BallinaOP EDAnaliza/ Reformimi i sistemit të pensioneve në Shqipëri, domosdoshmëri e kohës!

Analiza/ Reformimi i sistemit të pensioneve në Shqipëri, domosdoshmëri e kohës!

spot_img

Këto ditë kam ndjekur me interesim shqetësimet që paraqet sistemi i pensioneve në Shqipëri, veçanërisht për perspektivën e tij.

Me dëshirën e mirë, për të mos qëndruar indiferent, po japim disa mendime për zhvillimin e sistemit të pensioneve në kushtet aktuale dhe të perspektivës së vendit tonë.

Është fakt, pensionet sot janë një element i rëndësishëm e i pazëvendësueshëm i mbrojtjes sociale. Prej tyre përfitojnë aktualisht rreth 25% e popullsisë, ose mbi 720 mijë pensionistë, tregues ky, me prirje të qarta drejt rritjes. Vetëm për pensione sot shpenzohen nga buxheti i sigurimeve shoqërore mbi 145 miliardë lekë, e barabartë me 85% të të gjithë buxhetit të sigurimeve shoqërore.

Si rrjedhojë e të gjitha këtyre dukurive, zhvillimi i sistemit të pensioneve dhe rritja e qëndrueshmërisë financiare të tij është domosdoshmëri, që lidhet me tre çështje kryesore që kërkojnë zgjidhje.

Së pari. Deficiti aktual i sistemit të pensioneve është i lartë, ai arrin në 1.97% të PPB dhe, në këto kushte, parashikimet aktuariale supozojnë përkeqësim të kësaj gjendjeje.

Së dyti. Mosfunksionimi i skemave alternative të pensioneve për një periudhë 10-15-vjeçare në Shqipëri ka ulur në mënyrë të ndjeshme shkallën e zëvendësimit (raportin, pension mesatar/pagë mesatare) 32-35%, kundrejt 70-75% që duhet të jetë.

Së treti. Problemet e papunësisë, të informalitetit dhe veçanërisht të emigracionit të moshave të reja, kanë ulur ndjeshëm përqindjen e popullsisë së siguruar në këto 15 vitet e fundit, gjë që krijon shqetësim të madh social për të ardhmen.

Duhet pranuar që sigurimi i shtetasve në kohën e pleqërisë është problem i çdo shoqërie. Në përcaktimin e nivelit të tyre ndikojnë dukshëm disa arritje, si niveli ekonomik, struktura demografike e popullsisë, interesi i individit për zgjidhjen e tyre, etj. Mbi këtë bazë, çdo vend ka ndërtuar sistemin e vet të Sigurimeve Shoqërore.

Me krenari të ligjshme mund të them që sistemi i sigurimeve shoqërore që kemi ngritur në Shqipëri, nën asistencën e Bankës Botërore në vitin 1993 dhe përmirësimet e vazhdueshme që i janë bërë, me përjashtim të atyre në vitin 2005-2006, si dhe Institucioni i ngritur në administrim të tij, kanë luajtur rol mjaft të rëndësishëm në amortizimin e problemeve sociale që diktonin stadet e zhvillimit të vendit.

Problematika

Është fakt sot se problemet e pensioneve, veçanërisht financimi i tyre, janë një vatër e nxehtë në të gjithë vendet e botës, kjo edhe si rrjedhojë e ritmeve me të cilat rritet popullsia e tretë:

  • Së pari, të rritjes së jetëgjatësisë së popullatës
  • Së dyti, të rënieve të ritmeve të lindjeve dhe për kushtet e Shqipërisë
  • Së treti, edhe emigracioni masiv i moshave të reja.

Këto situata kanë shtruar nevojën e reformimit të sistemit të pensioneve edhe për vendet në zhvillim. Një nga sistemet që po instalohet sot me sukses, madje edhe në vendet përreth nesh si Maqedonia e Veriut dhe Kosova, është vendosja e sistemit të Alternuar të Pensioneve, me dy komponentë të rëndësishëm, një sistem publik bazë i konsoliduar dhe një sistem vetëkapitalizues të zhvilluar, i detyrueshëm për brezin e ri dhe vullnetar për atë që dëshiron një jetë më të qetë financiare në moshën e tretë.

Ky sistem presupozon një ndarje të kontributit në dy pjesë, kontribut shoqëror për skemën shtetërore PAYG dhe kontribut individual për skemën vetëkapitalizuese. Këtë model, krahas të gjithë vendeve të zhvilluara, e gjejmë edhe në Kroaci, Rumani, Poloni, Hungari, Çeki, Sllovaki, Slloveni, Kosovë, Maqedoni e Veriut, etj. (bashkëlidhur tabela).

Por, shekulli XXI ka shtruar para njerëzimit një sërë sfidash të reja, me të cilat ai duhet të përballet si: gjetja e burimeve të reja të energjisë, shfrytëzimi i energjisë diellore, ekonomizimi i rezervave të naftës dhe të ujit të pijshëm, krijimi i teknologjive të reja që respektojnë mjedisin, etj., etj. Krahas këtyre sfidave jetësore, një problem mjaft i madh dhe i mprehtë që e pret njerëzimin për t’u përballur është dhe ruajtja e ekuilibrave të zhvillimit të burimeve njerëzore.

Aktualisht sistemi shtetëror i sigurimeve shoqërore PAYGO në shumë vende europiane e më gjerë, si rrjedhojë e prishjes së ekuilibrave të mësipërme, veçanërisht demografik (plakjes së popullsisë), po kalon një periudhë e shoqëruar me mjaft probleme për financimin e këtij sistemi.

Në kërkim të zgjidhjes së tyre, mjaft organizma ndërkombëtarë, si FMN, Banka Botërore, etj., kanë orientuar për ndërmarrjen e reformave për të rritur qëndrueshmërinë financiare të sistemit.

Një nga reformat që po aplikohet me mjaft sukses në vendet në zhvillim, madje edhe në Kosovë e Maqedoninë e Veriut, është ndërtimi i Sistemit të Alternuar (shumëkolonësh), i cili do të kombinonte më mirë pjesëmarrjen financiare në fondin e pensioneve të sistemit të vjetër shtetëror të parimit të solidaritetit e të vazhdimësisë së brezave me sistemin e ri të përgjegjshmërisë së individit për të marrë pjesë në zgjidhjen e problemeve sociale.

Përgjithësisht, shekullin e kaluar, në shumicën e vendeve, ka mbizotëruar sistemi “Pay As You Go”, skemë shtetërore e mbështetur në parimin e vazhdimësisë së brezave.

Siç dihet kudo në botë, por mendojmë edhe në Shqipëri, sistemi shtetëror PAYGO i solidaritetit, aktualisht ka dy misione të rëndësishme:

  • Së pari, të zgjidhë dhe të mbajë në nivele të pranueshme pensionet aktuale, të cilët gjithë historikun e tyre e kanë në këtë skemë.
  • Së dyti, t’i ofrojë një pension bazë brezit të punësuar që do dalë në pension, i cili, në çdo rast, të garantojë një minimum jetik. Ndërsa zgjidhjet e tjera do t’i marrë nëpërmjet skemave të tjera vetëkapitalizuese, të detyrueshme apo vullnetare.

Duhet pranuar që sistemet vetëkapitalizuese të pensioneve sot paraqiten si domosdoshmëri e kohës.

Siç dihet, skema e solidaritetit (PAYG), vazhdimësisë së brezave që mbizotëroi e vetme afro një shekull, mendohet që e kreu mirë misionin e saj. Ajo ishte shumë efektive kur kishim një popullsi të re, ku shumë punonin e kontribuonim dhe pak përfitonin – paguaj pak e merr shumë.

Por në kushtet e plakjes së popullsisë, kur këto raporte kanë ndryshuar tani – paguaj shumë e merr gjithmonë e më pak, pothuajse në të gjithë botën, për vendet e zhvilluara pas viteve 1985 dhe për vendet në zhvillim pas viteve 2000, janë futur si komponentë të një pensioni edhe këto skema vetëkapitalizuese.

Sistemet vetëkapitalizuese të pensioneve sot i japin zgjidhje mjaft problemeve që dikton koha:

  • Së pari, zgjidhin kontradiktën e brezave, duke e bërë brezin e ri më të interesuar për t’u siguruar.
  • Së dyti, zgjidhin problemet e shtrembërimit të tregut të punës, mjaft shqetësuese për ekonominë shqiptare, i cili zë rreth 32% të informalitetit, si në rastin e evazionit të zi, ashtu edhe të atij gri, pasi lidhet shumë mirë masa e kontributit me atë të përfitimit.
  • Së treti, këto skema, për vetë konfigurimin e tyre, ndihmojnë më mirë ekonominë e vendit, duke mobilizuar paratë e lira të popullsisë nëpërmjet investimeve të tyre në instrumente financiare afatgjatë 5-10-15-vjeçare (Obligacione Shtetërore), të cilat iu kthehen pjesëmarrësve në këto skema në dy forma: si investime në jetën shoqërore, infrastrukturë, arsim, shëndetësi, etj., dhe si fitim neto i sigurt e garantuar në asetet e anëtarëve.
  • Së katërti, zhvillimi i tregut të pensioneve vetëkapitalizuese private do t’i japë një impuls mjaft pozitiv edhe aktorëve të tjerë që veprojnë në tregun financiar.

+++

Propozime për zgjidhje

Mendoj se gjendja dihet, nuk do koment, mjafton t’u hedhësh një sy treguesve kryesorë të sistemit, të cilët prodhojnë një shkallë zëvendësimi (pagë-pension) në masën 32-35%, kundrejt 75% kërkesa ligjore, ajo që ka rëndësi, çfarë do bëjmë.

Në këtë kontekst po japim disa mendime për zhvillimin e tij.

Për funksionimin më mirë të sistemit të sigurimeve shoqërore që ai të luajë më mirë misionin që ka “zëvendësimin e pagës”, si dhe për të ndihmuar në punën që po bëhet; përmirësimin e situatës tani e në perspektivë e mendojmë në ndërmarrjen e dy reformave.

Reforma e parë, për të ardhmen për pensionet e brezit të ri, zhvillimi i skemave alternative vetëkapitalizuese të pensioneve, e njohur si kolona e dytë dhe e tretë e sistemit përgjithshëm.

Me të drejtë sot ky sistem konsiderohet si një kërkesë e domosdoshme e kohës.

Ky sistem që po instalohet sot me sukses në të gjitha vendet europiane, madje dhe në Maqedoninë e Veriut e Kosovë, presupozon ndarjen e kontributit në dy pjesë, kontribut shoqëror për skemën shoqërore PAYGO, kolona e parë, dhe kontribut individual për skemën vetëkapitalizuese, kolona e dytë, ndërsa kolona e tretë profesionale apo individuale lihet e lirë, kush dëshiron më shumë, bëhet pjesëmarrës i tyre.

Duke vazhduar me modelin ekzistues shtetëror, rrezikojmë të përballemi me të njëjtat rezultate të pamjaftueshme që kemi parë deri më tani.

Zhvillimi dhe forcimi i skemave private të pensioneve përbën një alternativë të domosdoshme për të siguruar të ardhura të mjaftueshme për pensionistët, duke lehtësuar njëkohësisht barrën mbi buxhetin shtetëror.

Ndërkohë që skema shtetërore është në vështirësi për të mbuluar nevojat e pensionistëve aktualë, fondet private të pensionit mund të ofrojnë një mbështetje të qenësishme për të ardhmen e kontribuesve.
Zhvillimi i një qasjeje të kombinuar midis skemës shtetërore dhe asaj private do të ofronte:

  • Zhvillimin e tregut të fondeve të pensionit privat, i cili do të nxisë rritjen ekonomike dhe stabilitetin financiar për individët dhe shoqërinë në tërësi;
  • Lehtësimin e barrës së ISSH dhe buxhetit të shtetit, duke e bërë sistemin e pensioneve më të qëndrueshëm dhe më fleksibël ndaj ndryshimeve demografike dhe ekonomike.
  • Një pension më dinjitoz për kontribuesit, sidomos për punonjësit në profesione të vështira siç janë minatorët, punonjësit e naftës dhe metalurgët, të cilët tashmë janë në vështirësi për të siguruar një pension adekuat.

Vendosja e sistemit vetëkapitalizues të pensioneve të administruar privatisht ose nocional, për moshat e reja, duke ndarë fillimisht 3% të kontributit për skemat vetëkapitalizuese, nga ku 1.6% punëdhënësi dhe 1.4% punëmarrësi, mendojmë se nuk shoqërohet me kosto financiare të ndjeshme, përkundrazi në një perspektivë të afërt jo vetëm do të zgjidhë problemet e pensioneve, por edhe do të forcojë qëndrueshmërinë e sistemit të përgjithshëm të pensioneve edhe në Shqipëri.

Reforma e dytë, reformimi i sistemit ekzistues të pensioneve, i cili deri në përfundimin e misionit të tij, do të garantojë drejtësi sociale për pensionistët ekzistues, çka do të kërkojë masat e mëposhtme:

Së pari, ngushtimi i diferencave të pensioneve të krijuara si rrjedhojë e ndryshimeve në mënyrën e llogaritjes së pensionit në vitin 2005-2006, ku për kushte të barabarta të llogaritura në periudha të ndryshme, masa e përfitimit është e ndryshme. Në një kohë që gjithmonë sistemi duhet të ofrojë “Për kushte të barabarta pune pension të barabartë, pavarësisht nga koha”. Kjo do të kërkojë një studim, eksperienca e të cilit tashmë dihet, pasi ISSH e ka aplikuar për pensionet e lidhura para vitit 1993 me ligjin e vjetër.

Së dyti, ndryshimi i formës së indeksimit, duke marrë modelet europiane më të mira që i përshtaten vendit tonë. Një nga këto modele mendojmë se është ai zviceran. Sipas legjislacionit zviceran, i cili ka një sistem të përbërë pensionesh që lidhen për pensionin bazë me minimumin jetik dhe pensionin e punës me pagën që janë derdhur kontributet dhe indeksimi bëhet sipas inflacionit për pensionin bazë dhe me indeksin e pagave për të rritur pensionin e punës.

Edhe në Shqipëri, sipas legjislacionit tonë të Sigurimeve Shoqërore, pensioni përbëhet nga një pension bazë (social) që ka lidhje me minimumin jetik dhe pension pune që ka lidhje me vitet e punës dhe pagat mbi të cilat janë derdhur kontributet. Do të ishte shumë e pranueshme që 50% e pensionit të indeksohet me indeksin e rritjes çmimeve të shportës së pensionistëve dhe 50% me indeksin e rritjes së pagave mbi të cilat janë derdhur kontributet.
Kjo formë indeksimi do të siguronte gjithmonë një pension që do t’i përgjigjej në kohë inflacionit dhe rritjes së pagave, duke garantuar shkallën ligjore të zëvendësimit 70-75%.

Administrimi i sistemit të “Sigurimeve Shoqërore”

Lidhur me zhvillimet e administrimit të sistemit të “Sigurimeve Shoqërore”, misioni i Institutit të Sigurimeve Shoqërore përcaktohet qartë në ligj. Ky institucion është ngritur që të administrojë sigurimet shoqërore në 4 degët e sigurimit: pensione, sëmundje, barrëlindje e aksidente në punë.

Duam të theksojmë se e vlerësojmë shumë punën e ISSH, një institucion që ju ofron shërbime në këtë fushë mbi gjysmës së popullsisë së vendit, si kontribuesit edhe përfituesit, i cili ka ruajtur vazhdimësinë profesionale dhe gëzon një reputacion pozitiv në administrimin e skemës.

Në këtë kontekst, dëshirojmë të japim disa mendime për zhvillimet në të ardhmen e këtij administrimi.

Duke analizuar buxhetin e sigurimeve shoqërore, konstatohet se mbi 40% e shpenzimeve janë financime buxhetore, jashtë natyrës së sigurimeve shoqërore, duke e denatyruar administrimin e skemës.
Sipas ligjit, pjesëmarrja e buxhetit të shtetit në buxhetin e sigurimeve shoqërore duhet të jetë:

a) si subvencionues kur të ardhurat nga kontributet nuk mbulojnë shpenzimet e sistemit.

b) si kontribues për derdhjen e kontributit për disa subjekte që i ka marrë përsipër buxheti, si për periudhën e ushtrisë, periudhën e pagesës së papunësisë, etj.

Një pyetje me të drejtë na lind: mos ka ardhur koha që ISSH të studiojë e të administrojë vetëm problematikën e sigurimeve shoqërore, ndërsa skemat e tjera apo përfitimet jashtë natyrës së sigurimeve shoqërore të administrohen jashtë buxhetit të përgjithshëm të sigurimeve shoqërore?

Më konkretisht, po i parashtrojmë më poshtë:

Se pari, rishikimi i skemës së pensioneve në fshat. Ekzistenca e dy pronave në të kaluarën kushtëzonte vendosjen e dy sistemeve të pensioneve: pensionet për punonjësit shtetërorë dhe pensionet për punonjësit e ish-kooperativave bujqësore. Dallimet në pronësi favorizuan edhe dallimet në masën e pensionit. Përgjithësisht, masa e pensionit në fshat është afro 2-3 herë më e ulët se në qytet.
Synimi i politikave të pensioneve në fshat mbetet rruga e rritjes së pjesëmarrjes së fermerëve në skemë dhe e balancimit financiar të saj. Ekzistojnë dy variante që mundësojnë zgjidhjen e këtij problemi:

  • Varianti i parë: skema e sigurimeve të pensioneve në fshat të kthehet në një sistem vullnetar dhe të funksionojë si kolona e tretë, siç veprohet në të gjithë botën, me përjashtim të Kinës dhe Izraelit.
  • Varianti i dytë: të mbetet i detyruar, por të hartohet një strategji për rritjen graduale të masës së kontributit dhe të pensionit, deri në kufijtë minimalë të skemës shtetërore.

Së dyti, rishikimi i skemës së sigurimit suplementar për nëpunësit shtetërorë, një skemë mjaft bujare ku me kontributet që derdhen përballohen vetëm 10-15% e shpenzimeve në rritje.
Për administrimin e tyre të ngrihen institucione të veçanta, siç janë në shumë vende europiane që administrojnë skemat kontributive, si Gjermania etj.

Së treti, po kështu mendojmë edhe për shpenzimet e tjera jashtë natyrës së sigurimeve shoqërore të administrohen veçanërisht nga institucionet përgjegjëse.

+++

Konkluzion

Implementimi i sistemit vetëkapitalizues, kolona e dytë, është një hap i domosdoshëm për të ardhmen e sigurisë sociale në Shqipëri. Përvoja e Maqedonisë së Veriut tregon se ky sistem ofron stabilitet dhe përfitime të rëndësishme ekonomike. Është koha që edhe ne të ndërmarrim këtë hap të rëndësishëm, duke garantuar pensione më dinjitoze për qytetarët tanë dhe një sistem financiar më të qëndrueshëm për të gjithë.

Këto ishin disa çështje që menduam t’i trajtojmë në këtë shkrim. Problematika e sigurimeve shoqërore në përgjithësi dhe ajo e pensioneve në veçanti, është mjaft e gjerë dhe komplekse. Kjo edhe për faktin se me to është e lidhur drejtpërdrejt dhe indirekt e tërë popullsia. Gjykoj që zgjidhja e drejtë e tyre është edhe synimi i çdo politike në Shqipëri./Monitor

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular