Pas sheshit “Skënderbej”, hotel “Dajtit”, Piramidës, radha e ndërhyrjes u ka ardhur Pallatit të kongreseve dhe sheshit “Nënë Tereza”.
Bashkia e Tiranës shpalli në fillim të këtij viti hapjen e tenderit për instalimin “Tirana Moons”. Fondi limit i parashikuar i këtij projekti është 38 milionë e 909 mijë lekë. Sipas dokumentacionit të publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik, struktura modulare “Moon” është një pavijon sferik i punuar kryesisht me dru dhe pëlhurë.
Moduli “Hëna” është i përbërë nga elementë që vendosen njëri mbi tjetrin në tre faza të montimit dhe konceptimit. Struktura përbëhet nga një kornizë rrethore e bërë nga trarë unazorë druri. Ky dizajn modern është estetik, duke e bërë atë të këndshëm vizualisht, por është gjithashtu funksional, me vendkalime të qarta dhe zona ndenjëse për grupet për t’u mbledhur.
Një ditë pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj projekti u prezantua në sheshin “Nënë Tereza” nga kryeministri Edi Rama. Arkitekti austriak Kris Prett shpjegoi se si do të funksionojë ky instalacion që pritet të ketë përfunduar pas 6 muajsh.
Krahas këtij projekti, transformimit nuk do t’i shpëtojë as pallati i Kongreseve, ku me shumë gjasa krahas rinovimit të godinës shtetërore, do të ngrihet një kullë e re. Ideja e trasnformimit të pallatit të Kngreseve është e ngjashme me ish-stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”.
Ishte kryeministri Edi Rama ai që zbuloi se Pallati i Kongreseve do të transformohet dhe do të ketë shumë ndryshime, në mënyrë që Tirana të jetë, sipas tij, jo vetëm kryeqyteti i shqiptarëve por i gjithë rajonit. Sakaq, Rama zbuloi se kanë një fond zhvillimi për parkime nëntokësoret si atraksione arkitekturore.
Në fjalën e tij Rama u shpreh se, “Korporata Shqiptare e Investimeve do të shpallë edhe konkursin për rishpikjen, nëse mund të përdorim këtë fjalë, rikualifikimin e Pallatit të Kongreseve, me të njëjtën formulë si me stadiumin ku do të fitojmë një pallat kongresesh të transformuar, të rinovuar dhe patjetër do të shohim si do të paraqiten dhe cili do të jetë projekti më i mirë me konkurs ndërkombëtar”.
“Do të kemi një fond zhvillimi për parkimet nëntokësore si atraksione arkitekturore. Thënë të gjitha këto projekti do të ketë mundësi të realizohet dhe fokusi do të jetë fëmijët. Edhe frekuentuesit nuk do të jenë në kafene, por projektuesi do të jetë në funksion të fëmijëve. Jam shumë i bindur që kur Tirana që ne po e shohim të projektohet hap pas hapi, aty ku janë projektet e skenës dhe të marrë formë në mbarë kryeqytetasit dhe do të jetë kryeqyteti i rajonit dhe do të jetë një qytet ku do të ketë një arsye shumë të fortë për të ardhur dhe komunikuar. Siç thotë Erion Veliaj që e ka mësuar nga unë: ‘Ditët më të mira janë gjithmonë përpara’“, – tha Rama
Pallati i Kongreseve u projektua dhe u ndërtua në vitet 80- të si simbol i ideologjisë komuniste dhe shprehje e fuqisë së regjimit totalitar. Punimet për ndërtimin e tij filluan në vitin 1982 dhe përfunduan në 1986, katër vjet më pas. Konstruksioni i ndërtesës është frymëzuar nga ndërtesa tradicionale e Gjirokastrës, Beratit dhe kulla e veriut të Shqipërisë.
Pamja e jashtme e tij është ruajtur mjaft mirë gjatë këtyre viteve duke qëndruar në harmoni me Muzeun Arkeologjik, Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” dhe ndërtesat e tjera përreth.
Aktualisht Pallati i Kongreseve është 70 metra i gjatë dhe 18-23 metra i lartë. Salla kryesore ka një kapacitet prej 2100 vendesh. Ky pallat u projektua që kthimi i sallës nga mjedis mbledhjeje në mjedis koncerti të projektohej me lehtësi. Gjatë regjimit komunist partia në fuqi organizonte kongreset e saj. Pallati ka dhe 3 salla më të vogla me kapacitet prej 150, 280 dhe 300 vendesh, të dizenjuara si ambiente pune për takime, mbledhje, forume apo ngjarje të tjera si këto. Edhe sot, pallati përdoret për konferenca, festivale, panaire tregtare, ceremoni, koncerte dhe ngjarje të tjera.
Stadiumi “Selaman Stërmasi”, ish-ATSH, Inxhinieria e Ndërtimit, Hipoteka etj, janë disa nga godinat dhe hapësirat e tjera publike që pritet të transformohet përmes një formule të ngjashme, ku privati dhe shteti të bashkëjetojnë brenda një kompleksi.