Në dyert e Gjykatës së Lartë ka mbërritur një rekurs i bërë nga një 26-vjeçar nga Rrësheni, i cili ka përfunduar në burg për akuzën e përndjekjes dhe dhunës në familje. Ky i fundit u arrestua dhe më pas Gjykata e la në burg, pas denoncimit që iu bë nga e dashura e tij, me të cilën kishte një romancë prej disa muajsh.
Por historia e tij përngjan pak a shumë me atë të telenovelave…
Gjithçka nisi në muajin qershor të vitin 2024, kur i riu me iniciale I.B., u njoh në rrjetet sociale me një vajzë me inicialet M.H..
Sipas dosjes që Top Channel ka lexuar, kjo e fundit, e martuar prej tre vitesh dhe me një fëmijë të mitur, fakt të cilin nuk ia kishte treguar atij. Ata kanë qenë në një lidhje jashtëmartesore për 5 muaj, por askush nuk ka qenë në dijeni për këtë.
Që në fillim të lidhjes I.B., ka filluar ta privojë duke e ndaluar për shumë gjëra si dhe i ka vendosur GPS që ajo ta mbante me vete, duke i thënë se këtë gjë e bën për ta mbrojtur. Po ashtu ajo ka tentuar disa herë që të largohet prej tij dhe të shkëpusë çdo lloj marrëdhënie, por 26 vjeçari dyshohet se i ka bërë presion duke e kërcënuar se do i vrasë familjen, atë dhe më pas do vrasë veten.
Ajo shprehej se dyshonte se ai mund ta bënte vërtet këtë gjë pasi i kishte treguar vetë që mbante pistoletë dhe dorezë hekuri. Sipas dëshmisë së saj, ai shkonte çdo pasdite poshtë pallatit ku ajo banonte në Tiranë dhe i kërkon që të dilte me atë.
Më tej, ajo ka deklaruar se nuk i ka treguar atij që është e martuar dhe ka një fëmijë pasi e ka gënjyer duke i thënë se vajza është mbesa e saj. Në dëshminë e saj ajo ka deklaruar se situata është tepër e acaruar dhe se ndihet shumë e frikësuar pasi shpesh herë është dhunuar nga ai, deklarim për të cilat ka edhe fotografi të ruajtura në telefon.
Por rasti kur ajo e ka denoncuar është shënuar në tetor, kur ajo ka dalë nga shtëpia në mëngjes herët bashkë me burrin dhe fëmijën, dhe kanë marrë një taksi nga Tiranë drejt një qyteti tjetër ku ajo kishte prindërit.
Por gjatë rrugës, taksisë ku kishte hipur po i bënte shenjë me drita 26-vjeçari duke i kërkuar që të ndalonte. Pasi kanë ndaluar, ai ka hapur derën e taksisë dhe i ka kërkuar asaj që të dalë nga makina, duke u konfliktuar edhe më bashkëshortin saj, teksa ky i fundit e ka pyetur se cili ishte.
Pas këtij episodi dhe përleshjes fizike, ai është larguar duke i thënë se do t’i priste në qytetin ku ata ishin nisur për të shkuar, ndërsa gjatë rrugës, çifti kanë ndaluar në një tjetër qytet dhe kanë bërë denoncim.
Më pas policia ka vënë në pranga të riun, teksa i janë sekuestruar edhe një mjet që në dukje dukej si armë, por ai ka thënë se ishte lodër dhe ishte e nipit të tij.
Gjithashtu, në cilësinë e provës është sekuestruar edhe një kartëvizitë, ku pas saj është shkruar me shkrim dore: “Një dhurate për qoften, nga …. Qofte të falënderoj që ke hyrë në jetën time dhe qe je bërë pjesë e brendshme e saj. Gëzuar ditëlindjen zemër”.
Në seancën gjyqësore, i hetuari ka deklaruar se rasti është i sajuar dhe se ai ka qenë viktimë e mashtrimeve të kallëzueses.
Ai rrëfen një version krejtësisht tjetër nga ai i të resë….
Pala mbrojtëse e të akuzuarit, kanë deklaruar: Ngjarja e treguar nga zonja është pjesërisht e vërtetë! Ashtu siç ajo ka deklaruar, I. dhe M. janë njohur në rrjetet sociale më datë 27 prill. M. i është prezantuar si beqare dhe me moshë 23 vjeçe. Pasi kanë komunikuar në rrjetet sociale, të dy kanë rënë dakord të bënin një hap më tej në raportin e tyre dhe të takoheshin. Më datë 19 maj, në telefonin e I. vjen një SMS nga telefoni i M., por pretendohej se ishte motra e saj, ku thuhej se M. Ka tentuar të vrasë veten pasi dikush e kishte përdhunuar dhe gjendja e saj ishte tejet e rënduar psikologjikisht.
Marrëdhënia vazhdoi, por pa u takuar, M. i tregonte për gjendjen e saj dhe shenjave që i kish lënë përdhunimi. Më datë 10 qershor janë takuar për herë të parë dhe më datë 15 qershor janë takuar sërish dhe kanë kaluar në intimitet. Më datë 29 qershor, M. i deklaron I. se është shtatzënë me fëmijën e tij. Mi. këtë deklaratë shtatzënie ia provon edhe me foton e një testi shtatzënie
E gjithë familja e I. ishte njohur me M., dhe kërkonin që të njihnin familjen e saj, por ajo u kishte thënë se mamaja e saj ishte jashtë vendit pasi kishte probleme shëndetësore. Gjatë kësaj periudhe, u bë e mundur vetëm komunikimi me SMS me “vëllain”.
dhe “babain” e M. Vëllai i M. i shkruan I. dhe i tregon se ajo nuk është motra e tij biologjike, por e kanë birësuar pasi nëna e saj kishte ndërruar jetë në një aksident automobilistik.
E gjithë familja e I. dhe vetë ai po gëzonin që së shpejti do të vinte në jetë një bebe dhe kryenin rregullisht vizitat dhe konsultat e M. tek mjeku, të cilat gjithmonë i bënte vetëm.
Marrëdhënia e I. dhe M. ishte shumë e mirë, ata takoheshin çdo ditë poshtë shtëpisë së saj dhe madje M. gati gjithmonë kishte me vete edhe një vajzë të vogël, të cilën e kishte prezantuar si mbesën e saj, pasi sipas saj, ishte e detyruar ta mbante, pasi vëllai i saj dhe kunata ishin duke qëndruar pranë mamasë së sëmurë.
Motra e I. shpesh mbante vajzën e vogël për t’i ardhur në ndihmë M..
Shtatzënia e supozuar po shkonte mirë, por papritmas del në skenë “babai” i M., me anë të një SMS-je që ia dërgon I. dhe i shpjegon se M. nuk mund ta mbante shtatzëninë, pasi si pasojë e tentativës për vetëvrasje kishte pësuar dëme të rënda shëndetësore dhe duhej ndërprerë shtatzënia, pasi i rrezikohej jeta e saj. I. tronditet, por për të shpëtuar “M.”, ai i kërkon asaj që të ndërpresë shtatzëninë. Në momentet e para ajo heziton, por me këmbënguljen e I. dhe “babait” të saj, ajo bindet.
Palët bien dakord që do të ndërpritej shtatzënia (e gjithë kjo një mashtrim nga ana e M.), por kjo ndërhyrje duhej bërë në një qytet tjetër jo në Tiranë. (Të gjitha këto janë të provuara me anë të komunikimeve me mesazhe në telefonin e I.).
Më datë 12.10.2024, M. do të shoqërohej nga xhaxhai dhe kushëriri drejt qytetit për të bërë ndërprerjen e shtatzënisë.
I., tejet i lënduar nga humbja e bebit që mezi e priste, mendon për M. dhe mendon t’i bëjë asaj një surprizë në momentin që ajo do dilte nga spitali dhe ta takonte në qytetin ku do të bënte ndërhyrjen.
Udhëton gjatë natës dhe niset drejt qytetit. M. i tregon se po udhëtonte me xhaxhain, kushërinin dhe mbesën e vogël. Rrugës, I. vëren se diçka nuk shkonte.
Pas fatkeqësive që M. i kishte treguar dhe për të ardhur në ndihmë dhe për ta mbrojtur atë e ndjek makinën, duke u frikësuar për atë që po ndodhte, pasi ajo nuk ishte me makinën që kishte deklaruar, por në një mjet tjetër. Kjo gjë ngjall dyshime te I.
I bën me shenjë makinës për të hapur krahun për të kuptuar se çfarë po ndodhte. Pasi ndalojnë makinat, I. afrohet dhe pyet M. se me kë ishte dhe pse nuk ishte me makinën që kishte thënë babai i saj. Ajo i thotë se ishte me mbesën dhe me kushëririn. Ndërkohë zbret djali që e shoqëronte M. dhe ai pyet se kush ishte ky, duke iu referuar I.. Aty përgjigjet se ishte babai i fëmijës që kishte në bark M.. Në këtë moment ndërhyn M., e cila i thotë: “Ikim, hipim në makinë, se është i pirë dhe nuk di çfarë flet”. I. ikën në makinën e tij, me dyshimet e veta; por nga larg shikon që djali që e shoqëronte dhunon M. dhe e hipën me forcë në makinë. Pasi ishin nisur, bindja se M.. po kërcënohej nga një rrezik i shtohet dhe ai bën sërish me shenjë që makina të ndalonte. Makina ndalon sërish dhe I. shkon të hapë derën e pasagjerit, ku ishte ulur “kushëriri” i M.. Sipas tij, e pyet kush ishte ai dhe pse dhunonte M.. Ai i thotë: “Ta tregoj kush jam, a ke rrugë për në (emër qyteti)!” Aty konfliktohen me zotërinë dhe largohen.
Që në fillim, kjo histori dashurie është ngritur mbi gënjeshtra nga ana e M. dhe një ndjenjë të pastër nga ana e I. dhe familjes së tij, që e futën në shtëpi dhe e deshën dhe respektuan si nusen e shtëpisë, znj. M..
Gjatë gjithë kësaj periudhe, I. është përpjekur ta mbrojë atë nga rreziqet që ajo mashtronte se i kërcënonin. I. dhe familja e tij janë përpjekur edhe në limitet e mundësive për të plotësuar nevojat ekonomike të M., duke mbuluar të gjitha shpenzimet dhe ndjekjet pranë klinikave mjekësore të shtatzënisë së supozuar.
Por Gjykata nuk e ka cilësuar si të besueshëm versionin e tij.