BallinaAktualitetHeshtje dhe pikëllim: Jabllanica vajton për tre adoleshentët që humbën jetën tragjikisht

Heshtje dhe pikëllim: Jabllanica vajton për tre adoleshentët që humbën jetën tragjikisht

spot_img

Ajri në Jabllanicë është i rënduar nga pikëllimi. Rrugët e ngushta të fshatit i ka mbuluar heshtja. Banorët janë në zi për Vetonin, Idealin e Ramën…

“Na kanë mbytur me dhimbje këta tre djem. Asnjë problem prej tyre nuk e kemi pasur kurrë”, thotë Mehreme Ahmetaj nga ky fshat i Gjakovës.

Veton Morina, 13 vjeç, Ideal Rama, 15 vjeç, dhe Ramë Mehmetaj, 15 vjeç, humbën jetën më 1 shkurt nga shembja e një objekti të vjetër në Jabllanicë – pjesa jugperëndimore e Kosovës.

Policia tha se objekti u shemb në rrethana ende të panjohura dhe se të miturit ishin brenda në kohën kur ra pllaka e tij.

Heshtje dhe pikëllim: Jabllanica vajton për tre adoleshentët

Familjarët, të ngufatur nga dhimbja, refuzojnë të flasin shumë.

“Rama e kishte shumë qejf futbollin. Njësoj edhe Ideali”, tregon për Radion Evropa e Lirë, kushëriri i Ramës, Berati.

Teksa lufton për të pranuar realitetin mizor, ai ndalet për ca sekonda dhe vazhdon të flasë sërish…

“Vetoni vinte nga një mëhallë tjetër e fshatit, por të tre kanë qenë shokë shumë të ngushtë, kanë ndenjur bashkë, kanë luajtur bashkë. Nuk kanë bërë kurrë probleme”, thotë Berati.

Ai supozon se tre djemtë tashmë të ndjerë kanë qenë duke luajtur brenda objektit, në kohën kur ai është shembur.

Heshtje dhe pikëllim: Jabllanica vajton për tre adoleshentët

Për vdekjen e tyre tregon se familjarët kanë mësuar 4-5 orë pas incidentit. Atë moment thotë se nuk mund ta përshkruajë dot me fjalë.

“Shumë rëndë, shumë, jo vetëm për ne familjarët, por për gjithë katundin, e për gjithë Kosovën”, thotë Berati mes lotësh.

Objekti i rrënuar, që u bë vend i kësaj tragjedie, ishte i braktisur që pas përfundimit të luftës në Kosovë, më 1999. Deri në atë kohë kishte qenë dyqan ushqimor.

“Askush në fshat nuk ka folur për të. Ka qenë i rrethuar me tela. Ka qenë në rrugë anësore, por nuk ka pasur shumë lëvizje përreth tij”, thotë Bajrush Brahimaj, banor i Jabllanicës.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se kurrë nuk ka pasur ndonjë paralajmërim nga autoritetet për sigurinë e tij – “i braktisur ka qëndruar me dekada”, ashtu si edhe objekte të tjera në zonë.

“Fati e deshi që ta pësojnë këta djem të rinj e të kushtojë kaq shumë”, thotë Bajrushi.

Bajrushi thotë, po ashtu, se trupat e pajetë të tre djemve janë gjetur disa orë pas shembjes së objektit.

Me rënien e territ, ai thotë se familjarët kanë nisur të kontaktojnë njëri-tjetrin dhe fqinjët e tjerë në fshat, për të pyetur nëse i kanë parë djemtë.

Një shok i tyre ka treguar, sipas tij, se ka marrë një mesazh në telefon nga tre shokët, të cilët i kanë treguar se ku janë dhe e kanë ftuar të shkojë edhe atë, por ai nuk ka shkuar.

“… dhe kur familjarët e kanë parë objektin e rrëzuar, i kanë thirrur fëmijët në telefon dhe telefonat u kanë cingëruar nën këmbë”, rrëfen Bajrushi.

Heshtje dhe pikëllim: Jabllanica vajton për tre adoleshentët

Me të dëgjuar për rastin, Bajrushi thotë se ka marrë traktorin e tij dhe është nisur drejt vendit të ngjarjes, për të ndihmuar sadopak policinë e zjarrfikësit që t’i largonin gurët e rënë.

“Dy prej djemve duket se kanë qenë në lëvizje… kanë bërë përpjekje për t’u larguar, kurse tjetri ka qenë më poshtë, i shtrirë për tokë. Duket se objekti është shembur shumë-shumë shpejt”, thotë Bajrushi.

Të tria viktimat u varrosën ditën e hënë në varrezat e fshatit Jabllanicë.

Heshtje dhe pikëllim: Jabllanica vajton për tre adoleshentët

Ideali dhe Rama kishin qenë edhe nxënës të Jeton Mrasorit, i cili në shkollën e fshatit kishte dhënë Gjeografi.

Tani drejtor i kësaj shkolle, Mrasori thotë se të dy ata, pos që ishin nxënës të shkëlqyeshëm, ishin edhe shumë të hareshëm dhe të dhënë pas teknologjisë.

“Të dy kanë qenë në një klasë e në një bankë. Në asnjë moment nuk janë ndarë prej njëri-tjetrit… as edhe në vdekje”, përfundon Mrasori./REL

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular