Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte tregoi se organizimi që ai drejton nuk ka favoritë kur vjen fjala tek drejtimi i Kosovës, po theksoi se pret që pas zgjedhjeve të së dielës të ketë një qeveri të qëndrueshme.
Aleanca do të punojë me këdo që do të udhëheqë me vendin, deklaroi ai përpara gazetarëve në Bruksel.
“Ky ka qenë një proces demokratik. Ajo që ne kuptojmë është se i kemi rezultatet fillestare, por ende po vazhdon numërimi i votave dhe presim rezultatet finale. Bazuar në të dhënat e deritanishme, duket se do të ketë një qeveri koalicioni. Natyrisht, ne ju sigurojmë që do të punojmë me këdo që do të udhëheqë me vendin. Dhe natyrisht u dëshirojmë të gjithë politikanëve gjithë të mirat në drejtimin e hapësirës politike dhe që të garantojnë një ekzekutiv të qëndrueshëm sa më shpejt që të jetë e mundur”, u shpreh Rutte.
Pavarësisht se deri tani rezulton të ketë siguruar 47 vendeve në parlamentin 120 vendesh të Kosovës, Albin Kurti u shpreh i bindur se Lëvizja Vetëvendosje do ta formojë në mënyrë të pavarur Qeverinë. KQZ insiston se integriteti i votës nuk është cenuar dhe se rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, do të jenë të sakta, pavarësisht dyshimeve të ngritura pas vonesave gjatë numërimit të votave.
Numërimi i votave të kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës nisi me një ditë vonesë më 11 shkurt vetëm në katër komuna, ndërsa në 34 komunat e mbetura pritet të nisë sot, e së bashku me numërimin e vptave të diasporës, mund të vonojë shpalljen e rezultateve përfundimtare.