Vlorë – Shfrytëzonin shtetase të huaja për prostitucion, shpallen në kërkim dy shtetase ruse dhe ukrainase.
Përdornin një apartament në lagjen “24 Maji” për këtë aktivitet të paligjshëm, procedohen penalisht edhe dy shtetaset e huaja që ushtronin prostitucionin.
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Vlorë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive të paligjshme që lidhen me shfrytëzimin e prostitucionit, kanë evidentuar dhe goditur një rast, në kuadër të të cilit u shpallën në kërkim shtetaset:
- Y. M., 35 vjeçe, banuese në Ukrainë;
- K. A., 31 vjeçe, banuese në Rusi.
Këto shtetase dyshohen se përdornin një apartament në lagjen “24 Maji”, Vlorë, ku shfrytëzonin për prostitucion dy shtetase të tjera të huaja, ukrainase, të cilat, në vijim të veprimeve, u proceduan penalisht në gjendje të lirë për ushtrim prostitucioni.
Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e dy shtetaseve të shpallura në kërkim dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.