Me të marrë miratimin në parlament, Instituti i Sigurimeve Shoqërore është gati këtë pranverë të hapë aplikimet për njohjen automatike të viteve të punës.
Mjafton një deklaratë nga personi që kërkon të dalë në pension, që ka punuar për disa vite në një ish-kooperativë, ish-ndërmarrje bujqësore a shtetërore që t’i bashkëngjitet dosjes së dokumenteve të tjera që vitet e kërkuara të konsiderohen si vite pune. Vendimi është marrë tashmë dhe ka hyrë në fuqi, por aplikimi do të kërkojë kohë, pasi pritet një vendim i dytë që detajon llojet e aktivitetit dhe ndërmarrjeve ku njihen këto vite pune.
Në përgjithësi, bëhet fjalë për ndërmarrje, dosjet e të cilëve figurojnë të mangëta në regjistra, janë djegur fare regjistrat apo kanë humbur me kalimin e viteve. Duhet nënvizuar se ligji nuk ka fuqi prapavepruese. Referuar deklaratave nga përfaqësuesit e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, përfitues do të jenë vetëm ata që dalin rishtazi në pension dhe jo të tjerë, të cilët e kanë kërkuar të drejtën e tyre në rrugë administrative apo gjyqësore. Ndërkohë që edhe ata individë që janë në proces ankimimi administrativ apo gjyqësor kanë të drejtë të shmangin këto procedura pasi janë objekt përfitimi të ligjit.
LIGJI
Ligji i sapomiratuar mundëson njohjen e periudhave të sigurimit pa pengesa procedurale, siç ndodh në rastet kur dokumentacioni që pasqyron periudhën e vjetërsisë në punë paraqet mangësi që e bëjnë të pamundur njohjen e saj administrativisht, pa shpenzime për përfituesit dhe mbi të gjitha, do të mundësonte përfitimin e një pensioni, të paktën sa masa e pensionit social.
Ligji në fjalë “Për njohjen e viteve të punës” përcakton disa kategori kryesore: Punësimi në institucione shtetërore dhe ishndërmarrje shtetërore: Periudhat e punësimit nga mosha 18 vjeç deri në hyrjen në fuqi të ligjit për sigurimet shoqërore në vitin 1993, do të njihen si vite sigurimi. Punësimi në ish-kooperativat bujqësore: Njihen periudhat e punësimit nga mosha 18 vjeç deri në hyrjen në fuqi të ligjit për tokën në vitin 1991. Punësimi në ish-ndërmarrjet bujqësore: Njihen periudhat e punësimit deri në hyrjen në fuqi të vendimit për ristrukturimin e ndërmarrjeve bujqësore në vitin 1992. Për shkak të problematikave të sipërpërmendura dhe kompetencave të kufizuara të strukturave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, periudha të konsiderueshme vjetërsie në punë nuk janë konfirmuar dhe nuk janë njohur administrativisht, me pasojë refuzimin e kërkesave për caktim pensioni, sepse duke qenë se në shumë raste kërkuesit nuk kishin periudha kontributive pas vitit 1994, nuk plotësohej kushti minimal i periudhës së sigurimit, gjë që ka detyruar shumë qytetarë t’i drejtohen gjykatave me kërkesë padi për njohjen e këtyre periudhave, proces i cili zgjat në kohë dhe ka shpenzime të mëdha, e shpesh të papërballueshme.
KUSHTET
Njohja e këtyre periudhave do të bëhet sipas deklaratës së kërkuesit, me kusht që kërkuesi të ketë qenë me vendbanim në qytet ose fshat gjatë periudhës së deklaruar si dhe të mos ketë vuajtur dënim me heqje lirie gjatë periudhës përkatëse. Gjithashtu, projektligji përfshin dispozita për rivlerësimin e pensioneve ekzistuese në rastet kur përfituesit deklarojnë periudha të tjera pune. Qytetarët që tashmë po mbushin moshën e pensionit, por nuk iu rezultojnë vitet që kanë punuar përpara ‘93- shit, do t’u njihen periudhat e sigurimit pa pengesa procedurale. Ky hap sipas Ministrisë së Ekonomisë, shmang zvarritjen e qytetarëve në dyer të gjykatave, ku ata shkojnë për njohjen e viteve.
Nga këto ndryshime do të përfitojnë 7500 persona që kanë punuar në ish kooperativat bujqësore dhe 22 mijë persona që kanë punuar në ish ndërmarrjet bujqësore dhe ndërmarrje shtetërore. Vetëm për vitin e parë të hyrjes në fuqi të ligjit ministria thotë se kostoja në buxhet është 40 milionë lekë. Grumbullimi i dokumentacionit të vjetërsisë në punë para vitit 1994, të institucioneve shtetërore, ndërmarrjeve shtetërore, ndërmarrjeve bujqësore dhe kooperativave bujqësore, në zbatim të vendimit të Këshillit të Ministrave “Për sistemimin, ruajtjen dhe shfrytëzimin e dokumentacionit të sigurimit të punonjësve të ish-kooperativave bujqësore, ndërmarrjeve dhe institucioneve që kanë ndërprerë veprimtarinë e tyre, ose janë në procesin e mbylljes”, sistemimi, administrimi dhe shfrytëzimi i tij, në strukturat arkivore të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, evidentoi problematika të konsiderueshme, si: mungesë e plotë të dhënash, të dhëna të pjesshme, të korrigjuara, të fshira, identitete të pasakta, fletë të dëmtuara, mungesë dokumentacioni për subjekte të caktuara etj..
PJESE NGA LIGJI
Periudhat e punësimit në ish-ndërmarrje shtetërore dhe institucione shtetërore
1. Njihet si periudhë e përgjithshme sigurimi për efekt pensioni nga sigurimet shoqërore koha e punësimit në ish–ndërmarrjet shtetërore dhe në institucione shtetërore: a) Nga mosha 18 vjeç, deri në hyrjen në fuqi të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar./ b) Nga data e përfundimit të shkollës së lartë, deri në hyrjen në fuqi të ligjit nr. 7703, date 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar./ /
2. Njohja si periudhë sigurimi sipas pikës 1, të këtij neni, bëhet sipas deklaratës së kërkuesit dhe më kusht që gjatë periudhës së deklaruar kërkuesi:/ a) Ka qenë me vendbanim në qytet. b) Nuk ka qenë duke vuajtur dënimin me heqje lirie.
3. Periudha e punësimit për efekt të llogaritjes së bazës së vlerësuar për pension, do të merret me pagë referuese. a) 3,288 lekë, sipas tabelës nr.2, pika 6, të vendimit nr.561, datë 12.8.2005 “Për përcaktimin e pagave referuese për llogaritjen e pensioneve”, të ndryshuar, për periudhën e parashikuar në shkronjën “a”, të pikës 1, të këtij neni. b) 4 110 lekë, sipas tabelës nr.1, pjesa e tretë, pika nr.10,/ të vendimit nr.561, date 12.8.2005 “Për përcaktimin e pagave referuese për llogaritjen e pensioneve”, të ndryshuar, për periudhën e parashikuar në shkronjën “b”, të pikës 1, të këtij neni.
Periudhat e punësimit në ish-kooperativat bujqësore
1. Njihet si periudhë e përgjithshme sigurimi në ish-kooperativë bujqësore për efekt pensioni në sistemin e sigurimeve shoqërore, nga mosha 18 vjeç, por jo më herët se viti i krijimit të kooperativës bujqësore, deri në hyrjen në fuqi të ligjit nr. 7501, datë 19.7.1991 “Për tokën”, të ndryshuar./
2. Njohja si periudhë sigurimi sipas pikës 1, të këtij neni, bëhet sipas deklaratës së kërkuesit, respektivisht me ditë, muaj ose vite të plota pune si dhe me kusht që gjatë periudhës së deklaruar kërkuesi:/ a) Ka qenë me vendbanim në fshat ku ushtronte aktivitetin ish-Kooperativë Bujqësore. b) nuk ka qenë duke vuajtur dënimin me heqje lirie.
Periudhat e punësimit në ish-ndërmarrjet bujqësore/
1. Njihet si periudhë e përgjithshme sigurimi në ish-ndërmarrjet bujqësore për efekt pensioni në sistemin e sigurimeve shoqërore, nga mosha 18 vjeç, por jo më herët se data e krijimit të ish-ndërmarrjes bujqësore deri në hyrjen në fuqi të vendimit nr.452, datë 17.10.1992 “Për ristrukturimin e Ndërmarrjeve Bujqësore”./
2. Njohja si periudhë sigurimi sipas pikës 1, të këtij neni bëhet sipas deklaratës së kërkuesit dhe me kusht që gjatë periudhës së deklaruar kërkuesi:/ a) Ka qenë me vendbanim në fshat ku ushtronte aktivitetin/ ish-ndërmarrja bujqësore. b) Nuk ka qenë duke vuajtur dënimin me heqje lirie. 3. Paga referuese për periudhën e sigurimit sipas këtij neni, për efekt të llogaritjes së bazës së vlerësuar për pension, do të jetë 2,833, sipas tabelës nr. 3, pika nr. 20, të vendimit të Këshillit të Ministrave nr.561, datë 12.8.2005 “Për përcaktimin e pagave referuese për llogaritjen e pensioneve”, të ndryshuar.
3. Paga referuese për periudhën e sigurimit sipas këtij neni, për efekt të llogaritjes së bazës së vlerësuar për pension, do të jetë sipas përcaktimeve në vendimin e Këshillit të Ministrave nr.561, datë 12.8.2005 “Për përcaktimin e pagave referuese për llogaritjen e pensioneve”, të ndryshuar.