BallinaPolitikePS-PD miratojnë së bashku rritjen e financimeve dhe kohës televizive në fushatë,...

PS-PD miratojnë së bashku rritjen e financimeve dhe kohës televizive në fushatë, Alibeaj ngre dyshime për një marrëveshje të heshtur

spot_img

Në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, dy partitë e mëdha ranë dakord që të ndryshojnë Kodin Zgjedhor 3 muaj para zgjedhjeve të 11 majit për të rritur tavanin e financimeve dhe kohën e reklamave televizive gjatë fushatës.

Nga Anesti Barjamemaj

Demokratët dhe socialistët nuk po gjejnë gjuhën e përbashkët për të lehtësuar votimin e emigrantëve, por në një mbledhje të Komisionit të Ligjeve të martën, ranë sërish dakord që të bëjnë ndryshime në Kodin Zgjedhor me qëllim rritjen e tavanit të financimit dhe kohës për reklama televizive gjatë fushatës elektorale.

Gjatë mbledhjes 5-orëshe, debatet ishin të shumta, por propozimet e socialistit Damian Gjiknuri kaluan në qetësi nga të dy palët.

Propozimi i parë erdhi nga deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi, i cili pohoi se kandidatët në listë të hapur kanë pamundësi për të bërë fushatë elektorale efektive, pasi nuk kanë kohë të majftueshme televizive. Sipas tij, kandidatët e listës së hapur “do kërkojnë të bëjnë jo vetëm fushatë politike në favor të subjektit, por edhe në mënyrë individuale”, por shtoi se për këtë “duhet t’i jepen edhe instrumentat e duhur”.

“Korniza jonë e aspektit mediatik është shumë e vjetër, nuk e reflekton këtë,” pohoi Bylykbashi ndërsa prezantoi amendamentin e tij.

“Për kandidatët e listës që i nënshtohen votimit parapëlqyes të partive politike të regjistruar në zgjedhje, koha e përgjithshme e transmetimit të reklamave politike gjatë fushatës zgjedhore nga secila radio dhe televizion privat nuk mund të jetë më shumë se 140 minuta,” shtoi ai.

Deputeti tha se në këtë mënyrë të gjithë kandidatët do të kenë mundësinë dhe hapësirën e tyre për të shprehur mesazhin e tyre politik.

“Unë jam dakord me këtë propozim”, u shpreh Damian Gjiknuri, duke treguar kështu dhe qasjen e Partisë Socialiste. Po sipas socialistit, nga ky propozim “hapet dhe një problem tjetër” që është financimi i fushatës elektroale.

Gjiknuri pohoi se duhej rritur financimi i partive politike, ku tashmë nuk do të pengohen më të shpenzojnë para nga privatët deri në trefishin e atyre që marrin nga shteti, por buxheti mund të jetë deri në 5 herë më shumë.

“Të rrisim tavanin e financimit, pra nga shumëzim për tre që ka qenë deri më sot, në shumëzim për 5, ky duhet të jetë tavani për partinë politike. Ndërkohë që të ketë të drejtën kandidati me paratë e tij deri në një nivel të arsyeshëm 3 milionë lekë të rinj,” tha Gjiknuri.

Gjiknuri shtoi se këto ndryshime bëhen për të mirën e të gjitha forcave politike, për të mos pasur dhe ndëshkime nga Komioni Qendror i Zgjedhjeve gjatë fushatës, për mos deklarim të të gjitha shpenzimeve.

Këto propozime të partive të mëdha u kundërshtuan nga deputeti Enkelejd Alibeaj, i cili hodhi dyshime për një marrëveshje të heshtur mes palëve dhe foli për një “situatë të rëndë”.

Procedura e votimit nxori në pah dakordësinë ndërmjet socialistëve dhe demokrarëve, pasi në mënyrë unanime ngritën dorën për të aprovuar dhe kërkesën që do t’i drejtojnë Presidentit Bajram Begajt që të miratojë në mënyrë të menjëhershme ndryshimet e Kodit Zgjedhor pas votimit të enjten. /Reporter.al/

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular