Një zyrtar i lartë në Departamentin amerikan të Drejtësisë ka urdhëruar prokurorët federalë të tërheqin akuzat kundër kryebashkiakut të Nju Jorkut Eric Adams, një demokrat që ka kultivuar një marrëdhënie të ngrohtë me Presidentin Donald Trump.
Në një memorandum prej dy faqesh të siguruar nga agjencia e lajmeve Associated Press, Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm në detyrë Emil Bove tha se vendimi për të hedhur poshtë akuzat u mor pa një vlerësim të provave të prokurorisë dhe nuk kishte për qëllim të vinte në dyshim avokatët që ngritën çështjen.
Por, zoti Bove tha, se koha e akuzave dhe “veprimet më të fundit” nga ish-avokati amerikan që drejtoi zyrën në Nju Jork, Damian Williams, “kanë kërcënuar integritetin e procedurave, duke përfshirë rritjen e publicitetit paragjykues që rrezikon të ndikojë në dëshmitarët e mundshëm dhe anëtarët e jurisë”.
Zoti Bove shkroi gjithashtu se ndjekja penale në pritje ka “kufizuar padrejtësisht” aftësinë e zotit Adams për t’i “kushtuar vëmendjen dhe kapacitetet e plota luftës kundër imigrimit të paligjshëm dhe krimit të dhunshëm që është përshkallëzuar për shkak të politikave të administratës së mëparshme”.
Urdhri i Departamentit të Drejtësisë udhëzon që çështja të pushohet pa paragjykime, gjë që mund të thotë se ajo mund të rikthehet më vonë.
Memorandumi është një largim rrënjësor nga normat e vjetra të Departamentit të Drejtësisë, si në aspektin e direktivës për të pushuar një çështje tashmë të ngritur që prokurorët e kishin konsideruar tashmë të merituar dhe për shkak të arsyetimit të tij të deklaruar se një i pandehur i fuqishëm mund të jetë shumë i zënë me detyrat zyrtare për të përballuar përgjegjësinë për krimet e supozuara.
Një zëdhënës i prokurorëve të Distriktit Jugor të Nju Jorkut, i cili kishte marrë urdhrin për të tërhequr akuzat, Nicholas Biase, nuk pranoi të komentonte.
Njoftimi pason spekulimet disa mujore se Departamenti i Drejtësisë i administratës së Presidentit Trump do të ndërmerrte hapa për të pushuar çështjen penale kundër zotit Adams, i cili u akuzua për marrje ryshfeti dhe përdorim të paligjshme të kontributeve financiare për fushatën e tij për krybashkiak të Nju Jorkut./VOA