Dritan Rexhepi nuk u paraqit në seancën e radhës ndaj tij dhe të bashkëpandehurve, të akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës.
Përmes avokates së tij, Joana Qeleshi, Rexhepi e arsyetoi mungesën me faktin se për të qenë në seancë, do të duhej të shoqërohej që të premten nga paraburgimi i Fierit në paraburgimin 313 në Tiranë.
Po ashtu shtoi se kërkon nga gjykata nëse ka mundësi që të caktohen seancat ditë tjetër me përjashtim të ditës së hënë dhe të premte.
Në seancën që vijoi pa praninë e tij, SPAK paraqiti provat shkresore para gjykatës. Mes tyre, aktet e këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe akt-ekspertimi që tregon përputhshmërinë e ADN-së të përftuar nga njollat e gjakut të vendngjarjes me ato të nënës së Jan Prengës.
Po ashtu, prokurorët e SPAK, kanë pohuar se përmes pamjeve filmike të sekuestruara në disa biznese është dokumentuar itinerari i ndjekur nga automjeti ku është futur me forcë Janë Prenga. Përmes pamjeve është provuar se viktima është mbajtur nën vëzhgim për disa ditë përpara ngjarjes, ku automjeti “Land Rover” i të dyshuarve ka ndjekur automjetin e viktimës në 15, 16 dhe 17 janar.