ENIDA HIMAJ/ Në Shqipëri ai mbahet mend si një nga artistët më të dashur, por në SHBA, rrugëtimi tij vijoi edhe më tej, duke u shndërruar në një ‘brand’ tashmë ndërkombëtar. E kemi fjalën për Erand Sojlin, që prej vitesh ka sjellë art edhe në kontinentin e largët. Në rrëfimin e tij për “ Gazeta Panorama”, aktori zbulon sesi kanë qenë fillimet e tij në SHBA, duke zbuluar edhe arsyen pse vendosi që të largohej bashkë me familjen.
Pavarësisht sfidave, Erand Sojli nuk pati asnjë moment dilema, rreth asaj çfarë duhet të bënte. Një film shqiptaro-amerikan, “The Spark”, një Festival Film, dhe së fundmi dhe Teatri i Diasporës, janë vetëm disa nga angazhimet artistike që ai ka sjellë në jetë. Ky është një rrëfim për ëndrrat e një artisti, një rrëfim për përballjen me publikun, si dhe një përjetim, për aktorin, që preku skenat ndërkombëtare, duke ofruar një koncept tjetër të artit edhe në SHBA.
Erand Sojli, artisti që u shpërngul në SHBA dhe mori dhe artin e tij me vete. Pse vendosët të largoheshit?
Është vërtet për t’ju falënderuar për kohën që më dhatë për të komunikuar me publikun. Të them të drejtën, në asnjë moment nuk kam menduar as të kthehem, as të rri! Sepse unë kam bërë një zgjedhje në jetën time për të qenë artist! Jam shkolluar dhe kam investuar gjithë jetën time për këtë profesion, dhe nga ky mentalitet që kam për ekzistencën time buron gjithçka! Sakrifica, suksesi, zhvendosjet, dështimet, risitë, etj. Të gjitha janë brenda meje. Prandaj nuk kam pasur kurrë dilema të kthehem apo të rri. Në fund të fundit, unë jam artist dhe bota është e imja! Sfidat kanë qenë të panumërta dhe vazhdojnë ende, por kjo më jep adrenalinë, sepse kudo që jam, di të bëj diçka të mirë! Sepse në fund, të gjithë lëmë veprat tona.
Ka pasur shumë emra të rëndësishëm të skenës, që në SHBA e kanë humbur karrierën, duke bërë punë të zakonshme. A ju trembi kjo ‘e ardhme’ kur mbërritët?
Kush tha? Unë nuk erdha nga e keqja, erdha për të rritur dhe shkolluar vajzat e mia në një vend me më pak hajdutë, me më pak të korruptuar, dhe në një vend ku shpresa nuk humbet kurrë dhe ku mund të ndodhin mrekullitë! Sa për artistët e tjerë, nuk besoj se kanë kërkuar të vazhdojnë të jetojnë me profesionin e tyre. Mbase kanë qenë më realistë se unë. Gjë të cilën unë nuk e kam fare. Realiteti i takon atyre që mendojnë. Artisti nuk mendon, ai vetëm ndjen dhe bën!
Megjithatë, ju ishit nga ata që e gjetët hapësirën për të bërë art edhe në kontinentin e largët. Si mbërritët deri tek vënia në jetë e shfaqjeve?
Unë nuk kam bërë vetëm teatër këtu. Kam realizuar filmin e parë të pavarur shqiptaro-amerikan me titull “The Spark”, i cili u shfaq në kinematë amerikane. Sigurisht nuk e bëra vetëm, por arrita të motivoj dhe të zgjoj nga gjumi shpirtin artistik të atyre aktorëve që kishin me dhjetëra vite këtu dhe nuk kishin besuar kurrë se një gjë e tillë mund të ndodhte. Dhe ai film, që nisi si një ëndërr, u realizua dhe i solli komunitetit në vëmendje se këtu paska edhe artistë të tjerë përveç Erandit. Po kështu, kemi organizuar një festival filmi – i pari në Boston, për nga lloji dhe misioni. Falë menaxheres sime Elisabeta Andrea dhe producentit Nikolin Gaçe, u vunë në lëvizje të gjithë dhe krijuam atë që nuk e kishin menduar kurrë.
Ky festival bëri të mundur mbledhjen e një shumë të konsiderueshme për një shoqatë shqiptare që lufton kundër kancerit dhe për Qendrën Kulturore Fan Noli, e cila u inaugurua pikërisht ditën e hapjes së festivalit. A kishte vështirësi? Sigurisht. Por të papërfillshme në raport me misionin që kishim dhe atë çfarë i sollëm komunitetit. Në fund, të gjithë ata që mendonin se nuk duhej ky festival, u ndjenë krenarë dhe u mburrën me këtë vepër. Po kështu edhe me Teatrin e Diasporës, i cili u krijua nga Elisabeta Gaçe dhe unë. Por merita i shkon edhe atyre që na mbështetën pa u kursyer – me kohën e tyre, me paratë e tyre dhe me dashurinë e tyre për një tjetër formë argëtimi, siç është teatri.
Sa mirëpritur jeni nga komuniteti amerikan? Ka pasur raste kur jeni ndjerë i paragjykuar?
Audienca amerikane nuk është paragjykuese, përkundrazi. Është tepër dashamirëse dhe komplimentuese. Paragjykuesit më të mëdhenj jemi ne, për shkaqe që nuk kanë fare lidhje me kualitetin ose me artin që bëjmë.
Teatri i Diasporës, sa ju përmbush si profesionist?
Teatri i Diasporës ka qenë ëndrra ime në sirtar që prej kohës kur nisa karrierën në televizion. Pas tureve që bënim jashtë, kuptova se shqiptarët e duan teatrin më shumë se çdo fushë tjetër, përveç muzikës popullore. Por askush nuk ua kishte servirur deri më sot.
Sa ndjekin shqiptarët e Amerikës teatrin dhe artin në përgjithësi?
Që nga shfaqja e parë e këtij teatri në shtator 2024 e deri më sot, audienca jonë po shtohet dhe po kërkohemi në të katër anët e globit. Kjo nismë u bë papritur kaq e madhe, sa na duhet një mbështetje më e madhe për të përballuar fluksin e shqiptarëve në mbarë botën. Për këtë arsye, kemi ndalur momentalisht për t’u riorganizuar dhe për të siguruar mbështetjen e duhur.
Çfarë preferohet në SHBA, që në Shqipëri nuk zgjidhet më nga publiku?
Këtu, muzika është pak më tradicionale dhe në 80% të rasteve janë të njëjtat forma argëtimi. Besoj se në të ardhmen, komuniteti shqiptar do të ketë më shumë alternativa për të kaluar kohën e lirë në një formë më speciale. Po përpiqemi të sjellim edhe teatrin e kukullave për t’u ofruar fëmijëve shqiptaro-amerikanë një argëtim edhe gjuhësor e kulturor, edhe zbavitës. Sepse duke investuar në këtë brez, do të arrijmë të garantojmë pasurinë më të madhe të një kombi – traditën kulturore.
A janë të varfër artistët shqiptarë?
Kush është artist, nuk është kurrë i varfër! Sepse artistët kanë shpirtin e pasur. Dhe është pikërisht ai shpirt që mbart vlerat, emocionet dhe emrin, për të cilin shumë të pasur japin gjithçka dhe nuk e gjejnë dot!
Muajt e fundit, shumë zhurmë është bërë për rastin e Parashqevi Simakut. Ju që i njihni artistët në SHBA, sa mbështeten ata nga komuniteti?
Rasti i Parashqevisë është tregues i komunitetit tonë, i cili nuk e ka prioritet artin. Parashqevi Simaku ishte diva shqiptare e kohës së saj dhe fatkeqësia e saj ishte se nuk u mbështet nga ata që duhej ta promovonin për të pasur edhe ne një Céline Dion ose një Mariah Carey.
Si ka ndryshuar Erandi pas SHBA-së?
Ka ndryshuar formë, por jo përmbajtje. Është po i njëjti, thjesht i veshur me të zeza – siç na do Amerika.
Projektet e së ardhmes?
Shumë, shumë, shumë… por sekret për një moment tjetër!