Më 11 mars, Gjykata e Lartë do të shqyrtojë rekursin e bërë nga ish-deputeti demokrat Ervin Salianji, i cili kërkon pezullimin e vendimit të Gjykatës së Apelit, që e ka dënuar me një vit burg për kallëzim të rremë lidhur me dosjen Babale.
Në shkresën e rekursit, Salianji thotë se kundërshton vendimin e datës 18 dhjetor 2019 të Gjykatës Penale, por edhe vendimin e datës 26 shtator të Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.
Salianji u dënua më 18 dhjetor 2019 me 1 vit burg në shkallën e parë, ndësa i akuzuari si bashkëpunëtor po për “kallëzim të rremë”, gazetari Jetmir Olldashi u dënua me 6 muaj heqje lire, por që u pezullua ekzekutimi i kësaj mase dhe dënimi u konvertua me 100 orë pune në interes të publikut.
Ndërkohë më 26 shtator, Gjykata e Apelit vendosi lënien në fuqi të dënimit me 1 vit burg për veprën penale të kallëzimit të rremë për deputetin e Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ndërsa ky i fundit e quajti procesin të montuar dhe veten si të dënuar politik.
Prej 26 shtatorit të vitit që lamë pas, Ervin Salianji ndodhet në burgun e Fierit duke kryer dënimin.