Futbollistja spanjolle, Jenni Hermoso ka thënë në gjykatë se “një nga momentet më të lumtura” të jetës së saj u shkatërrua kur presidenti i atëhershëm i Federatës Spanjolle të Futbollit, Luis Rubiales, e kapi atë dhe e puthi në buzë pas fitores së Spanjës në Kupën e Botës në gusht 2023.
Rubiales, 47 vjeç, akuzohet për sulme seksuale si dhe për presion të ushtruar ndaj Hermosos që të deklaronte se puthja, e cila u bë pak pasi ekipi i femrave të Spanjës triumfoi në Sydney, ishte konsensuale. Ai ka pohuar se ka kërkuar lejen e saj për puthjen.
Nëse shpallet fajtor, Rubiales, i cili dha dorëheqjen si president i federatës një muaj pas incidentit, mund të përballet me dy vite e gjysmë burg: një vit për sulm seksual për puthjen e detyruar dhe 18 muaj për detyrimin e Hermosos për të minimizuar atë që ndodhi.
Duke dhënë dëshminë e saj në ditën e parë të gjyqit, Hermoso tha se ajo kurrë nuk kishte pranuar të puthej nga Rubiales, duke shtuar se ai nuk kishte kërkuar lejen e saj për ta bërë këtë.
“Unë nuk dëgjova apo kuptova asgjë në atë kohë”, tha lojtarja 34-vjeçare në gjykatë. Gjëja tjetër ishte që ai më kapi nga koka me duar dhe më puthi në buzë”.
Hermoso u tha njerëzve se i puthte njerëzit në buzë vetëm “kur vendoste vetë”, duke shtuar se ajo ishte tronditur nga veprimet e Rubiales.
“U ndjeva e pa respektuar. Një nga ditët më të lumtura të jetës sime u njollos dhe mendoj se është shumë e rëndësishme për mua të them se nuk e kam kërkuar kurrë, aq më pak s’e prisja që kjo të ndodhte. Unë personalisht mendoj se ishte mungesë respekti”, tha futbollistja.
Hermoso, e cila luan për Tigres në Meksikë, tha se asaj i ishte treguar një deklaratë që ishte hartuar në emër të saj nga federata dhe e cila ishte lëshuar në emër të saj po atë ditë.
“E dija që nuk kisha shkruar asnjë fjalë të deklaratës sepse askush nuk më kishte pyetur për të. Ishte një deklaratë nga unë që me sa duket e kisha shkruar me fjalët e mia. Thuhej se Luis Rubiales dhe unë ishim miq të mirë dhe se gjithçka kishte ndodhur në emocionin e momentit”, u shpreh Hermoso.