Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se përgjegjësinë për rezultatin e zgjedhjeve e merr vetë ai, ndërsa llogari do t’i japë vetëm LDK-së dhe votuesve të saj.
Në konferencë për media, Abdixhiku i ka bërë të ditura edhe rezultate preliminare dhe i ka uruar të gjitha partitë për procesin zgjedhor.
“Sipas numërimit që janë marrë nga komisionarët dhe vëzhguesit e LDK-së, LDK-ja ka marrë 158.954 vota apo 18.1 për qind, LVV-ja ka marrë 347.543 vota ose 39.8 për qind, PDK-ja ka marrë 190.363 vota apo 21.8 për qind, AAK-Nisma ka marrë 66.635 vota apo 7.6 për qind”, tha ai.
Abdixhiku ka thënë se presin të kenë rreth 30-35 mijë vota nga emigratet dhe do ta çojnë rezultatin në rreth 190 mijë vota.
“Ndonëse kemi rritje të konsiderueshme, nuk është rezultat i kënaqshëm. Ky rezultat na jep me shumë gjasë statusin e opozitarit”, tha Abdixhiku, teksa ka pasur kritika për dështimin e KQZ-së për t’i paraqitur rezultatet preliminare.
“Nuk e kam ndërmend të jap dorëheqje”, ka shtuar ai ndër të tjera.