BallinaOP EDAkti Normativ nr. 5, Një Dëshmi e Keqplanifikimit Buxhetor dhe Improvizimeve Elektorale....

Akti Normativ nr. 5, Një Dëshmi e Keqplanifikimit Buxhetor dhe Improvizimeve Elektorale. 6 arsye pse po përdoren paratë publike për qëllime elektorale

spot_img

Fjala e Bujar Leskajt me 30 Janar 2025 në Kuvendin e Shqipërisë.

Akti Normativ nr. 5, datë 19.12.2024 – Një Dëshmi e Keq planifikimit Buxhetor dhe Improvizimeve Elektorale

Miratimi i Aktit Normativ nr. 5 në dhjetor 2024 është një tjetër dëshmi e mënyrës së paplanifikuar dhe të paqëndrueshme me të cilën qeveria shqiptare menaxhon financat publike. Ky akt tregon qartë dështimin e planifikimit fillestar të buxhetit, nevojën për ndërhyrje emergjente në fund të vitit dhe përdorimin e parave publike për qëllime elektorale. Konkretisht:

1. Ndryshimet e buxhetit me akt normativ – Një tregues i keq planifikimit

Në vend që buxheti të jetë një dokument serioz i planifikimit financiar, ai shndërrohet në një instrument që ndryshohet sipas interesave momentale politike. Pra:

-Projektet nuk janë të menduara mirë dhe shpesh ndryshojnë pa asnjë justifikim të qartë.

-Shpenzimet publike nuk janë të kontrolluara në mënyrë efektive, duke treguar një dështim në menaxhimin fiskal.

-Institucionet dhe bashkitë detyrohen të operojnë me një pasiguri të vazhdueshme mbi fondet që do të kenë në dispozicion.

2. Shpërblimet për pensionistët dhe ndihmat sociale – Lëmoshë elektorale para zgjedhjeve

Një nga ndryshimet kryesore të këtij akti është shpërndarja e bonuseve për pensionistët dhe shtresat në nevojë, një praktikë që përsëritet sa herë afrohen zgjedhjet. Me një vit zgjedhor përpara, qeveria ka zgjedhur të “blejë” mbështetjen e qytetarëve me shpërblime të përkohshme, në vend që të marrë masa afatgjata për përmirësimin e pensioneve dhe ndihmës ekonomike.

Në vend që të rrisë pensionet në mënyrë të qëndrueshme dhe t’u ofrojë pensionistëve një siguri financiare më të madhe, qeveria i trajton ata si votues që mund të blihen me një pagesë një herë në vit. Ky është një model tipik i politikave klienteliste, ku ndihmat nuk janë pjesë e një strategjie afatgjatë, por vetëm një mjet për të siguruar vota në prag të zgjedhjeve.

3. Kredia për Albcontrol – Dëshmi e krizës së fshehur financiare

Një nga ndryshimet më domethënëse të aktit normativ është dhënia e një kredie prej 20 milion euro për Albcontrol. Kjo është një provë e qartë se çështja “Becchetti” ka ndikuar drejtpërdrejtë në financat e vendit, përmes bllokimit të fondeve të Albcontrol nga Eurocontrol.

Nëse qeveria do të kishte menaxhuar më mirë këtë çështje dhe nuk do të kishte sjellë Shqipërinë në një krizë të vazhdueshme ligjore me gjoba të shumta ndërkombëtare, Albcontrol nuk do të ndodhej në këtë situatë. Por tani, në vend që të përdorë fondet e veta për të mbuluar shpenzimet, kjo kompani po mbështetet në kredi nga buxheti i shtetit, duke rënduar më tej financat publike.

4. Rritja e fondeve për rrugët – në kurriz të sektorëve më në nevojë si shëndetësia, bujqësia, arsimi etj

Përse kaq shumë para për rrugët në fund të vitit? Pse nuk u planifikuan këto investime më herët?

Një përgjigje e mundshme është se ndërtimi i rrugëve është një sektor me një ndikim të drejtpërdrejtë në financimin e fushatave elektorale, pasi lidhet me kontrata të mëdha, tendera dhe interesa të grupeve të caktuara të biznesit. Kjo krijon hapësirë për favorizime dhe për përdorimin e fondeve publike në mënyrë jo transparente. Ndërkohë që qeveria uli me 12.2 milionë euro investimet në sektorin e arsimit, me 4.5 milionë euro investimet në qendrat shëndetësore dhe spitale, me 12 milionë euro fondet për programin e përkujdesit social.

5. AKSHI – 25 milion euro

AKSHI siguron edhe 25 milionë euro shtesë nga fondet publike. Prej vitesh i cilësuar si një institucion me etje të pangopur për buxhetin, ai vijon të financohet pavarësisht akuzave të shumta për mungesë transparence dhe shmangie të konkurrencës së hapur.

6. Shpërblimet për punonjësit e administratës – Masë simbolike që nuk adreson problemin real

Akti normativ përfshin edhe një shpërblim për punonjësit me paga të ulëta në administratën publike, si shoferët, sanitaret dhe punonjësit e arkivit. Megjithëse kjo mund të shihet si një masë pozitive, ajo është vetëm një zgjidhje e përkohshme për një problem më të madh: pagat e ulëta dhe mungesa e politikave të qëndrueshme për përmirësimin e kushteve të punës në sektorin publik.

Në vend që të rrisë pagat në mënyrë sistematike, qeveria shpërndan bonuse sporadike, duke e trajtuar këtë kategori si një mjet propagande dhe jo si punonjës të rëndësishëm për funksionimin e administratës shtetërore.

Përfundim: Një buxhet i improvizuar për qëllime politike

Akti Normativ nr. 5, datë 19.12.2024, nuk është një rishikim teknik i buxhetit, por një strategji politike për të përballuar sfidat e vitit zgjedhor 2025. Ky dokument dëshmon:

Keqplanifikim dhe mungesë transparence në menaxhimin e financave publike.

Përdorim elektoral të fondeve publike, me shpërblime për pensionistët dhe kategori të tjera në prag të fushatës.

Një krizë të fshehur financiare, e reflektuar te huaja për Albcontrol dhe shkurtime të fondeve për institucionet.

Favorizime për sektorë me interesa të mëdha ekonomike, si ndërtimi i rrugëve, në dëm të shërbimeve publike.

Nëse qeveria do të kishte planifikuar buxhetin në mënyrë më realiste dhe transparente, nuk do të kishte nevojë për këto ndërhyrje të vonuara dhe të dyshimta. Në vend që të improvizojë në dhjetor, ajo duhet të hartojë një strategji të qartë që garanton zhvillim të qëndrueshëm dhe jo vetëm politika afatshkurtra për të siguruar vota.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular