Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj veprimeve të fundit të institucioneve të drejtësisë, duke paralajmëruar që të mos gabojnë t’i kërkojnë telefonin e tij.
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Rama ironizoi mbledhjen e të dhënave nga autoritetet hetimore, duke thënë se tashmë “kanë mbledhur gjithë telefonat e Shqipërisë” dhe duhet të përqendrohen te faktet.
Edi Rama: E fundit, që kam është një ngushëllim për veten time dhe për ju bashkë me mua, që i keni hyrë detit në këmbë, që është mirë ta ndaj me ju. Kemi marrë përsipër të jemi në pushtet dhe brinjët t’ia lemë në dispozicion drejtësisë. Nuk kam pishman. E vetmja pyetje është a do t’ia dalim ta bëjmë të pakthyeshme reformën në drejtësi. A do t’ia dalim që institucionet e drejtësisë të përdorin pavarësinë për të bërë drejtësi apo do të bëjnë politikë. Meqë njërin po e lemë në ballkon, të shkojmë të kapim tre nga këta. Të shkojmë të kapim njërin për diplomë.
Mos të bëjnë gabim të vijnë të kërkojnë telefonin tim, boll i kanë. Kanë mbledhur të gjithë telefonat e Shqipërisë. Në vazhdën e indeksit të perceptuar të korrupsionit, Shqipëria dje doli në Transparency International në pozicionin më të mirë që ka qenë ndonjëherë për luftën kundër korrupsionit. Kur ka dalë keq, është bërë lajm, kanë dalë nëpër konferenca, kanë bërë emisione, për këtë s’e di a doli gjëkundi.