zgjedhor një ripërsëritje të marrëveshjes së 2008. Sali Berisha i fali pushtetin Ramës, duke i dhënë votat e deputetëve të tij kamikazë për variantin e ligjit zgjedhor që Rama donte dhe çimentuar mandatin e katërt. E gjitha kjo kundër qytetarëve u bë vetëm për një grusht deputetësh besnikë që Sali Berisha dëshiron t’i ketë në lista të mbyllura.

16. Pas malit me shërbime që Sali Berisha i kishte bërë Edi Ramës duke i falur pushtet të pakufizuar, do të vinte dhe momenti i shpërblimit nga kryeministri. Të bërë bashkë kundër aleatëve, diktuan në Gjykatën e Apelit që t’i jepej vula Sali Berishës. Vendimi i marrë nga lliba Bezati relatore dhe nga zv/kryetare e Gjykatës së Apelit, kunata e Pamela Qirkos, (Ballukut), motrës së zv/kryeministres Belinda Balluku, e artikuluar kjo nga oborrtarët e Berishës dhe vet ai, e përgëzuan për vendimin e vulës, por e atakuan më pas për dënimin që i bënë Ervin Salijanit, duke nxjerr në pah hipokrizinë rithemeluese.

17. Edi Rama është gati të përdor sërish Sali Berishën si karrem për të tentuar dhe goditur Reformën në Drejtësi përmes komisionit “Xhafaj”, vetëm që të frenojë SPAK dhe GJKKO në misionin e tyre kushtetues për të goditur korrupsionin shtetëror dhe krimin e lidhur me pushtetin. Ky bashkëpunim po avancon.

18. Për ta bërë edhe më fakt të kryer  bashkëpunimin, Berisha-Rama, në ceremoninë mortore për Anastas Janullatos,  Berisha theu protokollin zyrtar, ndryshoi letrën me emrin në karrige dhe u ul vetë duke vulosur dhe në sytë e medias dhe publikut bashkëpunimin me Ramën, e për t’i treguar botës, se ai është aty në krye të punëve dhe “opozitës”.

I dhuroi gjithçka Edi Ramës vetëm që ta njihte si të tillë, siç dhe ndodhi. Kjo situatë i intereson Ramës dhe për të, arritja më e madhe në politikë është Sali Berisha. Duke nisur nga 1991, më tej më 9 shtator kur u shpall “Non grata”, e deri sot krah njëri-tjetrit, sepse në sytë e shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve iu vë përballë gogolin, atë që ata se duan sa herë i kërkojnë të hap krahun.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular