Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili u arrestua një ditë më parë me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, i ka deleguar firmën nënkryetares, Anuela Ristani.
Vendimi mësohet se u mor në prani të kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Këshillit Bashkiak, pasditen e sotme, 11 shkurt.
Raportohet se vizita e kryeministrit Edi Rama dy herë brenda ditës së sotme, u zhvillua për të takuar drejtuesit e institucioneve për lënien e porosive mbi vijimësinë e punëve në qytet.
Arrestimi i Veliajt
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u arrestua rreth orës 14:00 të së hënës (10 shkurt), pasi Gjykata e Posaçme firmosi masën e arrestit me burg të kërkuar më parë nga SPAK për vepra penale të korrupsionit, i kryer nëntë herë në bashkëpunim.
Veliaj u filmua teksa dilte nga dera e Bashkisë me një dosje gri në dorë, i shoqëruar në distancë nga oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Gjykata e Posaçme vendosi gjithashtu masën e “arrestit shtëpiak” për bashkëshorten e Veliajt, Ajola Xoxa dhe masën e “detyrimit të paraqitjes” për pesë biznesmenë, Gentian Sulën, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha.
Sipas njoftimit të Prokurorisë së Posaçme, Veliaj akuzohet se së bashku me Xoxën kanë krijuar dhe vënë në funksionim një skemë me qëllim përfitimin e paligjshëm të fondeve publike që rridhnin nga Bashkia e Tiranës, që sipas SPAK është vërtetuar në nëntë raste.