BallinaKryesoreDomosdoshmëria e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor! Të mundësojmë votimin e emigrantëve

Domosdoshmëria e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor! Të mundësojmë votimin e emigrantëve

spot_img

Nga Bujar Leskaj
Projektligji i Partisë Demokratike ‘Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 10 019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, për mundësimin e votimit të emigrantëve me karta identiteti shqiptare të skaduara, si dhe me pasaportë ose letërnjoftim apo kartë identiteti biometrik, brenda afatit të vlefshmërisë, të lëshuar nga vendet e Bashkimit Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe çdo vend tjetër, si dispozitë kalimtare, është ligjor dhe efektiv.

Ai synon të ofrojë lehtësitë maksimale ndaj të gjithë shtetasve shqiptarë, kudo që ata ndodhen brenda dhe jashtë vendit, për të ushtruar të drejtën e tyre kushtetuese dhe legjitime për të votuar në zgjedhjet e përgjithshme të 11 Majit 2025.

I. Karta e skaduar e identitetit nuk duhet të shbëjë të drejtën për votim!

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë parashikon rregullin, sipas të cilit, e drejta e votës i njihet çdo shtetasi shqiptar që ka mbushur moshën 18 vjeç. Neni 19 i Kushtetutës përcakton se “Kushdo që lind duke pasur qoftë edhe njerin prej prindërve me shtetësi shqiptare, e fiton vetiu shtetësinë shqiptare. Shtetësia shqiptare fitohet edhe për shkaqe të tjera të parashikuara me ligj.” dhe se “Shtetasi shqiptar nuk mund ta humbasë shtetësinë, veçse kur ai heq dorë prej saj.”.

Neni 18 i Kushtetutës parashikon barazinë para ligjit për shtetasit dhe ndalon diskriminimin. Kushtetuta nuk parashikon si kusht pasjen e një dokumenti identifikimi të vlefshëm, mungesa e të cilit të bëjë nul të drejtën universale të votës.

Për sa kohë një shtetas shqiptar provon identitetin e tij në një formë të besueshme, ai/ajo ka të drejtë të ushtrojë të drejtën e votës. Kodi Zgjedhor madje lejon një zgjedhës të votojë edhe pa qenë në listën e zgjedhësve, sa kohë që një gjykatë vendos ta lejojë të votojë. Pra, lista e zgjedhësve apo dokumenti i identifikimit janë instrumenta që shërbejnë për të siguruar të drejtën e votës, dhe jo për ta zhbërë atë!

Nga ana tjetër, nëse analizojmë me kujdes Raportin Përfundimtar të OSBE-ODIHR për monitorimin e zgjedhjeve të fundit vendore të 14 Majit 2023, nga ky raport i OSBE konstatohet se në 2023 ishin të paktën 271,000 zgjedhës me karta identiteti të skaduara.

Por nga viti 2023 e deri tani, situata është përkeqësuar ndjeshëm. Raporti paraprak i NAM (Needs Assessment Mission) i OSBE-ODIHR, për zgjedhjet e përgjithshme të 11 Majit 2025, raport i cili mban datat 3 dhe 6 dhjetor 2024, evidenton rreth 600.000 mijë zgjedhës me karta identiteti të skaduara, e dhënë kjo e konfirmar publikisht edhe nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve.

Ky shqetësim përfshin shtetasit shqiptarë me banim brenda dhe jashtë vendit, por sidomos ata jashtë vendit, të cilët mund ta kenë më të vështirë sesa shtetasit brenda vendit, për të rinovuar dokumentat e identifikimit. Rrjedhimisht, e gjithë kjo kategori zgjedhësish rrezikon seriozisht të mos jetë në gjendje të votojë në 11 maj 2025, nëse nuk amendohet Kodi Zgjedhor.

II. Dokumenti biometrik i vendit ku votojnë duhet të mundësojë votimin e emigrantëve!

Gjithashtu, numri i zgjedhësve që nuk kanë asnjë dokument biometrik/elektronik (pasaportë apo kartë identiteti/letërnjoftim), sepse janë larguar nga Shqipëria para fillimit të pajisjes me to, duke nisur nga janari i vitit 2009, apo që kanë lindur jashtë territorit të Republikës, por që kanë fituar të drejtën e votës, është i lartë.

Që nga fillimi i regjistrimeve më 11 janar 2025 në platformën e KQZ-së për shtetasit që votojnë nga jashtë, numri i këtyre shtetasve që ankohen për pamundësi regjistrimi është shumë i lartë.

Këta shtetas kanë një dokument biometrik të vendit ku jetojnë, me të cilin mund të kalojnë kufirin shtetëror, duke u identifikuar nëpërmjet pajisjesh elektronike biometrike.

Dispozita aktuale e Kodit Zgjedhor që amendamenti i partisë Demokratike ndryshon, është miratuar në vitin 2008. Si e tillë, ajo nuk reflekton reformën e madhe të nisur në vitin 2020 dhe të përfunduar në vitin 2024 që lejoi që të votojë nga jashtë Republikës së Shqipërisë çdo shtetas që në ditën e votimit gjendet jashtë vendit dhe që regjistrohet rregullisht (pozicion ligjor i njohur botërisht me termin “Out of country voting-në shqip, votimi jashtë vendit”).

Si e tillë, kjo dispozitë nuk reflekton realitetin demografik të përshkruar më sipër, atë zgjedhor dhe ligjor në fuqi. Ajo përbën një pengesë diskriminuese që bën efektivisht nul të drejtën e fituar me ligj.

Në këtë kuptim, nëse nuk merren masat e duhura në kohë, për të lehtësuar regjistrimin dhe votimin e të gjithë shqiptarëve me banim jashtë vendit, sikurse mundëson amendamenti i propozuar nga PD, rrezikojmë të kemi një pjesëmarrje të ulët në votime, çka do të cënonte ndjeshëm jo vetëm besueshmërinë, por edhe legjitimitetin dhe kushtetutshmërinë e procesit të ardhshëm zgjedhor.

Ndaj, ky qëllim mund të arrihet vetëm duke hequr çdo pengesë ligjore për ushtrimin e të drejtës së votës edhe të atyre kategorive të zgjedhësve, të cilëve, (i) u ka skaduar leternjoftimi elektronik dhe pasaporta shqiptare, apo (ii) asaj kategorie të shqiptarëve në emigracion, që kanë shtetësinë dhe/ose rezidencën e përhershme në një vend të huaj, po që aktualisht rezultojnë se nuk disponojnë asnjë pasaportë apo letënjoftim elektronik të lëshuar nga Republika e Shqipërisë.

Me miratimin e këtij Projekligji të Partisë Demokratike dhe përfshirjen e dispozitës së tij në Kodin Zgjedhor, si dispozitë tranzitore, nuk do të ketë me pasiguri juridike lidhur me eventualitetin, nëse do të merret apo jo vendim nga Këshilli i Ministrave për zgjatjen e afatit të vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit, për efekt të zgjedhjeve.

Kjo praktikë tashmë ka ndodhur në disa palë zgjedhje, mirëpo nuk u përtëri në disa zgjedhje të pjesshme, si në rastin e Bashkisë Himarë (zgjedhjet e Gushtit 2024), ku nga listat e zgjedhësve figuruan rreth 6 mijë zgjedhës pa dokument ID të vlefshëm.

Duke kryer rregullimet ligjore drejtpërdrejt në Kodin Zgjedhor, garantohet parashikueshmëria dhe sigurohet jo vetëm transparenca, por edhe siguria juridike për zgjedhësit, që e drejta e tyre e votës nuk do të varet nga diskrecioni politik i Këshillit të Ministrave.

Në këtë kontekst, ndryshimet ligjore të propozuara nga Partia Demokratike janë të domosdoshme për gjithpërfshirjen dhe garantimin e të drejtës së votës për të gjithë shtetasit shqiptarë, kudo ku ata ndodhen, dhe pavarësisht dokumentit të tyre të identifikimit që ata posedojnë, për zgjedhjet e vitit 2025, deri në parashikimin në mënyrë të përhershrne të rregullave përkatëse.

Një dispozitë e ngjashme është miratuar në Kodin Zgjedhor në vitin 2007, me kerkesë të opozitës, në atë kohë të Partisë Socialiste, pikërisht me qëllim garantimin e të drejtës së votës, në mungesë të dokumentave të identifikimit të Republikës së Shqipërisë, situatë kjo sot e vlefshme për qindra mijëra zgjedhës.

35Rezenbrik Serjani, Ardi Stefa and 33 others

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular