PROF. DR. ELMAS LECI/ Më 15 shkurt 1945 partizanët tanë arritën me luftime në Vishegrad, ku ata papritur u gjendën para dy urdhrave, njëri i Shtabit të Titos që i ndalonte aty e të riktheheshin në Kosovë dhe tjetri i Shtabit të Enverit që partizanët tanë të rinisin terrorin mbi popullsinë kosovare. Citojmë: Urdhri i Titos: Partizanët e UNÇ të Shqipërisë “të ndalen aty ku kanë arritur (në Vishegrad) dhe të rikthehen në Kosovë”. Urdhri i Enverit: Partizanët tanë pasi të rikthehen në Kosove “të asgjësojnë pa mëshirë nacionalistët dhe reaksionarët shqiptarë pa me të voglën tolerancë”. Data e mësipërme e të dy urdhrave i ka munguar qëllimisht historisë tonë. Të dy i janë fshehur opinionit për 80 vjet, sepse gjithçka lidhet me domethënien dhe me rrjedhojat që dalin nga pyetjet se “Çfarë bënë partizanët e Enver Hoxhës një vit në Kosovë pas çlirimit të sajë, kur aty nuk kishte më gjermanë?
Kësaj pyetje, që ka qenë tabu në regjimin komunist, që nuk është shkruar asnjëherë për veprimtarinë një vjeçare të qëndrimit në Kosovë, jo të një e dy Brigadave, por të plot dy Divizioneve të UNÇSH-s, që nuk është shkruar në asnjë tekst të historinë tonë të Luftës Antifashiste, që nuk ka pasur një paragraf as në tekstet e shkollave, as në tekstet e historisë të atyre brigadave që luftuan në Kosovë, madje as edhe në Kosovë nuk është shkruar në 80 vjet për këtë çështje (veçse vitet e fundit atje diçka është leçitur), do t’i përgjigjemi në vijim.
Përse një operacion ndëshkimor e i fshehur dhjetëra vjet?!
Me urdhrat që përmendën në fillim, partizanët e Enver Hoxhës, për 10 muaj rresht, ndërmorën operacione spastrimi në Kosovë, jo më me gjermano-ballistët, por veçse me nacionalistët kosovarë. Ky operacion i gjerë, jo vetëm i forcave partizane të Enver Hoxhës, por edhe i shumë forcave të UNÇ jugosllave e maqedonase, që i u sulën Kosovës pas 9 majit 1945, ishte operacion ndëshkimor, që udhëheqja e lartë e Tiranës, qëllimisht e ka sfumuar ose më saktë e ka fshehur për dhjetëra vjet. Ky veprim i bërë me koshiencë të plotë nga ish-regjimet komuniste në Beograd e Tiranë, ndiqte synimin që të mos dihej asgjë për rezistencën dhe përpjekjet e nacionalistë kosovarë për liri, duke mbuluar edhe krimet e partizanëve tanë në Kosovë. Pikërisht për këtë objeksion madhor të serbo sllavëve të Shtabit të Titos, forcat partizane të Enver Hoxhës, kryen operacionin më luftarak e më të egër kundër Kosovës, duke e “krehur” territorin krahinë më krahinë e fshat më fshat e duke asgjësuar çdo lloj qëndrese nacionaliste shqiptare dhe pas saj sipas udhëzimeve të jugosllavëve, ngritën në të gjitha zonat e “çliruara”, këshillat na-çl të pushtetit komunist sllav.
Sipas planit strategjik, kudo që shkelën partizanët e Enver Hoxhës, ndonëse të rraskapitur nga luftimet me vëllezërit e tyre, ndonëse të pa veshur e të pa ushqyer dhe me shumë sëmundje ngjitëse, (ku tifo e morrit bënte kërdinë), i eliminuan hap pas hapi të gjithë nacionalistët, që luftuan kundër risllavizimit të Kosovës dhe ia dorëzuan “Kosovën e çliruar” sundimtarëve të rinj serbë. Kjo konsiderohet dhe ishte “vepra më e keqe” e tyre që për Tiranën zyrtare u bë vepra “mburrëse” se “partizanët e Enver Hoxhës çliruan Kosovën”.
Si u sollën partizanët tanë me kosovarët pas largimit të nazistëve?
E vërteta është se me çlirimin nga nazifashistët, popullsia e Kosovës pësoi një metamorfozë të madhe. Ndonëse gjermanët ikën me luftë e pa luftë nga Kosova, në atë boshllëk të krijuar, (patjetër rezultat i Luftës Antifashiste të kosovarëve nacionalistë dhe të partizaneve vendas, plus atyre nga Shqipëria), mësynë në mënyrë masive në të gjithë territorin e Kosovës edhe forcat e UNÇ jugosllave me organizmat gjakësore të OZNA-s etj., që krijuan kudo një situatë të rëndë.
Situata e rëndë e terrorit partizan në vitin 1945 në Kosovë, rezulton e pasqyruar ( duhet thënë jo e plotë) edhe në dokumentet e ndryshme të formacioneve tona partizane, informacione që dashje pa dashje kanë qëndruar të fshehta deri në këtë kohë. Masakra në Drenicë apo vrasjet e 2 mijë shqiptarëve në Mitrovicë dhe të 1 mijë të tjerëve në Gjilan, ishin vepra të bashkëpunimit të forcave të UNÇ jugosllave dhe shqiptare, ku pas nuk mbetën në krime as forcat e UNÇ maqedonase. P.sh. më 21 dhjetor 1944 partizanët e dy Divizioneve të tyre (mbi 15 brigada), kryen operacione ndëshkuese në zonat e Preshevës, të Gjilanit dhe të Kaçanikut. Vetëm para xhamisë së Vjetër në Gjilan, në sheshin ku u bë rezistenca e fundit antisllave, ata pushkatuan 50 veta.
Edhe Prizreni, një ndër bazat e qëndresës shqiptare, përjetoi çaste të rënda, sepse Brigada 2-të kosovare, që shpalli shtetrrethimin, arrestoi së bashku me partizanët tanë gati të gjithë burrat, që i gjeti nëpër shtëpia dhe i pushkatoi 70 prej tyre. Në mënyrë të veçantë ata goditën Rahovecin, Suharekën e Dragashin, ndërsa në Llashticë së bashku me forcat e OZNA-s, arrestuan dhe likuiduan 23 veta. Masakra të mëdha bënë edhe në Shipashnicë, Hogosht, Kopërnicë, Vrucec, Livoq i Poshtëm, Terpezë, Korenin, Livoq i Epërm, Rogoçicë, Cfircë, Tugjec, Zhyjë, Gjurishec, Lisockë, Shahiq, Dazhdinci, Tërstenë, Topanicë, Konçul, Rekali, Mareve, Kamenicë, Rubofe, Budrikë e Epërme, Lluçan të Preshevës, Miratofc, Vërban, Sllubicë, Tërnoc, Breznice, Dobrosis, Dobërçan, Ranatoc, Pogragjë, Përlepnicë, Busovatë, Malishevë të Gjilanit, Gosp, Gajre, Sllatinë, Makresh, Preshec, Stanec, Vellarage, Carravajkë dhe Stanec të Karadakut e në luginën e Preshevës.
Në fushëbeteja si para 29 nëntorit 1944 edhe gjatë pothuajse gjithë vitit 1945, ranë rreth 50 partizanë nga tanët, që, në fakt, statistikat e vendngjarjeve na thonë se të rënët më të shumtë në betejat e stisura ishin mes shqiptareve. E sot, si t’u themi fëmijëve që edukojmë se “dëshmorët që ranë në Kosovë, u vranë po nga shqiptarët”! Ahtëhere si ranë dëshmorë dhe për kë?! Kush e kishte pushtuar Kosovën në vitin 1945, apo pushtuan shqiptarët vetveten?! Po ata që i vranë, a ishin shqiptarë?! Po ata që u vranë, a ishin po shqiptarë?! Sa vështirë është shpjegimi!
Operacioni kundër nacionalistëve kosovarë, njollë e zezë e luftës partizane
Risulmi i partizanëve (sipas urdhrave që përmendëm) mbi nacionalistët kosovarë, mbetet njolla më e zezë në veprimtarinë luftarake të partizanëve të Enver Hoxhës. Inkursioni luftarak mbi nacionalistët në Kosovë, që rinisi pas mes shkurtit 1945 dhe përfundoi në dhjetor po të atij viti, asgjësoi të gjithë qëndresën antisllave të popullit të Kosovës duke eliminuar tërë nacionalistët, që luftonin për mos ripushtimin sllav të Kosovës.
Nga 15 shkurti i 1945-s, kohë kur nisën operacionin e spastrimit të Kosovës nga nacionalistët, e deri në 9 maj që kapitulloi Gjermania, partizanët e Enver Hoxhës rierdhën me aksione luftarake deri në Prishtinë, e kudo vepruan për spastrimin e plotë të nacionalistëve, një e vërtetë historike tashmë e zbuluar plotësisht, mjafton që cilido t’i përgjigjet pyetjes: Po pas 9 majit të vitit 1945, (kur Gjermania kishte kapitulluar dhe Lufta e Dyte Botërore kishte mbaruar) çfarë bënë partizanët e Enver Hoxhës në Kosovë?! A ka ndonjë tregimtarë apo historian (qoftë edhe majtist ekstremist) të më thotë se çfarë bënë 10 muaj në Kosovë partizanët e Enver Hoxhës?!
Ish-propaganda komuniste zyrtare thoshte se bënë luftë. Po, luftë bënë po kundër kujt, e me kë e bënë luftën?! Këtë na e sqarojnë një seri dokumentacione ish-të fshehura e se partizanët e Enver Hoxhës bënë luftë me nacionalistët, një luftë të vërtetë mes shqiptarësh.
Duke e konsideruar për një moment këtë si të pa vërtetë (siç është manipuluar 45 vjet në diktaturën komuniste), le të deduktojmë pak me një pyetje retorike. A mos vallë partizanët që qëndruan kaq gjatë në Kosovë, a mos “morën pjesë në “rindërtimin” e Kosovës”?! A mos ndërtuan ndonjë rrugë, urë, shtëpi, a qendër socialkulturore?! Gjithkush e di, jo! Ahtëherë le t’i lëmë retorikat boshe dhe të dalim në tezë: A mos “i shërbyen pushtetit ushtarak jugosllav”?! Po! Kjo e fundit është e vërteta.
Shtabi jugosllav zgjodhi rrugën e favorshme për ta, vendosi në Kosovë e bëri bashkëpunëtore në vrasje ushtrinë partizane të Enver Hoxhës. Dhe kështu pas 10 muajve operacione luftarake ndaj nacionalistëve kosovarë, në dhjetor të vitit 1945, partizanët e Enver Hoxhës, u kthyen “fitimtarë” në Shqipërinë e diktaturës që e ngritën vetë.
Autori: Drejtor Ekzekutiv Instituti i Sigurisë dhe Mbrojtjes