Policia e Tiranës thotë se ka arrestuar një të ri, i cili në bashkëpunim me persona të tjerë hodhën lëndë piroteknike në drejtim të tre efektivëve të policisë gjatë protestës së opozitës.
Në pranga ka rënë shtetasi E.T 19 vjeç nga Tirana, ndërsa ka nisur hetimi edhe për 4 protestues të tjerë, tre nga Korça dhe një nga kryeqyteti.
“Pas përfundimit të protestës është këqyrur vendi i ngjarjes, ku janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale objekte dhe sende të hedhura në drejtim të punonjësve të Policisë dhe selisë së Kryeministrisë, të cilat janë dërguar për ekspertim të mëtejshëm”, thotë policia.
Ndërkohë vijon këqyrja e pamjeve filmike për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në veprimtari kriminale.
Njoftimi i policise
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera për identifikimin dhe kapjen e personave që hodhën lëndë piroteknike drejt punonjësve të policisë të planizuar me shërbim para Kryeministrisë më datë 08.02.2025, Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1, identifikuan dhe arrestuan shtetasin E. T., 19 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë ende të paidentifikuar, kanë hedhur lëndë plasëse artizanale dhe lëndë piroteknike në drejtim të punonjësve të policisë të planëzuar me shërbim, ku si pasojë kanë mbetur të dëmtuar dhe kanë marrë ndihmë mjekësore në spital 3 punonjës policie.
Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit O. Gj., 18 vjeç, A. D., 40 vjeç, D. C., 19 vjeç, të tre banues në Korçë dhe F. L., 24 vjeç, banues në Tiranë.
Pas përfundimit të protestës është këqyrur vendi i ngjarjes, ku janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale objekte dhe sende të hedhura në drejtim të punonjësve të Policisë dhe selisë së Kryeministrisë, të cilat janë dërguar për ekspertim të mëtejshëm.
Vijon këqyrja e pamjeve filmike për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në veprimtari kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.