Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi thotë se arrestimi i kryetarit të bashkisë Tiranë me urdhër të SPAK, është një shenjë e mirë që tregon se ky institucion po punon.
Nga Kuvendi i Shqipërisë, Shehi tha se SPAK tregoi sot kurajë duke arrestuar Erion Veliajn.
“Dua të bëj një urim atyre zotërinjve të SPAK që po tregojnë se kanë kurajë dhe nuk tërhiqen përpara asnjë pale edhe atyre që janë quajt të paprekshëm deri sot. Shenjë e mirë që ky institucion po punon dhe koha po e tregon. Uroj që të kenë kurajë të vazhdojnë deri në fund, t’i dalin për zot asaj që kanë marrë përsipër“, tha Shehi.
Kujtojmë se kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u arrestua me urdhër të SPAK mesditën e sotme.
![ve](https://www.panorama.com.al/wp-content/uploads/2025/02/ve.jpg)
Ai ndodhej në ambientet e Bashkisë Tiranë kur u shoqërua nga agjentët e BKH-së drejt bllokut të sigurisë “Mine Peza”.
Gjithashtu është lëshuar urdhër arresti për bashkëshorten e kryebashkiakut, Ajola Xoxa. Ndaj saj është caktuar masë sigurie “arrest shtëpie”, por Ajola Xoxa ndodhet jashtë vendit.
Bashkëshortja e kryebashkiakut rezulton se ka dalë jashtë Shqipërisë më datën 8 Shkurt.