Presidenti amerikan Donald Trump ka zhvilluar një bisedë telefonike sot me homologun e tij rus, Vladimir Putin.
Pas telefonatës, republikani u shpreh se negociatat për Ukrainën do të fillojnë së shpejti, teksa thekoi se biseda me Putin ishte “e gjatë dhe produktive”.
Në një postim në platformën e tij “Truth Social”, presidenti amerikan thotë se dy liderët diskutuan për Ukrainën dhe Lindjen e Mesme, si dhe për Inteligjencën Artificiale (AI).
“Të dy duam të ndalojmë miliona vdekje që po ndodhin në Luftën me Rusinë/Ukrainë”. Ne ramë dakord të punojmë së bashku, duke përfshirë vizitën e kombeve të njëri-tjetrit. Ne kemi rënë gjithashtu dakord që ekipet tona përkatëse të fillojnë menjëherë negociatat dhe do të fillojmë duke telefonuar Presidentin Volodymyr Zelensky, të Ukrainës, për ta informuar atë për bisedën, diçka që do të bëj tani”, ka shkruar republikani.
Trump shton se ai ka udhëzuar një ekip, duke përfshirë Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, për të udhëhequr negociatat.
Ai e përfundon duke thënë “Dua të falënderoj Presidentin Putin për kohën dhe përpjekjen e tij në lidhje me këtë thirrje, dhe për lirimin, dje, të Marc Fogel, një njeriu të mrekullueshëm që personalisht e përshëndeta mbrëmë në Shtëpinë e Bardhë. Besoj se kjo përpjekje do të çojë në një përfundim të suksesshëm, shpresojmë së shpejti!”