Nga: Dhurata Kola Kaloshi
Qenis me lule qershi
Kur hana e ka gris terrin e natës,
e yjet porsi ojna varen pyllit bri,
fshehtas janë lëshuar, arratisur andrrat,
qenis me lule qershi,
qenis me lule qershi.
Lëkundet varka valëve fërgëlluese,
prej zjarrit meteor përflaket agu gri,
çdo brengë fashitet, Olimpit zbret Aresi,
yjet porsi ojna varen pyllit bri,
qenis me lule qershi,
qenis me lule qershi.
Mbi barin e njomë, dehun vallëzojnë hapat,
diku prej thellësive pikon një zjarr i ri,
mijëra grimca drite rrëzëllejnë gjethnajash,
qenis me lule qershi,
qenis me lule qershi.
Rozë
Gur diamanti,
rrëzëlleu pikëza e vesës,
mbi buzën e petalit.
Shpërfillëse,
aroma depërtoi nëpër damarët gjëmbaç,
dhe shpërtheu
dritën farfuritëse të mëngjesit.
Mbi mure,
vallëzuan hijet e degëve të lisit.
E purpurta e petalit,
rrëshqiti ngadalë mbi dysheme.
Malli,
dihati mbi çarçafët e bardhë.
Nata,
nuk fjeti,
prej rënkimeve të lindjes
së imazhit të petalit tek çelej.
Kurmi
Mbi shtratin e zhubrosur vjeshtak, e shtrirë,
nga shputat e këmbëve,
i kullon dhimbje gërvishjesh gjembaçe.
Dora e verbër zgjatet drejt imazhit,
që endet në dhomën e zbrazët.
Ndjen prekjen me lëkurën tij transparente,
gjakun t’i rrëshqasë damarëve,
vështrimin që e ndjek në arratisjet e saj,
puhizën tek trazon qoshet e ftohta të dhomës,
aromën drithëruese të lulëzimit,
gjithë ngrohtësinë e dritës,
tek i prek çdo nerv të trupit,
dhe e rrëmben në shtigje të panjohura përvëluese.
Atë çast,
heshtja këputet si gjethe vjeshte,
dhe si një pëshpërimë e pa fjalë,
bie mbi lëkurën e bardhë të dorës së mbetur pezull.
Kur puthen pemët
Kur yjet mbrëmjen e flakërojnë,
e hënës fytyra i rrëzëllen gëzuar,
kërcëllijnë dritaret,
dëshirat harbojnë,
ndal mbrëmja frymën drithëruar.
Lëshohet poleni me ngadalë,
e toka seç digjet n’zjarrmi,
bari shkelet,
drita çelet,
do të mbijë filiz i ri…