UVIL ZAJMI/ Ai ka qenë dhe mbetet një festival i famshëm i muzikës së lehtë italiane, i ndjekur nga e gjithë bota, shumë i pëlqyer edhe për shqiptarët. Me pasionin për ta ndjekur nga valët e radios, më pas në ato pak televizorë, deri më 1973, kur kanali italian Rai 1 që e transmetonte u mbyll me prepotencë, kryesisht për kryeqytetasit, pasi në qytete të tjera kishte alternativa për të kapur sinjalin e Rai-t. Pas Hit Parade emisioni radiofonik i Lelio Lutazit në vitet 70-të shumë e preferuar, i dëgjuar për brezat e asaj periudhe, Sanremo ishte ai që pritej me kureshtje, edhe pse në vite i parë në klandestinët, për ndjeshmërinë, njohjet dhe simpatia e krijuar për këngëtarët, këngët, prezantuesit.
Pa e menduar kurrë që në një edicion të tij, disa dekada më vonë, edhe artistët shqiptarë do të ngjiteshin në skenën mitike Arsiton-it. Pas 1990-tës, nga të ftuarit këngëtari Sherif Merdani, prezantuesja Alketa Veisiu, tek këngëtarët konkurrues, Elsa Lila dy herë dhe Ermal Meta, madje triumfues më 2018 me këngën “Non mi avete fatto niene”, duke iu rikthyer këtij festivali, që tradicionalisht organizohet në muajin shkurt, gazeta “Panorama”, do të risjellë debutimin e Elsa Lilës, në një rrëfim ndryshe, unikal të gazetarit, regjisorit të njohur Namik Ajazi, njeriu që e ka jetuar nga afër atë ngjarje. Nga Buado, te këngëtarët, intervistat, atmosferën sanremeze 2003. Ka qenë i pranishëm, madje me një mission tejet të veçantë, që për shqiptarët ishte ris, më shumë se befasi: “Çdo mbrëmje të festivalit, lidhesha direkt nga Sanermo me Tiranën, me studion e lajmeve qendrore ora 2.00 në Tvsh. Është festivali kur për herë të parë do të këndonte një këngëtare shqiptare”- kujton Ajazi.
Z. Ajazi, kur nis bashkëpunimi juaj me Elsa Lilën?
Elsa Lilën e kam ndjekur që në fillimet saj, kur ajo akoma ishte fëmijë, dhe adoleshente kur fitoi festivalin në Radio Televizion, në vitin 1996, me këngën “Pyes lotin”. Me ngjarjet e 96-tës, ajo u transferua në Itali, sepse i ati, një mik i imi, ish- korist i Teatrit të Operës, pas divorcit me mamanë e Elsës, bashkëjetonte me një italiane, punonjëse e Kryqit të Kuq, e cila pas trazirave të ‘97 e tërhoqi në Leçe, ku ai morri edhe fëmijët me vete, me to edhe Elsën.
Trazirat e -97, një nxitje përtej problematikës
Në vitin 1998, me Arben Çekun, operatorin e njohur të TVSH-së, bëmë një telereportazh. Në të kohë punoja për Telenorbën, por kishim një protokoll bashkëpunimi me TVSH-në që do të thoshte, që ne ndërtonim grupe të përbashkëta realizimi, duke i transmetuar si në Telenorba edhe në TVSH, për ato që kishin interes të përbashkët. Kështu ne realizuam “Motivet e dhimbjes time”, një telereportazh ku në qendër ishin pikërisht refugjatët e dytë që ikën, si pasojë e trazirave të ‘97, ku patëm edhe viktimat e Otrantos, etj, etj. Duke dashur gjithmonë që në këto angazhime që bëja, në këto dokumentarët, të jepja, edhe atë të shpresës që ishte gjithmonë brenda njerëzve, brenda nesh. Përtej problematikës, futa edhe disa elementë, si me rastin e ardhjes edhe të Elsa Lilës, që, kishte filluar të bashkëpunonte me një studio diskografike në Lece. Bisedova me të atin, e takuam, i bëmë intervistën në shtëpi ku banonte, njëkohësisht edhe në atë studion modeste ku regjistronte me bashkëpunëtorin e saj.
Lind një ide, për një dokumentar inkurajues…
Kur unë ndërtova dokumentarin “Denjësisht shqiptar”, më 2001, ishte një dëshirë për t’ju kundërvënë atij opinioni tejet negativ, që shtypi italian i asaj kohe, i mëshonte, ku shqiptarët shiheshin si mbartës, prurës jo vetëm të drogës, por edhe të prostitucionit. Fillimisht ishte një cikël me tetë puntata i Rai-t, “Italiani brava gente”, një dokumentar që ata e xhiruan në të gjitha vendet ku italianët kishin pasur sukses dhe kishin lënë gjurmët e tyre pozitive. Ishte e njëjta gjë, pra një ide për ta bërë edhe ne për shqiptarët.
Ka pengesa, por ju nuk ndaleni, merrni iniciativën për realizimin e tij
Në momentin e fundit, ky projekt ra, nuk e morra vesh asnjëherë pse nuk u bë, pasi u ngritën grupet e punës, u ndërtua struktura, etj.. Vendosa ta bëja vetë. Një projekti, që përtej mbështetjes që do bënte, Teleneorba e përcolla edhe në QKK ku fitoi. Një dokumentar dinjitoz, që e mbështeti edhe ajo. Me këtë dokumentar, ku operator ishte po Arben Çeku, kërkoja që të tregoja të kundërtën, pra që shqiptarët nuk ishin vetëm ata që tregoheshin nga italianët në faqet e gazetave, ato televizive, por për të edhe njerëz të suksesshëm. Kishin kaluar dhjetë vite nga eksodi, dhe që ishin adaptuar.
Protagoniste keni edhe disa artistë?
Ndër personat që trajtova, përtej Kledi Kadiut, pata zgjedhur edhe mjekë, inxhinierë, arkitektë që i trajtuam me kujdes. Edhe Elsën e gjetëm, e intervistuam në Romë, pasi ishte larguar nga Lece. Kishte filluar shkollën atje, kishte nisur të bënte hapat e para, drejt një përfaqësimi më të gjerë në Itali, për një njohje më të madhe.
“Destinazione paradiso” me protagonistë Baudon dhe Malxholion
Në vitin 2002, Elsa konkurroi në emisionin e njohur të Pipo Baudos, “Destinacione e Sanremo”, në shtator 2002, pasi seleksionimi për në Sanemo 2003, ishte një konkurs në Rai e filloi në fund të shtatorit dhe prundonte në nëntor. Në atë përzgjedhje, Elsa fitoi me pikët maksimale që na entuziazmoi shumë. I vetmi ishte Kristiano Malxholio, kompozitori, kritik i njohur që i dha 7 pikë, kur gjithë të tjerët e vlerësuan me dhjetë pikë. Vetë Pipo ishte i ekzaltuar. Ndaj Malxholios që ishte i vetmi që filluan vërshëllimat. Malxholio është një person, kontrovers që mundohet të gjejë gjithmonë atë që nuk shkon, të keqen dhe mendoj që prandaj e kishin përzgjedhur, e përzgjedhin edhe sot në këto juri televizive, sepse, i duhet një njeri që të “krijojë” problem dhe më mirë se Malxholio, askush tjetër nuk mund ta bënte. Sidoqoftë, edhe pse Malxholioi i dha 7 pikë pas të cilave, pati reagim në studio, Elsa e siguroi të ishte në Sanremo 2003.
Elsa Lila, tashmë ka njohje, e pret një karrierë artistike
Elsa do të ishte e para shqiptare që për herë të parë do të këndonte në Festivalin e Sanremos, bashkë me këngëtarët Big. Në momentin që ajo u përzgjodh unë bëra kronikë për lajmet, duke ia dhënë TVSH-së, pasi kisha eskluzivitetin e pamjeve, imazhit të Elsa Lilës kur këndoi në studio te “Destinacione Sanremo”.
Z. Ajazi, edhe për ju nis një eksperiencë e re?
Ndërkohë, fola me Fabrizio Lecin, producentin e Rai-it, ai që mbulonte gjithë këtë sipërmarrje, i kërkova akreditimin tim në netët e festivalit të Sanremos, të cilin ma bënë pa problem. Unë nuk isha marrë më parë me ketë sektor, kisha ndjekur kryesisht problemet sociale, politikë. Për mua kishte interes sepse ishte hera e parë, që një regjisor, një grup televiziv shqiptar të asistonte për të ndjekur Sanremon, që në fëmijërinë, rininë tonë, shihnim ngjyrat e bukura. Të asaj që e quanim “una finestra sull cortile”.
Ka një propozim tejet interesant për TVSH-në
I them Fred Dalipit asokohe Nën/ drejtor i përgjithshëm, i TVSH-së, që unë do të jem në Sanremo për Rai-n, dhe meqë jam me ty, dhe Elsa Lila është konfirmuar që do këndojë, pse të mos bëjmë lidhje me TVSH-në?
Sigurisht duke menduar anën financiare, më shumë, unë i kam të mbuluara shpenzimet e mia. Do të ishte mirë të bisedoni, për të gjetur mundësinë që të bëjmë diçka edhe për TVSH-në. Do flas me Artur Zhein, Drejtorin e Përgjithshëm, më thotë.
Propozimi juaj, pëlqehet, aprovohet nga drejtuesit televizivë
Kujtoj, se duke udhëtuar, afruar Sanremos, bashkë me operatorin, të ndjerin Anton Grishën, të cilin e mora për të mbuluar pjesën shqiptare në Festivalin e Sanremos, fola me Agron Çobanin, drejtorin e lajmeve, i cili më tha se do e zgjidhim në një farë mënyre, Ajo që unë kërkoj t’ju informoj nuk është problem ekonomik, pagesa, sepse unë i kam të mbyllura. Sigurisht që diçka simbolike ne do ta japim më thotë, pasi aq ishte kontributi në përgjithësi i TVSH-së në atë kohë,
Realizohet një ëndërr, asnjëherë në të kaluarën
Ajo që unë i kërkoja ishte sateliti, për të bërë lidhjen direkte. Nga Saneremo çdo ditë në orën 8 e 20, Rai lidhej direkt me studion e lajmeve të TG 1 në Romë. Në momentin që del Rai mbaronte lidhjen, ne mund të merrnim linjën, satelitin dhe të bënim diçka në përfundim të edicionit të lajmeve kryesore në TVSH-së, ato të orës 20.00. Dhe ashtu u bë. Këta garantuan linjën, falë satelitit, kjo edhe në bazë të një marrëveshje që ishte ndërmjet Rai-t dhe TVSH-së, që funksiononte për raste të ngjashme. Për pesë ditë nga podi që ishte vendosur në hyrje të Arstonit, pasi zbriste i dërguari i Rai-t, kam dalë live, duke bërë një përmbledhje të ditës së Festivalit. Sigurisht ajo që ishte më e rëndësishme, lidhje me debutimin e Elsa Lilës, Po kështu edhe për konferenca shtypi intervista.
Cili ishte angazhimi në ato ditë qëndrimi në Sanremo?
Elsa ishte akomoduar në një nga hotelet e mira të Sanremos, ndërsa ne ishim në periferi, sepse hoteli që na kishin gjetur në qendër ishte një mini dhomë që mua nuk më pëlqeu, dhe ne u spostuam në një hotel “Marinela”, në hyrje të Sanremos, vetëm pesë minuta me makinë. Në periudhën e festivalit, qyteti është e bombarduar më shumë se gjithçka tjetër nga prezenca e Raiit. Skenografë, teknikë audio, që ishin të vendosur aty, një muaj e gjysmë përpara, rreth 450 punonjës të saj aty që përgatiteshin. Dita ishte e ngarkuar, me prezantimet, konferenca shtypi mbi këngën, takime, intervista private, etj. Këngëtarët kishin mbi 20 ditë që bënin provat e përditshme, por ato të mbrëmjes së konkurrimit, si të fundit shoqëroheshin me detaje, nga do hipësh, do dalësh në skenë, nga do zbresësh, etj. Kryesisht efektet skenografike dhe të kamerave.
Një këngë, melodi dhe tekst me historinë e një vajze?
Erdhi dita e debutimit të Elsës. Kënga ime me titull “Valeria”, me tekst dhe muzikë të Luka Bekeli dhe Marco Marati, që zgjaste rreth 4 minuta e gjysmë. Nga akritikët, publiku kishte pritshmëri, por nuk ishte ajo që Elsa priste. Këtë ajo ma tha gjatë atyre ditëve. Madje kur folëm mbrëmjen që do të këndonte, Elsa m’u shpreh: “Unë do vi, do jap gjithçka timen, por kënga nuk është ajo që kisha menduar”. Sigurisht që kënga ishte brenda parametrave, interesave të shtëpisë diskografike që ajo përfaqësonte, dhe që ditën e konkurrimit, ata ishim aty.
Konkurrimi dinjitoz, por nuk ka çmim
Fatkeqësisht kënga e Elsës nuk u nominua me çmim, nisur nga çfarë të gjithë ne prisnim, duke menduar që do të kishte një vlerësim. Edhe kur diskutuam, ndonëse ajo dha maksimumin, por sigurisht e vështirë edhe nga emocionet, pjesëmarrja e parë e një këngëtareje shqiptare në një festival aq të rëndësishëm.
Cila ishte atmosfera në Shqipëri, për atë konkurrim të Elsa Lilës?
Veçanërisht, konkurrimi, interpretimi i Lilës në natën e dytë u prit me shumë interes, në vendin tonë. Besoj se duhet të ketë qenë një ndër netët që është ndjekur më shumë, si hera e parë që një këngëtare, e njohur, e pëlqyer shumë në Shqipëri, të njëjtin vlerësim pati edhe në Sanremo.
Një look i veçantë i Elsës atë natë, zgjedhje personale e saj?
Shtëpia diskografike, ajo që prodhon këngën, kujdeset për të gjitha deri te veshja në sintoni me drejtorin artistik dhe stafin e Rai-t, sepse ato mund të kenë interes për ta veshur në një një farë mënyre këngëtaren, por janë disa parametra, që i ka regjia dhe kryesisht drejtuesi artistik i festivalit që është i kujdesshëm deri në detaje, bashkë me ekipin e tij.
Ka një telefonatë përgëzimi, që vjen pas mesnate nga Tirana
Dua të them një detaj të rëndësishëm. Elsa më kishte dhënë një numër telefoni, duke më këshilluar që mbaje, e ke për vete, pa ja dhënë tjetër njeriu se më bezdisin. Pasi mbaroi debutimi, duhet të ketë qenë pas mesnate, ndërsa ishim ulur për të ngrënë diçka, më bie zilja. Ishte Aldrin Dalipi, zëdhënësi i Fatos Nanos. Nëse ke mundësi të më japësh numrin e Elsa Lilës, më thotë se dëshiron ta urojë kryeministri. Ta jap, por përpara do i telefonoj se ajo, nuk e hap kur nuk e njeh. E marr, ajo ishte me producentët e saj i them Elsa, do të bjerë një thirrje nga një numër fiks apo celular, të lutem hapë se mund te jetë kryeministri që dëshiron të urojë.
Një tufë me lule, për Elsa Lilën, zërin shqiptar në atë festival
Pas dy ditësh festivali përfundoi, një festival i bukur, ku për herë të parë Shqipëria, me një këngëtare u përfaqësua në Sanremo. Në një intervistë me Elsën e them: Pavarësisht se nuk u vlerësove, çmimi ishte i publikut të Shqipërisë. Një çmim shumë më i madh, sepse hera e parë që në një festival aq të famshëm, të njohur dhe prestigjioz të muzikës, ishte edhe ajo shqiptare që u përfaqësua denjësisht nga një këngëtare premtuese, një zë i mrekullueshëm, që gjithsesi nuk ngeli pa vëmendje edhe pse konkurrimi ishte vështirë, aq më shumë për të marrë një çmim që në debutim. Dhe në mënyrë simbolike i dhurova një tufë me lule direkt kur po e regjistronim.
Nga intervistat e realizuar atje, cila mbetet e veçantë?
Ajo me Pipo Baudon, një personazh inteligjent, profesionist i vërtetë, prezantues, gjithashtu. Mbi të gjitha për dashamirësinë që kishte për Elsa Lilën, për ne që e tregoi, kur e zgjodhi, Elsën, për të cilën fliste me superlativa. Pastaj ishte juria që përcaktoi çmimet.
Ka një tjetër rikthim për ju dhe Elsa Lilën në Sanremo?
Unë u riktheva në Sanremo më 2007 për ta ndjekur, sërish Elsën në konkurrimin e dytë, me këngën “Il senso della vita”. Erdhi edhe ambasadori ynë Llesh Kola, me Ilir Tepelenën, këshilltarin e ambasadës, ndoqën natën e Elsa Lilës, edhe në këtë edicion nuk arriti të merrte çmim. Dhe për Baudon ishte prezantimi i fundit.
Vazhdon tradita e re e sapo krijuar?
Edhe në atë festival, realizuam lidhjen direkte me TVSHnë, duke i dhënë atij televizioni, gjithçka që kam pasur të mundur. TVSH kishte nevojë, publiku shqiptar meritonte, dhe në fund të fundit TVSH mbetet një mitent publik, dhe shtrirja e tij, shpërndahet, shihet në të gjithë vendin. Një kontribut edhe si punonjës, bashkëpunëtor i saj në vite.
Ka një propozim me vlerë nga Stefan Gajo
Kur erdhëm, dokumentarin e montuam në kohë rekord, duke punuar deri në mëngjes, sepse ende ishte e freskët atmosfera e tij dhe nuk mund të jepej një javë pasi kishte përfunduar festivali. Një speciale 40 minuta, që u transmetua menjëherë pas lajmeve qendrore. I ndjeri Agron Çobani, thirri operatorin, drejtorin e fotografisë, Stefan Gajon për ta parë. Në korridor duke shkuar te zyra e Agronit, kujtoj një fjalë shumë të bukur, Gajo, që e pëlqeu shumë, pasi më përgëzoi dhe duke qenë se në atë kohë vlonte pirateria televizive, i thotë” Që të mos përdoret nga një televizion tjetër, sugjeroj të shkruhet “Ekskluzive”. Dokumentari është transmetuar në orën 8.38 deri më 9.15, dhe gjatë gjithë kohës, me fashën “Ekskluzive Tvsh”.
Vjen fundi i një pune të bukur artistike me Elsa Lilën?
Nga 1998 me Elsa Lilën, nga dokumentari i parë: “Motivet e dhimbjes time”, me Arben Çekun, më pas me “Dënjësit shqiptar”, ku Elsa kishte një rol interesant të karrierës së saj, suksesin dhe përfaqësimin që kishte bërë në ato vite në Itali për të përfunduar te ndjekja e fundit, në Sanremo 2007, ku ajo morri pjesë për herë të fundit, gati 10 vjet.
Një dëshirë, një festival, i munguar për ju, z. Ajazi?
Ajo që mbetet peng, por nga ngarkesat e punës, angazhimi me projektin e filmit, nuk më mundësoi të isha, kur në Sanremo 2018 u përfaqësuam me Ermal Metën, që fatmirësisht ia arriti të fitonte të sillte çmimin e parë, të një festivali dinjitoz, kaq të dashur për ne, që pati jehonë. Pasi sot ndryshe nga 2003, 2007, lajmet, rrjetet sociale, ato online e kanë rritur mënyrën e komunikimit të menjëhershëm, por, gjithsesi do të kisha dëshirë që ajo fillesë me ndjekjen e Elsës më 2003, 2007 të kishte pasur një “happy and” më të bukur të kisha qenë në festivalin e triumfit të fuqishëm të Ermalit me këngën “Non mi avete fatto niente”, një interpretim i tij me Fabrizio Moron. Një këngë që u pëlqye, duke e bërë atë një këngëtar më të dashur për shqiptarët që mburren e ndjehen mirë me të, por edhe përtej Italisë.