Kryeministri Edi Rama e mbylli komunikimin e tij live në Facebook sërish me një koment për arrestimin e kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Edhe pse thotë se drejtësia ka mbështetjen e Partisë Socialiste, Rama thekson se nga drejtësia do të kërkojnë standarde të panegociueshme.
Rama thotë se duhet kuptuar përse u arrestua Erion Veliaj, sipas kryeministrit pa gjyq. Ndërsa thekson se PS do të mbajë një pozicion të konsoliduar.
“Ngjarja e djeshme është një ngjarje që do të kërkojë fokusin dhe konsolidimin e një pozicioni të qartë PS duke i dhënë mbështetje drejtësisë dhe duke kërkuar nga drejtësia standarde të panegociueshme. Duhet kuptuar në radhë të parë çfarë ka bërë kryetari i bashkisë që të hiqet nga puna dhe kujt duhet t’ia kërkojë kryeqyteti arsyen pse është lënë pa kokë, pa gjyq”, tha kryeministri.
Një përgjigje kishte edhe për ata që i kërkojnë të largohet nga pushteti.
“Rama ik Rama ik, unë do iki vetëm përpara bashkë me PS, sa më shumë të merreni me mua Rama ik Rama ik aq më larg do më kenë kur të më shihni nga prapa”, tha kryeministri.